MENU
klinika

“Sillni prova që të bëhet zëvendësimi i masës”

Pse gjykata e Posaçme nuk e liroi Enkeleida Hoxhën?

10.03.2021 - 09:54

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdon të qëndrojë e ‘palëvizur’ në vendimin ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar për korrupsion. Ditën e djeshme, Shkalla e Parë shqyrtoi kërkesën për ndryshim masë sigurie të bërë nga gjyqtarja Hoxha. Kjo e fundit kërkoi që ndaj saj të caktohet masë sigurie “Arrest në shtëpi” për shkak të problemeve familjare.

Gjatë zhvillimit të seancës, avokati i gjyqtares, Ardian Visha, ka paraqitur si provë një dokument që vërteton se vajza e mitur e Enkeleida Hoxhës nuk ka shkuar në shkollë që në momentin që është arrestuar e ëma. Ndërsa gjendja shëndetësore e djalit, që është autik, është përkeqësuar që pas arrestimit të gjyqtares Hoxha.

Mbrojtja i ka kërkuar gjyqtares Etleva Deda që të caktohet një ekspert për të përcaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të djalit të Enkeleida Hoxhës. Por të gjitha kërkesat e paraqitura nga mbrojtja janë rrëzuar nga Deda.

Gjykata e Posaçme ka kërkuar që të paraqiten të gjitha provat nga ana e mbrojtjes, në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i masës së sigurisë. Enkeleida Hoxha u prangos në 11 shkurt në sallën e gjyqit në Krujë me urdhër të SPAK. Ajo akuzohet së bashku me 9 persona të tjerë për korrupsion. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, gjyqtarja Hoxha, në bashkëpunim me avokatin Aldo Tabaku dhe sekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuci, merrnin para për të liruar nga burgu persona të dënuar.

KËRKESA NË GJYKATË

Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”. Nëpërmjet kërkesës që ajo e ka dorëzuar në Gjykatë disa ditë më parë, gjyqtarja e arrestuar për korrupsion është shprehur se fëmijët e saj ndodhen në një gjendje jo të mirë dhe se për këtë ndaj saj duhet të zbutet masa e sigurisë.

“Gjendja shëndetësore e djalit tim është rënduar. Ai ka nevojë për kujdesin tim. Vajza e mitur ka braktisur shkollën që pas arrestimit tim”, thuhet në kërkesën e saj. Kërkesa e saj është dorëzuar nga avokati që mbron interesat e gjyqtares Hoxha, Ardian Visha. Në kërkesë thuhej gjithashtu se kolegët e saj duhet të marrin në konsideratë gjendjen e saj familjare dhe ta lënë të paktën në “Arrest shtëpiak”. Kjo masë, sipas saj, do të shërbente që të qëndronte pranë djalit të vetëm që është i prekur nga një formë e rëndë e autizmit. Gjithashtu, në argumentet e saj, gjyqtarja theksonte se prindërit janë të moshuar, (babai i vuan nga sëmundja e Parkinsonit), dhe se nuk mund të kujdesen dot për të dy fëmijët.

Kërkesa për lirimin nga burgu u bë një ditë pasi gjyqtarja doli para Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku u shqyrtua dosja e saj, ndërsa seanca është shtyrë për në datën 11 mars. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga divorci, tek fëmija me një prokuror e lidhja “intime” me avokatin

Vetëshkatërrimi i një gjyqtareje që liroi nga burgu gjithë “të fortët”

“Fëmijët kanë nevojë për mua”

Gjyqtarja e arrestuar për korrupsion kërkon lirinë