Kryeministri Edi Rama, në një takim në qytetin e Durrësit, prezantoi kandidatët për deputetë të këtij qarku.
Ai e nisi prezantimin me ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe doktoreshën Klodi, për të cilën tha se është shumë e nderuar në komunitet. Po ashtu ai u ndal dhe tek Lefter Koka, për të cilin, u shpreh se ka kaluar në një fazë të gjatë ndarje-bashkimi, mes LSI dhe PS, por sot është i gatshëm të kontribuojë për këtë të fundit.
“Dy mike, kolege dhe zonja të mirënjohura dhe të nderuara jo vetëm nga qytetarët e Durrësit por nga i gjithë opinioni publik,. Nga njëra anë Milvën, ministren aktuale të Bujqësisë, karriera e së cilës që ska nevojë për koment. Nga ana tjetër Klodin, doktoreshën tonë që është një model qytetar, profesionist dhe aktivist. Klodi ka bërë një hap të madh dhe jo dhe aq të lehtë në kohën që është përfshirë në skuadrën tonë herën e parë.
Ka lënë profesionin, për të përfaqësuar këtë komunitet dhe ajo çka është e admirueshme tek Klodi është se deri më sot në kaq vite që kontribuon me kaq pasion, me atë pjesë të aktivitetit të parlamentit ku ajo ka rolin e saj, asnjëherë se kam dëgjuar të kërkojë çfarëdoqoftë për vete, por e kam dëgjuar të këmbëngul për çështje që lidhen me ecurinë e shëndetësisë dhe halle me probleme që lidhen me komunitetin këtu, por edhe me njerëz që kanë pasur nevojë për kujës. Në këtë skuadër, përveç, Milvës dhe Klodit, kemi dhe Anën, ajo ka qenë një aktiviste e skuadrës sonë këtu në Durrës, vijimsisht, pasi është kthyer nga jashtë ajo është angazhuar dhe ka qenë pjesë e skuadrës së vitit 2017. Pa kërkuar asnjëherë asgjë, më shumë se sa mundësinë për të kontribuar, kemi Kejdën.
E nisa nga gjysma më e mirë, e çdo situata kur flitet për burra dhe për gra, sepse gratë dhe vajzat janë gjysma më e mirë e kësaj shoqërie, ashtu sikundër gratë, motrat, janë gjysma më e mirë e një familje. Ne këtu jemi së bashku, me disa deputetë të cilët janë përsëri në skuadrën tonë dhe që përfaqësojnë pikërisht angazhimin me komunitetin, atë që është një karakteristikë që normalisht të gjithë duhet ta kenë në lartësinë e duhur, që marrëdhënia me njerëzit nuk shihet në fushatë dhe mbaron kur mbarojnë zgjedhjet. Ajo duhet të jetë e përditshme dhe në këtë aspekt jam i kënaqur me punën e tyre, kontributin e tyre, që kanë bërë që qoftë në bashkinë e Krujës dhe Shijakut të kemi njerëz të përkushtuar. Më vjen mirë që në skuadrën tonë bashkohen dy durrsakë, që janë të njohur.
Albani do të jetë një vlerë e shtuar në grupin e ekonomisë dhe financave në parlament. Ai nuk ka kërkuar gjë për shtetin, por ka qenë vijimisht dikush që dijet dhe aftësitë e tij i ka vendosur në dispozicion të profesionit dhe përmes kësaj ka arritur sukses tek njerëzit. Sigurisht që na ka ndihmuar në të shkuarën me mendimet e tij, opinionet, për klimën e biznesit, marrëdhëniet biznes administratë. Kemi dhe Terin (I referohet Lefter Kokës), s’ka nevojë për prezantim. Kjo për Terin është një rikthim në shtëpi, ndarje, bashkimi mes nesh mes PS dhe LSI ka pasur disa njerëz që kanë qenë ura dhe hendeqe, kanë qenë vijimësisht të interesuar për të qenë përbashkues dhe jo përçarës dhe mbi të gjitha njerëz që ku gjërat kanë shkuar keq nuk janë bërë zëdhënës të së keqes. LSI ka ribërë atë që ka bërë disa herë. Kështu që skuadra jonë është një skuadër që ka mesazhe të qarta për të gjithë kategoritë, është një skuadër që flet shumë fort dhe bindshëm grave dhe vajzave të Durrësit, Krujës dhe Shijakut”, tha kryeministri.