Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim, i bëri thirje dje forcave politike, që të kundërshtonin publikisht rikandidimin e deputetit Tom Doshi në zgjedhjet e 25 Prillit. Por ndërsa deklarata e saj u pa gjerësisht si një referencë ndaj Partisë socialiste, sipas kryeministrit Edi Rama, thirrja e ambasadores Kim nuk ka të bëjë me partinë që ai drejton.
Në përgjigje të interesimit të “Zërit të Amerikës”, Endri Fuga, drejtor i Komunikimit i kryeministrit Rama, tha se “ambasadorja Kim e ka bërë më parë shumë të qartë me gojën e saj, qëndrimin e Kryeministrit, se Tom Doshi as nuk është aleat i Partisë Socialiste dhe as do të jetë pjesë e qeverise së re të Partisë Socialiste! Kështu që ne – theksoi zoti Fuga – nuk e lexojmë mesazhin e ambasadores Kim si një thirrje për PS e as marrim përsipër të flasim në emër të shumë partive të tjera, të cilat nuk janë prononcuar për rastin në fjalë”.
Në postimin e saj në Twitter, ndërsa vlerësonte qëndrimin e Partisë Demokratike, ambasadorja Kim ngrinte pyetje ndaj forcave të tjera politike se përse ato heshtnin. Ajo nuk e përmendi me emër Partinë Socialiste, në Twitter-in e saj. Por në një intervistë të dhënë po mbrëmë për televzionin ABC NEWS ambasadorja amerikane shprehej se “dëshironte të shihte që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë”, sa Partia Demokratike, në qëndrimin ndaj Tom Doshit, të cilit që prej vitit 2018 i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, me një vendim të Sekretarit amerikane të Shtetit.
Megjithatë, në reagimin e tij, Fuga thotë se “mes Partise Socialiste dhe Shteteve te Bashkuara, si edhe mes Kryeministrit Rama dhe ambasadores Kim, nuk ka asnje dallim as për këtë çështje dhe as për asnjë çështje që është në interes të marrëdhënies së shkëlqyer mes nesh e aleateve tanë strategjikë”./ VOA