Nuk pati surpriza në natën e sotme në Champions League. Real Madrid, pasi fitoi 1-0 në Bergamo ndaj Atalantës, fitoi edhe në kthim, kësaj here 3-1. Ndërsa Manchester City përsëriti rezultatin e ndeshjes së parë 2-0 ndaj Borussia Monchengladbach.
Real Madrid ka gjetur golin e avantazhit në 34’. Ishte një gafë e portierit Sportiello, i cili në tenativë për të pasur me këmbë për shokun e ekipit, ia ka dhuruar topin Modric, që menjëherë e ka shndërruar në asist për Benzema, i cili si një penallti e lëvizsshme nuk ka falur!
Real Madrid kishte shansin të shënonte golin e dytë menjëherë në fillim të pjesës së dytë, por Vinicius Jr ka gabuar në mënyrë të pafalshme vetëm pak hapa përpara porte dhe portierit Sportiello…
Vinicius Jr një minë me sahat për Atalantan. Pasi shpërdoroi një gol, braziliani fitoi penallti me shpejtësinë e tij. Fillimisht arbitri dha goditje dënimi, por me VAR vendimi u kthye penallti dhe nga pika e bardhë Sergio Ramos nuk fali, duke dyfishuar rezultatin.
Muriel në 83’ shënoi golin e nderit për Atalantën. Por vetëm 2 minuta më pas Asensio shënoi golin e tretë, duke shuar cdo iluzion të bergamaskëve. Berat Gjimshiti u aktivizua i plotë për 90 minuta.
I kanë mjaftuar vetëm 12 minuta Manchester City-t për të gjetur golin e parë. Goli i Qytetarëve është realizuar nga Kevin de Bruyne. Belgu ka kaluar në avantazh skuadrën e tij me një gol të mrekullueshëm me të majtën, që nuk është këmba e tij e preferuar.
Gjashtë minuta më mbrapa ka ardhur edhe goli i dytë për vendasit i shënuar nga Gundogan. Citizens ka fituar 2-0 ndeshjen e parë. Këto dy gola do të mbeteshin në fuqi deri në fund dhe City kalon në cerekfinale.