16.03.2021 - 20:04
Kryeministri Edi Rama i ka bërë disa herë thirrje Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë atje, se meqënëse Shqipëria është më përpara me procesin e vaksinimit, të ndihmojë edhe vëllezërit fqinj.
Mirëpo deri më tani në vendin tonë nuk ka ardhur asnjë mjek apo infermier i Kosovës për t’u vaksinuar. Sot MSH atje ka dhënë dhe tre arsyet se pse kjo gjë ende nuk ka ndodhur, duke theksuar se për asnjë moment nuk e kanë refuzuar thirrjen simbolike të Shqipërisë.
Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka deklaruar se nuk kanë marrë shkresë zyrtare për vaksinimin e personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri dhe se listën e personelit mjekësor që duan në mënyrë vullnetare të vaksinohen në Shqipëri ende nuk e kanë marrë nga SHSKUK dhe IKSHPK. Arsyeja tjetër është se Kosova dhe MSH kanë planin e tyre të vaksinimit brenda territorit.