MENU
klinika

Ligji i ri për sigurimet e detyrueshme motorike

Përgjegjësi më të larta për siguruesit, bonus-malus me dëshirë

20.03.2021 - 13:13

Kuvendi i Shqipërisë është në prag të miratimit të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Ligji ka rëndësi shumë të madhe për tregun shqiptar të sigurimeve, sepse sigurimet e detyrueshme motorike dominojnë strukturën e primeve dhe rrjedhimisht, edhe biznesin e sigurimeve në Shqipëri.

Arritja e projektligjit për diskutim në Kuvend është e rëndësishme edhe për faktin që ky proces ishte shndërruar në një odise që po zgjaste rreth pesë vjet, me disa drafte të përgatitura nga AMF, por të pamiratuara asnjëherë nga Ministria e Financave dhe të papropozuara asnjëherë zyrtarisht si projektligje. Megjithatë, edhe projektligji që qeveria ka dërguar në Kuvend diskutohet, pati ndryshime të ndjeshme nga varianti që AMF pati propozuar fillimisht. Ndryshimet kryesore lidhen me faktin që sistemi bonus-malus nuk do të jetë i detyrueshëm, ndërsa limitet e përgjegjësive do të jenë më të ulëta se ato të propozuara fillimisht.

Vjen bonus-malus, por me dëshirën e kompanive

Projektligji parashikon, për herë të parë, mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, ndryshe nga sa kishte propozuar fillimisht AMF, sistemi bonos-malus nuk do të jetë i detyrueshëm dhe aplikimi i tij në projektligj parashikohet si e drejtë e kompanive të sigurimit.

Sistemi bonus-malus është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme, prim më të ulët. Sistemi gjithashtu mund të përmbajë edhe elemente të tjera rreziku, të përcaktuara nga vetë kompanitë.

Megjithëse kjo është hera e parë që koncepti i bonus-malus parashikohet në ligj, as legjislacioni aktual nuk vendos ndonjë pengesë eksplicite për aplikimin e këtij sistemi nga kompanitë e sigurimeve. Një interpretim të tillë pati bërë edhe AMF, që në prill të vitit 2019, përgatiti një udhëzim që do të mundësonte zbatimin e sistemit bonus-malus mbi baza vullnetare nga kompanitë e sigurimeve. Zbatimi pritej të niste në prill 2020, por në fakt nuk u bë asnjëherë efektiv, sepse kompanitë e sigurimeve nuk e panë me interes.

Drejtuesit e kompanive të sigurimeve argumentuan se ky sistem nuk mund të aplikohej në një treg me përqindje të lartë të automjeteve të pasiguruara. Siguruesit shqetësoheshin se zbatimi i një sistemi bonus-malus mund të sillte një rritje të mëtejshme të mjeteve të pasiguruara. U mendua se qartësimi i bonus-malus mund të bëhej pas miratimit të ligjit të ri, megjithatë gjasat janë që përfundimisht, ky sistem do të jetë alternativë që siguruesit mund ta përdorin vetëm nëse e shohin me interes në biznesin e tyre.

Sipas projektligjit, shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike, duke marrë parasysh faktorët e riskut dhe do të njoftojnë Autoritetin të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit, duke depozituar edhe bazat teknike dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve.

AMF mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale, të përcaktuara me rregullore nga Autoriteti. Shoqëritë e sigurimit duhet të krijojnë provigjone teknike, jo më pak se niveli i provigjoneve teknike, i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti. Sipas projektligjit, tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.

Burimi: AMF

Rriten limitet e përgjegjësive

Projektligji parashikon një rritje progresive në limitet e përgjegjësive të siguruesve krahasuar me ligjin aktual, por në përmasa më të vogla se ato që kishte propozuar AMF-ja në variantin fillestar të draftit dhe që mbështetej në rekomandimet e Bankës Botërore.

Nëse AMF-ja propozonte që shuma minimale e përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident të ishte 50 milionë lekë, Ministria e Financave, në projektligjin e saj, e ka ulur këtë shumë në 22 milionë lekë (me ligjin aktual ky kufi është 20 milionë lekë). Në periudhën 2021-2025, limiti do të rritet me 2 milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 30 milionë lekësh në vitin 2025.

Për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë, nga 135 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Në rastin e autobusëve dhe kamionëve, kufiri i dëmit do të jetë 150 milionë lekë, nga 270 milionë lekë që kishte propozuar AMF-ja. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të rriten gradualisht me 4 milionë lekë çdo vit deri në vitin 2025.

Për pasagjerët që udhëtojnë në mjetet e transportit publik, minimumi i shumës së sigurimit do të qëndrojë në nivelet e parashikuara në ligjin aktual, me 2 milionë lekë në rast vdekjeje dhe 4 mijë lekë në rast paaftësie të përhershme për punë. Megjithatë, ligji i ri parashikon edhe një dispozitë të re të lidhur me paaftësinë e përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore, për të cilat parashikohet një përgjegjësi minimale prej 1 milion lekësh.

Ligji i ri nuk sjell ndryshime për limitet e përgjegjësive të avionëve dhe mjeteve lundruese, që do të qëndrojnë në nivele të njëjta me ato të parashikuara në ligjin aktualisht në fuqi.

Dëmet në vlerë të vogël duhet të paguhen për 14 ditë

Dokumenti parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit do të jetë 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Megjithatë, për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër prej 14 ditësh.

Më tej, shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit.

Projektligji prek edhe një çështje që është bërë shpesh objekt debatesh. Kompanitë e sigurimeve kanë akuzuar shpesh avokatët se shfrytëzojnë çështje të dëmeve në sigurime për të nxjerrë përfitime të mëdha dhe abuzive nëpërmjet çështjeve gjyqësore. Projektligji vendos një kufi lidhur me shumën që mund të përfitojnë mbrojtësit ligjorë dhe që nuk mund të jetë më shumë se 5% e vlerës së dëmshpërblimit të përfituar. Gjithashtu, saktësohet se shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose të përfituesit.

Burimi: AMF

Fondi i kompensimit qëndron brenda Byrosë së Sigurimeve

Një hallkë problematike në sistemin e sigurimit të përgjegjësive ndaj palëve të treta ka qenë Byroja e Sigurimit, sidomos për pjesën që lidhet me fondin e kompensimit. Ky fond, sipas ligjit, ka për detyrë të paguajë për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara, ato të paidentifikuara, si dhe në rastet kur një kompani sigurimi kalon në procedurë falimenti apo likuidimi.

Në një draft të mëparshëm, AMF pati ideuar ndarjen e Fondit të Kompensimit nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, duke krijuar një ent të veçantë. Megjithatë, pas konsultimeve, u vendos që Fondi i Kompensimit të vazhdojë të qëndrojë brenda Byrosë, por si departament i veçantë. Kjo do të përfshijë ndarjen e qartë të llogarive me kartonin jeshil: kontributet për fondin e kompensimit do të mbahen dhe përdoren vetëm për pagesën e dëmeve të lidhura me këtë fond. Gjithashtu, një nga propozimet e mëparshëm të AMF-së kishte qenë që drejtori ekzekutiv i Byrosë së Sigurimeve të emërohej nga ky institucion.

Propozimi u kundërshtua nga kompanitë e sigurimeve dhe në projektligjin e dërguar në Kuvend u hoq dorë nga kjo ide dhe drejtori ekzekutiv i Byrosë do të propozohet nga anëtarët e saj (kompanitë e sigurimeve) dhe duhet të miratohet nga AMF brenda 30 ditëve. Procedura është e ngjashme me atë të parashikuar në ligjin aktual, ku drejtori ekzekutiv emërohet nga Asambleja e Përgjithshme, me miratimin paraprak të AMF-së.

Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Byrosë, organ i ngjashëm me Këshillin Administrativ, të parashikuar në ligjin aktual. Ligji i ri parashikon, për herë të parë, edhe një vlerë minimale të Fondit të Kompensimit, që duhet të jetë të paktën 150 milionë lekë.

Lidhur me funksionin tjetër të Byrosë, administrimin e kartonit jeshil, ligji i ri parashikon një rritje në shumën minimale të garancisë që duhet të ofrojë çdo kompani sigurimi që ofron këtë produkt. Shuma minimale do të rritet nga 200 mijë euro, parashikuar prej ligjit aktual, në 250 mijë euro. Fondi i garancisë ka për qëllim garantimin e detyrimeve financiare, që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit jeshil.

Komisionet e ndërmjetësve, AMF do të vendosë tavan

Një çështje delikate që AMF kishte propozuar të adresohej në ligj ishte edhe niveli i komisioneve të ndërmjetësimit, të cilin kompanitë e sigurimeve ua paguajnë agjentëve. Komisionet e agjentëve janë një mekanizëm, me të cilin kompanitë e sigurimeve konkurrojnë me njëra-tjetrën.

Sa më i lartë të jetë komisioni i ndërmjetësimit, aq më të mëdha janë hapësirat që agjentët kanë për t’i ofruar klientit ulje nga çmimi i shkruar në policë. Në tregun shqiptar të sigurimeve, komisionet e ndërmjetësimit mund të arrijnë deri në 30% në produkte të veçanta. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020, kompanitë e sigurimeve raportuan mbi 2 miliardë lekë shpenzime të marrjes në sigurim, që në pjesën më të madhe, konsistojnë në komisione ndërmjetësimi.

AMF e vlerëson si një element që dëmton eficiencën e kompanive nivelin tepër të lartë të komisioneve të ndërmjetësimit. Në variantin fillestar, projektligji parashikonte vendosjen e një tavani prej 12% për komisionet e ndërmjetësimit të agjentëve. Por, në variantin që i është propozuar Kuvendit, niveli maksimal i komisionit i lihet në kompetencë AMF, që do të rregullojë këtë çështje përmes akteve nënligjore.

Burimi: AMF

Rriten gjobat për shkeljet e ligjit

Projektligji parashikon një rritje të kufirit të gjobave që autoriteti rregullator mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit për shkeljen e dispozitave të ndryshme të tij. Në rastet kur kontrata e sigurimit nuk përmban të gjithë elementet e kërkuar nga ligji, shuma maksimale e gjobës për shoqërinë e sigurimit do të rritet nga 300 mijë në 500 mijë lekë.

Për rastet kur kompania e sigurimeve refuzon lidhjen e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, gjoba maksimale rritet nga 1 milion në 1.5 milionë lekë. Një gjobë deri në këtë masë mund të vendoset edhe në rastet kur kompania nuk iu përgjigjet detyrimeve për financimin e buxhetit të Byrosë së Sigurimeve.

Në rastet kur kompania e sigurimit shkel procedurat për përcaktimin e nivelit të primeve, ose shkel afatet ligjore të dëmshpërblimit për personat e dëmtuar, shoqëria e sigurimit mund të gjobitet deri në 2 milionë lekë. Gjoba mund të vendoset edhe për moskrijimin e provigjoneve të nevojshme teknike dhe për mosderdhjen e kontributeve që lidhen me fondin e kompensimit.

Qeveria: Ligji i ri rrit dëmshpërblimet dhe përmirëson procedurat

Në relacionin zyrtar për Kuvendin, qeveria shqiptare argumenton se projektligji i sigurimit të detyrueshëm synon t’i japë zgjidhje problemeve të hasura gjatë zbatimit të tij, përafrimin e mëtejshëm me direktivat evropiane, përshtatjen me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të sigurimeve, si dhe të drejtën për të aplikuar sistemin Bonus-Malus.

Sipas qeverisë, projektligji ka si qëllim rritjen e masës së dëmshpërblimit dhe përmirësimin e procedurave dhe afateve e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit, në mënyrë që të shmangen problematikat dhe rastet abuzive që janë hasur deri më sot. Objektiv tjetër është ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim nga ana e kompanive, me qëllim bërjen më eficiente të veprimtarisë së tyre.

Qeveria veçon si risi të rëndësishme parashikimin e të drejtës së shoqërisë së sigurimit për të përcaktuar tarifat e primit të sigurimit, duke marrë parasysh faktorët e riskut, një ndër të cilët
mund të jetë sistemi bonus-malus, i cili përfaqëson një sistem efiçent tarifimi, i cili pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve.

Gjithashtu, projektligji synon të zgjidhë problematikat e deritanishme të Byrosë së Sigurimeve, nëpërmjet riorganizimit tërësor të Byrosë duke e ndarë në dy departamente të pavarura.

Ekspertët skeptikë

Ekspertë të tregut të sigurimeve, shprehen se projektligji i propozuar ka shmangie të mëdha nga ato që kishin qenë rekomandimet e Bankës Botërore në procesin e hartimit të draftit.
Sipas tyre, ndryshimet e bëra nuk reflektojnë rekomandimet, sidomos për limitet e parashikuara të përgjegjësive, që në variantin e miratuar në qeveri janë ulur ndjeshëm. Një aspekt tjetër që projektligji i ri nuk e përmirëson është mënyra e organizimit dhe funksionimit të Fondit të Kompensimit, që do të ngelet si një degë e Byrosë së Sigurimeve.

Ekspertët shprehen skeptikë edhe për faktin se sistemi bonus-malus do të funksionojë siç duhet, nëse aplikimi ngelet në dëshirën e kompanive. Kjo sjell rrezikun që ky sistem të përdoret vetëm për aq sa mund t’iu interesojë kompanive. Për shembull, ato mund të vendosin të përdorin vetëm pjesën e malus, që nënkupton penalizime për drejtuesit që shkaktojnë aksidente, por të mos ofrojnë asnjë bonus për ata drejtues mjetesh që kanë një historik të pastër dëmesh.

Sigurimet e detyrueshme zënë gati 70% të tregut

Ligji ka rëndësi të veçantë, sepse rregullon produktet që përbëjnë edhe kolonën kryesore të tregut shqiptar të sigurimeve. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2020 sigurimet e detyrueshme motorike, përfshi TPL-të kombëtare, kartonin jeshil dhe policat kufitare, sollën prime të shkruara bruto në vlerën e 10.6 miliardë lekë, ose rreth 86 milionë euro.

Primet pësuan një rënie vjetore me 5.55%, të ndikuara nga rënia e kartonit jeshil dhe policës kufitare, për shkak të pakësimit të lëvizjes ndërkufitare të individëve dhe mjeteve. Megjithatë, sigurimet e detyrueshme motorike vazhduan të dominojnë strukturën e primeve, me pothuajse 69% të totalit. Rreth 61% përbëhen pikërisht nga sigurimet e brendshme TPL, që vitin e kaluar e ndien më pak efektin e pandemisë krahasuar me sigurimet e tjera të këtij lloji. Primet nga sigurimet MTPL u rritën me 4% për vitin 2020.

Sigurimet e detyrueshme motorike kanë dominuar historikisht edhe strukturën e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve. Përjashtim bëri vetëm viti 2020, për shkak të volumit të madh të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i fundit të vitit 2019. Vitin e kaluar dëmet nga sigurimet motorike përbënin 39.8% të dëmeve totale, duke u renditur të dytat pas dëmeve të paguara në sigurimin e katastrofave, që zinin 41.6%.

Megjithatë, në vite normale sigurimet e detyrueshme TPL sjellin zakonisht më shumë se gjysmëne dëmeve të paguara nga siguruesit shqiptarë. Për periudhën 2015-2019, dëmet prej tyre përbënin mesatarisht 52.4% të totalit të dëmeve të paguara në sigurimet e jo-jetës.

138 mijë mjete mund të jenë të pasiguruara

Në fund të vitit të kaluar, INSTAT publikoi për herë të parë numrin e automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, që ishin rreth 629 mijë automjete. Shifra e numrit të mjeteve sjell mundësinë për të krijuar një ide rreth problemit të automjeteve të pasiguruara. Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2019 kompanitë e sigurimeve raportuan 491 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.

Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se vetëm 78% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike. 22% e totalit, ose rreth 138 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara.

Shifra është shumë e lartë dhe një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht. Veç atyre që janë të çregjistruara përkohësisht, ajo mund të përfshijë edhe shumë automjete që nuk janë çregjistruar, për shkak të neglizhencës dhe sidomos për të shmangur pagesën e detyrimeve, fenomen që historikisht problematik në Shqipëri. Megjithatë, edhe duke llogaritur këtë faktor, drejtuesit e kompanive të sigurimit pretendojnë se mjetet e pasiguruara janë një problem i madh për tregun dhe numri i tyre mund të jetë rreth 100 mijë.

Mossigurimi i mjeteve është shqetësim i madh për siguruesit. Jo vetëm për shkak të të ardhurave të munguara nga sigurimet TPL, por edhe për shkak të dëmeve që këto mjete mund të shkaktojnë. Sipas ligjit, pagesa e dëmeve nga mjetet e pasiguruara është detyrim i Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, që financohet direkt nga kompanitë e sigurimeve. Që nga fillimi i vitit 2016, Fondi ka paguar rreth 25 milionë euro dëme, një pjesë e madhe e të cilave ishin të bartura prej vitesh.

Byroja e Sigurimeve ka të drejtë të ngrejë në vijim padi regresi ndaj përgjegjësve të aksidenteve, për të kërkuar shumën e dëmit të shkaktuar. Rimarrja e dëmeve nga shkaktarët e aksidenteve është një proces i vështirë, për shkak të funksionimit të ngadaltë të proceseve gjyqësore, por edhe sepse në shumë raste, shkaktarët e dëmeve ngelen të paidentifikuar.

Për këtë arsye, drejtuesit e kompanive të sigurimit kërkojnë gjetjen e mekanizmave më efikasë për të garantuar sigurimin e mjeteve sipas ligjit. Një nga propozimet e fundit është që mjetet të cilat nuk përtërijnë policën e sigurimit, brenda një afati të caktuar, të gjobiten dhe të çregjistrohen automatikisht nga sistemet e DPSHTRR. Propozimi është përcjellë zyrtarisht si ndryshim në Kodin Rrugor dhe siguruesit janë në pritje të një përgjigjeje nga qeveria shqiptare.

Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Russian Today/ "Tregu po bëhet gjithnjë e më nervoz..."

Shpërthimi i ri i Covid në Evropë kërcënon naftën