MENU
klinika

“Deri tani, asnjë efekt anësor në vend nga Astrazeneca”

Rama-Manastirliu: Presim rekomandimet e EMA dhe OBSH

16.03.2021 - 18:38

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në qytetin e Durrësit.

“Edhe në Durrës vaksinimi i mësuesve po ecën shumë mirë. Në të gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla deri tani ku është hapur procesi i vaksinimit. Ka patur pak hezitim po është kapërcyer, pasi ekspertët e kanë shpjeguar se të gjitha vendimet do të jenë të bazuara në rekomandimet e OBSH dhe EMA”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën në dinamikë.

“Ne po tregohemi të kujdesshëm, Komiteti i Vaksinimit do të mblidhet periodikisht, për të vlerësuar situatën, por ne do të presim vendimin e OBSH-së dhe EMA-s”, theksoi Manastirliu.

 

 

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, tha se nuk ka të dhëna shkencore që konfirmojnë lidhjen shkak-pasojë, në lidhje me efektet e vaksinës AstraZeneca.

“Edhe Agjencia Rregullatore e Mbretërisë së Bashkuar, që është një agjenci tepër strikte dhe që ka administruar me miliona doza apo agjencitë rregullatore të Kanadasë dhe Australisë që po e lejojnë vijimin e vaksinimit, janë agjenci të cilat japin një lloj sigurie më shumë. Por edhe gjatë procesit në vend, që nga e shtuna dhe deri tani, procesi ka ecur mirë, nuk ka pasur efekte anësore. Natyrisht që ka një lloj hezitimi nga gjithë publikimet që bëhen në media”, theksoi Bino.

Kryeministri Edi Rama ka nënvizuar se procesi vaksinimit nëpërmjet vaksinave të AstraZeneca po vijon në shumë vende të tjera.

“Nuk kanë asnjë faj njerëzit që shqetësohen nga lloj-lloj lajmesh dhe lloj-lloj lëvizjesh që mund të kenë 1001 arsye. Kjo është lutë e madhe për jetën por është edhe luftë e madhe tregtare. Nuk e kanë ndërperërë vaksinimin, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmaur sot prapë që do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë evidencë shkecore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjeshtë për një dyshim që lidhet me një seri tjetër dhe të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, po presin konfirmimin e OBSH dhe të EMA, që deri tani ka konfirmuar vetëm vlerën e vaksinës dhe kur të thonë ndalojni do e ndalojmë. Madje sot po flisja me Londrën, aty janë bërë miliona vaksina AstraZeneca dhe s’ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjensia Britanike ka rikonfirmuar dhe vazhdon vaksinimin”, tha Kryeministri Edi Rama.

Deri tani në vendin tonë janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim. Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.