MENU
klinika

Dy kryebashkiakët që japin dorëheqjen

Prapaskenat me listën e PS/ Në pikëpyetje ‘senatorët’, si bëhet renditja e emrave!

08.03.2021 - 09:57

Kryeministri Rama ka vendosur të rinovojë skuadrën e tij të deputetëve, duke lënë jashtë kandidimit “senatorët” e Partisë Socialiste.

Emra të njohur të së majtës, deputetë me disa mandate, ish-ministra, deputetë që kanë qenë vazhdimisht në pozicione fituese, pritet ose të mos jenë në listën fituese të kandidatëve, ose të mbeten përfundimisht jashtë saj. Kjo shpjegon edhe fenomenin e pandodhur në zgjedhjet e mëparshme, atë të dorëheqjeve të deputetëve aktualë nga rikandidimi, edhe pse fluksi i atyre që aspirojnë për t’u bërë deputetë është mjaft i madh.

Nuk dihet se sa përjashtimi i tyre nga lista e kandidatëve do të ndikojë negativisht në angazhimin e strukturave në këto zgjedhje. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë në diskutime deri në orët e vona të mbrëmjes me drejtuesit politikë të PS në qarqe, për t’i dhënë dorën e fundit listës së kandidatëve. Sot në orën 18:00 Rama do të mbledhë kryesinë e Partisë Socialiste, e cila do të miratojë listën e kandidatëve për deputetë para se t’i dërgohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mësohet se Kryeministri Rama po kërkon të bëjë një balancim më të mirë të emrave në disa zona përballë PD dhe LSI, veçanërisht në Tiranë, por dhe në Vlorë, Dibër, Durrës dhe Korçë.

Me drejtuesit politikë në qarqe, Rama ka analizuar emër për emër dhe zonë për zonë si dalin në përballjen me kandidatët e opozitës. Për këtë arsye, mësohet se Eduard Shalsi ka lënë qarkun e Korçës dhe do të jetë pjesë e listës së Tiranës, duke u zëvendësuar me Blerina Gjylametin.

Sot pritet të japin dorëheqjen dhe dy kryebashkiakë, Dritan Leli i Vlorës dhe Dionis Imeraj, kreu i Bashkisë së Peshkopisë. Ata do të bëhen pjesë e listës së PS-së në këto qarqe, ndërsa bashkitë ku ata janë zgjedhur do të drejtohen nga nënkryetarët e tyre. Mësohet po ashtu se Elona Gjebrea nuk është e sigurt nëse do të jetë pjesë e listës së PS-së, ndërsa pozicioni në listën e Tiranës është ende në diskutim për ministrin e Diasporës, Pandeli Majko dhe ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

PROPOZIMET

Kryeministri Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë në qarqe objektivin elektoral që Partia Socialiste mund të marrë në secilin prej tyre. Pasi kanë argumentuar objektivin, se sa deputetë mund të marrë PS-ja në çdo qark, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë që t’i propozojnë atij listën e kandidatëve për deputetë, me të cilën kërkojnë të arrijnë këtë objektiv, pa ua imponuar ai vetë emrat e kandidatëve.

Burime nga shtabi elektoral i PS-së thanë se drejtuesit politikë janë vendosur para presionit të rezultatit që duhet ta arrijnë përmes kandidatëve me integritet dhe me mbështetje në zonat respektive.

Diskutime të gjata janë bërë edhe për kryesuesin e listës së kandidatëve, i cili nuk do të jetë drejtuesi politik i qarkut, por një emër publik, i vlerësuar dhe me reputacion të mirë në atë qark. Drejtuesit politikë të PS-së mësohet se nuk do të jenë në tre emrat e parë, por në fund të listës fituese.

Kryeministri Rama tha pak ditë më parë se lista e Tiranës do të kryesohet nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, por dje është diskutuar edhe mundësia e kryesimit të kësaj liste nga inxhinieria Luljeta Bozo. Listës së Tiranës i është shtuar edhe zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko. Edhe për shkak të përfaqësimit gjinor në listë, ministret Belinda Balluku, Etilda Gjonaj dhe Ogerta Manastirliu, pritet të zënë 10 vendet e para në renditjen e kandidatëve për qarkun e Tiranës. Por mësohet se pas dorëheqjes së Reme Lalës, socialistët pritet të kandidojnë në zonën e Paskuqanit deputetin e opozitës se re, Halit Valteri.

Burime thanë se Valteri ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit nga Partia Socialiste, por ende nuk dihet se në cilën zonë do të mbulojë dhe çfarë pozicioni do të zërë në listën e kandidatëve.

Në fillim të javës, deputetja Vasilika Hysi njoftoi tërheqjen e saj për një rikandidim tjetër pas 12 viteve në Parlamentin e Shqipërisë. Po ashtu, dorëheqje dhanë dhe deputetët Besnik Bare dhe Sadi Vorpsi, ndërsa me shumë gjasa nuk do të rikandidojë deputeti aktual Sadri Abazi. Ndërsa listës së PS, të paktën për qarkun e Tiranës, aty ku pritet të merret dhe numri më i madh i deputetëve, i shtohen inxhinieria Luljeta Bozo, mjekja Najada Çomo, ministret Belinda Balluku dhe Elva Margariti, kreu i AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zv.ministrat Etjen Xhafaj dhe Romina Kuko, por dhe prefekti Toni Gogu dhe drejtoresha e IKMTI-së, Dallëndyshe Bici.