Pagat marramendëse nga kontratat faraonike e kanë kthyer futbollin në një nga disiplinat sportive të lakmueshme për këdo. Por, duke pasur parasysh pagën e tyre, sa kushton një gol i sulmuesve kryesor në Seria A?
Cristiano Ronaldo është më i paguari dhe si rrjedhojë golat e tij vlejnë tmerrësisht shumë. Deri më tani, portugezi ka shënuar 23 gola dhe çdo gol i tij vlen plot 1 milionë 347 mijë e 826 euro. Shumë i distancuar me Ronaldon në këtë garë speciale gjendet Zlatan Ibrahimovic. Suedezi ka shënuar 15 gola dhe duke ditur pagën e tij, një gol i shënuar prej 39-vjeçarit i vlen Milanit rreth 466 mijë euro.
Podi i kësaj gare kompletohet nga Romelu Lukaku. Belgu i Interit ka shënuar 19 gola deri tani dhe çdo realizim i tij vlen pak më shumë se 394 mijë euro. Fituesi i Këpucës së Artë sezonin e shkuar, Ciro Immobile gjendet i gjashtë në këtë renditje me 285 mijë euro për çdo gol të shënuar.
Surprizë në këtë garë mund të quhet padiskutim sulmuesi i Crotones, Simy. 28-vjeçari merr 600 mijë euro në sezon nga kontrata e tij me Crotonen. Shifër e ulët, duke pasur parasysh që deri më tani numëron 13 gola, që në aspektin monetar përkthehen në 46.353 euro për gol.