Kryeministri Edi Rama thotë se i ka dëgjuar dhe i di mirë që qytetarët dhe bizneset kanë pakënaëqesi lidhur me shërbimet që marrin nga shteti dhe administrata publike.
“I dëgjoj mirë! I dëgjoj pa pushim, sepse ndjek me vëmendje sa herë që jam në makinë kryesisht, por edhe në ndonjë moment kur kam pak kohë të lirë komentet tuaja, reagimet tuaja në faqet e mia sociale dhe padiskutim edhe opinionet tuaja në fokusgrupet dhe anketimet tona të opinionit publik.
E ndesh shpesh pakënaqësinë tuaj, padurimin tuaj, ndjenjën e mungesës së një optimizmi për atë që vjen, por nga ana tjetër kam përshtypjen, përshtypjen e plotë, bindëse se kur me shumë të drejtë padiskutim, ju kërkoni më shumë, ju doni më shumë, patjetër meritoni më shumë, harroni se nga jemi nisur”, tha Rama në fjalën e tij teksa prezantoi programin e PS për shërbimet, në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit.
Por kritikëve, Rama u bën një ftesë t’i thërrasin kujtesës, teksa sjell në vëmendje sportelet dhe radhët e gjata për të marrë një dokument apo për të paguar një shërbim.
“Harroni se sa shumë është bërë në çdo drejtim dhe sa shumë gjërat kanë ndryshuar. Madje kam përshtypjen se gjërat kanë ndryshuar kaq shumë sa që një e shkuar shumë e aftërt, shumëkujt i ngjan një histori shumë e largët.
Por nuk ishte 70 vjet më parë, nuk ishte as 27 vjet më parë, ishte vetëm deri 7 vjet më parë koha kur të gjithë ju, çdonjëri prej jush për të marrë një copë letër çfarëdoqoftë që nga një certifikatë e zakonshme familjare te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në radhë, apo e keni harruar“.
Në këto sportele thekson Rama kishte korrupsion e rryshfet, por pranon se ende sot, ka jo pak njerëz që duhet të shkojnë në sportele për të marrë një shërbim.
“Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.
Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.
A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje – shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.
Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.
A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.
Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.
1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh.
95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë“, u shpreh Rama.