Gjatë gjithë vitit të pandemisë, të gjithë ata që e kanë kaluar SarsCov2 kanë qenë në dyshim, a do të ishin të mbrojtur pasi ja kanë “hedhur” virusit.
Në fakt ka një lajm të mirë dhe shumë inkurajues. Një nga publikimet shkencore të “Rockefeller University” i ditëve të fundit ka prova të qarta se sistemi imunitar siguron një mbrojtje afatgjatë pas shërimit nga COVID-19.
Ata që shërohen nga COVID-19 mbrohen nga virusi për të paktën gjashtë muaj dhe me gjasë shumë më gjatë.
Publikimet e botuara në revistën Nature, tregojnë se ka prova të forta, se sistemi imunitar “kujton dhe njeh” virusin, po ashtu vazhdon të përmirësojë cilësinë e antitrupave edhe pasi infeksioni ka kaluar.
Antitrupat e prodhuar muaj pas infektimit treguan një aftësi të shtuar për të bllokuar SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij siç është varianti i Afrikës së Jugut.
Për të folur në lidhje me këtë studim ishte i ftuar në “Wake Up”, drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.
“Janë lajme të mira shkencore, të provuara që tregojnë se imuniteti jonë edhe pasi nuk kemi antitrupa jemi të mbrojtur për një kohë të gjatë, ose jemi të gatshëm.
Pas infektimit, të çdo njëri nga ne bëhet prodhimi i antitrupave dhe me kalimin e infeksionit, me disa javë ose disa muaj, antitrupat qëndrojnë. Pastaj, deri në 2-3 muaj fillon dhe zbritja e tyre.
Është parë nga studimet edhe më parë, që janë bërë që nga viti i kaluar që 6-8 muaj maksimumi, por 6 muaj kryesisht kapen antitrupat në plazmën tonë. Pas 6-8 muajsh nuk ke mundësi t’i kapësh nëpërmjet analizave të gjakut, por nuk është e thënë që nuk e ke më imunitetin”, theksoi Brataj.