MENU
klinika

Ka fituar vetëm 1 herë në miqësore

San Marino-Shqipëri, kuqezinjtë përballë ekipit më modest në botë

30.03.2021 - 15:38

Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e tretë në fushatën kualifikuese për Botërorin 2022. Kuqezinjtë do të kenë përballë në transfertë rivalin më modest në botë, San Marinon. Kjo skuadër renditet e 210 sipas FIFA-s, e fundit nga të gjitha kombëtaret në botë.

Një vend me sipërfaqe prej 61.2 km katrorë dhe me një popullsi prej 33 e 600 banorë, është shteti i katërt më i vogël në planetin tonë. Në historikun e ndeshjeve të kombëtares, San Marino ka marrë dy barazime gjatë fushatave kualifikuese të Botërorit, 0-0 më 1993 ndaj Turqisë në shtëpi dhe 1-1 kundër Letonisë në transfertë në vitin 2001.

Më vonë janë 3 barazime kualifikuese Europiani dhe në Ligën e kombeve, të 3 në barazim pa gola, kundër skuadrave modeste Estoni, Lihtenshtejn dhe Gjibraltar. San Marino nuk ka fituar asnjë ndeshje zyrtare dhe ato pak barazime që ka marrë i ka pa gola. Fitoren e vetme e ka në ndeshje miqësore përballë Lihtenshtejnit 1-0 në vitin 2004.

Edhe në dy ndeshjet e para të këtyre eliminatoreve, San Marino nuk shënoi asnjë gol, ndërsa ka pësuar tetë të tillë. Ndaj Shqipërisë, San Marino ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, të dyja të humbura 0-3. E thënë ndryshe, fitorja e kuqezinjve nesër është detyrë, madje kërkohen shumë gola, pavarësisht se kush luan.

Një sukses i pritshëm ndaj San Marinos, ngjit Shqipërinë në kuotën e gjashtë pikëve, çka provizorisht mund të ishte e treta në grup, duke e marrë si fakt të kryer fitoren e Hungarisë me Andorrën dhe që Polonia nuk fiton në Angli. Megjithatë, çdo barazim i rivalëve është në favor të kuqezinjve, por gjithnjë duke bërë detyrën ndaj San Marinos.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN