Një mjek onkolog në Spitalin Rajonal të Durrësit po përballet me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.
Mjeku 51-vjeçar u kallëzua në polici nga bashkëjetuesja e një pacienti italian me probleme onkologjike.
Mjeku nën akuzë bëri të ditur për TCH se pacienti italian ishte paraqitur në spital dhe është shtruar nga mjeku ditën e hënë, me premtimin se do të paraqiste më vonë dokumentacionin përkatës.
Tre ditë pas qëndrimit në spital, mjeku i ka kërkuar që të kryejë regjistrimin në recepsion. Fillimisht bashkëjetuesja ka pretenduar se shtetasi italian kishte një leje qëndrimi të skaduar, po as atë nuk e ka paraqitur ndërsa është informuar se në këto kushte për marrjen e shërbimit spitalor duhet të paguajë tarifën 8000 lekë/nata, në të kundërt do t’i ndërpritej shërbimi.
Kaq ka mjaftuar që gruaja të paraqitet në polici duke denoncuar situatën, ndonëse shërbimi ndaj pacientit ka vijuar. Sipas burimeve zyrtare spitalore, çdo i huaj, që nuk është në situatë urgjence për marrjen e shërbimit, që nuk ka dokumente duhet të paguajë faturën për marrjen e shërbimi në spital, për çdo ditë qëndrimi në të.
Gjendja shëndetësore e pacientit italian pas marrjes së shërbimit gjatë këtyre ditëve në spitalin e Durrësit është më e mirë, ndërkohë që mjeku pritet të japë dëshminë e tij në polici mbi rrethanat e kësaj situate.