MENU
klinika

Nga Ylli Pata/ Arsyet e provokimeve breshëri në Elbasan

Pse Lulzim Basha riaktivizoi planin e 2009-s, kur drejtonte Qarkun?!

19.03.2021 - 11:51

Tensionet politike që po ndodhin ditë për ditë në Elbasan, nuk janë aspak zhvillime që vijnë nga poshtë, pra nga baza e lojtarëve në fushë.

Është një strategji e qartë dhe e studiuar me kujdes, duke e kthyer përplasjen si një manovër elektorale.

Që prej “Ditës së Verës”, kur dhe ndodhi përplasja e parë, u pa se Qarku i Elbasanit nuk do të jetë i qetë dhe çdo ditë kemi pasur episode të përshkallëzuara.

Që janë troç dhe fare qartazi, provokime të njëpasnjëshme të elementëve të opozitës, që sipas gjasave, do ta thellojnë më tej.

Lulzim Basha, në Elbasan nuk po praktikon në fakt një taktikë e re, thjesht po përsërit veten e vitit 2009, kur ishte drejtues politik i PD-së për Qarkun dhe ja arriti të sigurojë rezultatin më të mirë të së djathtës në vite; duke dalë barazim 7 deputetë PS-ja e 7 deputetë PD-ja.

Elbasani është një Qark historikisht që ka votuar të majtën në vite.

Në vitin 2011, Partia Demokratike nuk arriti dot të fitojë Bashkinë, edhe pse ishte në koalicion me LSI-në dhe paraqiti një kandidat të majtë si i ndjeri Durim Hushi.

PD ka pasur Bashkinë e Elbasanit vetëm në vitet 90 me Engjëll Daklin dhe në vitin 2000 kur fitoi Ardian Turku, fitore që erdhi si pasojë e fuqisë personale të kandidatëve.

Në vitin 2009, ku PD kërkonte mandatin e dytë, Lulzim Basha zbatoi të njëjtën taktike, duke tensionuar situatën dhe përdorur të burgosurit e burgut të Peqinit, që ju dhanë leje të posaçme, për të ndikuar në votime.

Ekzistojnë kabllograme të Ambasadës amerikane në Tiranë, që më pas rrodhën nga Wikileaks, që e vërtetojnë këtë.

Jo më kot, Basha ka dërguar atje njeriun më afërt të tij në PD, Gazmend Bardhin, për të rizbatuar planin e 2009-s.

Por si është situata realisht? Qarku i Elbasanit ka 14 deputetë. Partia Socialiste vjen nga zgjedhjet e 2017-s me 7 deputetë dhe ka si objektiv të sajin mandatin e 8.

PD-ja mori 3 mandate para 4 vjetësh, LSI mori 2 dhe PDIU-ja ka marrë 2; ku dolën deputetë Aqif Rakipi dhe Bujar Muça.

I pari, sot është rreshtuar politikisht me PS-në, i dyti është pranë Shpëtim Idrizit, pra me koalicionin e PD-së.

Partia Demokratike po lufton që bjerrjen e LSI-së ta përfitojë ajo, duke marrë 2 deputetët e saj dhe duke sulmuar në territor edhe zonën influente të Aqif Rakipit, që është Peqini.

Ndaj ka rikthyer në zonë ish-deputetin Dashnor Sula, që ka qenë drejtues i ekipit të futbollit të Peqinit, i cili ka edhe lidhje familjare me Rakipin.

Rasti i 2009-s, kur Basha arriti barazimin pati një angazhim të fortë të pushtetit për të ndikuar votën me mjete ekstrapolitike, ku u përfshinë edhe mjetet e ushtrisë për të asfaltuar me vrap rrugë fshatrash në Peqin etj, që sot është shumë i vështirë për t’u arritur.

Bashkitë e Qarkut të Elbasanit: Gramshi, Librazhdi Përrenjasi, Belshi, vetë Elbasani janë historikisht të majta.

Rikthimi i Sulës në Peqin, nuk ka gjasa të përmbysë influencën e Aqif Rakipit.

Cërriku është e vetmja Bashki që është drejtuar nga LSI, ku dhe lufton Monika Kryemadhi për të rimarrë mandatin, por që duket mjaft e vështirë.

Shumë njerëz të njohur të LSI-së në Qark tashmë kanë kaluar me PS-në, ndaj dhe u cilësuan si të “inkriminuar” nga Gazmend Bardhi në incidentin e “Ditës së Verës”. Kur ishin me LSI-në ata nuk ishin ashtu, por tani po.

Megjithatë, edhe incidenti i Luçiano Boçit me Gjergj Lucën, i cili ka një biznes shumë të suksesshëm në Labinot, ku ka punësuar një numër të madh punonjësish që tajtohen e paguhen mirë, synon pikërisht që të trembë punonjësit e biznesit, që është më shumë një komunitet social, se një koorporatë e sipërmarrësit të njohur.

Luca nuk është nga Elbasani, si dhe nuk është i përfshirë direkt në politikë, përveç përkrahjes që i ka dhënë disa herë në publik Edi Ramës.

Por, influenca e tij tek punonjësit me të cilët ka marrëdhënie të mira, ka shtyrë Boçin, që është i deleguar në atë zone, që të provokojë hapur, siç e tregojnë edhe pamjet filmike të transmetuara nga gazeta TemA.

Kësaj panorame i shtohet edhe gjuha e egër e Aurel Bylykbashit, i cili nuk është në listën e deputetëve, por që ka bërë të ditur se Basha i ka premtuar se do të kandidojë për Bashkinë.

Bylykbashi ka kërcënuar direkt Taulant Ballën me “gjakmarrje personale”, duke i thënë se “burgun që bëra e kam nga ti”.

Në vitin 2019, Bylykbashi u arrestua si i akuzuar për pengim të dhunshëm të eskortës së kryeministrit në rrugën e Librazhdit.

Bylykbashi u arrestua edhe njëherë tjetër pasi deklaroi se do të ketë luftë.

“Ka vëllavrasje, ka luftë civile? Le të ketë!! Patjetër që le të ketë, ne nuk kthehemi mbrapa sepse nuk do të bëjmë gabimin që bënë gjyshërit tanë në 1944!!

Dhe të ngelemi peng dhe për 50 vjet të tjera.

Nëqoftëse demokracia rrezikohet, liria rrezikohet në këtë vend dhe do trupat tanë për ta mbrojtur, jemi gati”, tha ai para zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Pra nuk kemi të bëjmë me një incident, por disa të tillë të përsëritur.

Nuk ka një person, por disa dhe që janë drejtues politikë të PD-së, që synojnë provokimin në Elbasan.

Që edhe nëse nuk arrijnë një rezultat të mirë, sebepin për humbjen e kanë në xhep.

Nëse PD do të ishte e bindur se ka mbështetjen e njerëzve në Elbasan, ajo thjesht do të priste votimin qetësisht….

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përse Basha nuk e ka vendosur në program?!

Ylli Pata: “Çështja çame” e 25 prillit si parodi


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin