MENU
klinika

Afati i fundit për korrigjimin e listës së kandidatëve për deputetë

Sekretari i PD zbulon se çdo ndodh me emrat: Do respektojmë…

15.03.2021 - 12:10

Sot përfundon afati i korrigjimit të listave me kandidatët për partitë politike dhe koalicionet që më 8 mars nuk kishin zbatuar saktë dispozitat e Kodit Zgjedhor.

Më 11 mars Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, në seancën publike vendosi kthimin për korrigjim të dokumentacionit të listave shumemërore të kandidatëve për 6 parti dhe koalicione, pasi i kanë plotësua gabim. Mes tyre ishte edhe Partia Socialiste si dhe koalicioni i Partisë Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim. Në rastin e PD-së, arsyeja e kthimit të listave ishte pasi janë dërguar më shumë kandidatë seç duhet, si dhe nuk është respektuar kuota gjinore nga kjo forcë në Tiranë dhe Korçë.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, la të hapur mundësinë e korrigjimit të listës fillestare me kandidatët e PD-së, kur tha se çdo ndryshim do të bëhet konform ligjit dhe duke respektuar vullnetin e organeve më të rëndësishme në PD.

“Nuk është ky qëllimi i legjislatorit në momentin që ka parashikuar të drejtën dhe kompetencën e KQZ që t’u kthejë për plotësim subjekteve zgjedhore listat shumemërore të kandidatëve. Parregullsitë kanë të bëjnë me dokumentacionin shoqërues dhe me respektimin e kuotave gjinore. Por lista që do dërgohet do të respektojë jo vetëm vullnetin e organeve më të larta vendimmarrëse të PDsë dhe të koalicionit, por të gjitha detyrimet që përcakton Kodi Zgjedhor dhe vendimmarrja e KQZ-së. Të gjitha rregullimet do të kryhen konform vendimmarrjes së KQZ-së dhe të jeni të sigurtë që vullneti i shprehur nga Kryesia e PD-së dhe Këshilli Kombëtar, por edhe vullneti aleatëve do të respektohet plotësisht”, tha Kaso.

LISTAT

Sekretari për çështjet zgjedhore u shpreh se lista e PD-së u kthye për shkak të disa problemeve teknike, të cilat duke qenë se kishte volum dokumentesh, ishin plotësuar gabim. Por ndërkohë ai shtoi se afati 5- ditor i ka shërbyer edhe KQZ për të bërë verifikimin e pastërtisë së figurës.

“KQZ i ka kthyer listat të gjithë subjekteve që ishin paraqitur, të cilat për shkak të dokumentacionit të madh që kërkohet, kanë problematika lidhur me mospërfshirjen e të gjithë dokumentacionit të kërkuar. Për këto probleme Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat kohor për t’u dhënë mundësi subjekteve që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që KQZ-ja të procedojë me regjistrimin final. Kjo kohë i nevojitet edhe KQZ-së për të bërë verifikimin e nevojshëm për sa i përket pastërtisë së figurës së kandidatëve. Brenda afatit kohor të përcaktuar, koalicioni i Partisë Demokratike do të marrë të gjitha masat që dokumentacioni shoqërues që do të përcillet në KQZ të jetë në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore dhe të bëhet regjistrimi i kandidatëve”, tha Kaso.

NUMRI I KANDIDATËVE

Dispozita e kufizimit të numrit të kandidatëve në listën shumemërore për çdo qark interpretohet ndryshe nga PD-ja dhe ndryshe nga KQZ-ja. Një nga arsyet e kthimit të listës së PD-së nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ishte numri i kandidatëve në listën e PD (213), ndërkohë që sipas KQZ-së, numri maksimal i lejuar është 153. Kaso flet i bindur se Partia që ai përfaqëson e ka lexuar drejt dispozitën e kodit.

“Nuk ka asnjë qark në të cilin të ketë një numër më të madh kandidatësh sesa ai i lejuar. Ka një lexim të ndryshëm të dispozitës ligjore nga Koalicioni që ka depozituar listën dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Divergjencë e leximit të ligjit që shpresoj ta zgjedhim shumë shpejt. Paraqitja e listës bazohet në një dispozitë të qartë ligjore. Kjo dispozitë është lexuar ndryshe nga Koalicioni dhe ndryshe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por të jeni të sigurt se koalicioni do të lexojë deri në momentin e fundit siç duhet ligjin”, tha Kaso.

Ndërkohë, gazeta “Panorama” ka mësuar se në listën që depoziton sot PD-ja në KQZ janë plotësuar dokumentacionet e nevojshme dhe është plotësuar kuota gjinore në Tiranë dhe në Koçë. Ndërsa nuk pritet të ketë ndryshime në renditje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Jozefina Topalli caktohet si drejtuese politike!

Tomorr Alizoti merr vendin e Ervin Salianjit në Elbasan!

Ministri i Financave: Do realizohet paralelisht me…

“Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, nuk do të bëhet këtë vit”

“Kush do të merret me llafe le të merret…”

Zyrtarisht nën hetim nga SPAK, reagon Benet Beci