MENU
klinika

Zbardhet takimi i kryeministrit me zyrtarët e BE në Bruksel

Shqipëria merr notë pozitive për integrimin, Rama kërkon vaksinën!

02.03.2021 - 08:21

Kryeministri Rama mori vlerësime pozitive sa i takon përmbushjes së kritereve për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare nga zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Joseph Borrell, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Rama ishte dje në Bruksel, në kuadër të Këshillit të 11-të Stabilizim-Asocimit. Sipas përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian, Shqipëria po jep rezultate e po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Por, në konferencën e përbashkët për shtyp kreu i qeverisë përsëriti kritikat e tij ndaj Bashkimit Europian për mungesën e vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si tronditës.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Kryeministri Rama u prit nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, i cili shkruan në “Twitter”: “Takim i shkëlqyeshëm me Kryeministrin Edi Rama. Shqipëria po ecën me reformat kryesore në rrugën e pranimit në BE. Prandaj i shpreha mbështetjen e Parlamentit Europian për fillimin sa më parë të Konferencës së Parë Ndërqeveritare. BE-ja është gjithashtu e gatshme të ndihmojë në luftën kundër COVID-19”.

Po ashtu, Kryeministri Rama u prit edhe nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. “Ditë pozitive e produktive në një moment të vështirë për të gjithë, bashkëbisedime të drejtpërdrejta me miqtë tanë në Bruksel dhe vlerësime shumë të mira nga ana e tyre për Shqipërinë”, shkruan Rama pas takimit me Ursula Von Der Leyen.

JOSEPH BORRELL

Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Europian, është një partner i besueshëm për sigurinë dhe në shumë aspekte, shembull për rajonin. Shqipëria në mënyrë konsistente është 100% në përputhshmëri të plotë me vendimet e politikës së BEsë për çështjet e jashtme dhe të sigurisë dhe kjo jep një sinjal të fortë të angazhimit tuaj dhe të përkushtimit për angazhimin dhe anëtarësimin në BE dhe në këtë formë jeni një shembull në Ballkan dhe nuk mund ta themi këtë gjë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian është partneri më i fortë i Shqipërisë dhe ne do vazhdojmë t’ju ndjekim dhe t’ju qëndrojmë përkrah në rrugëtimin tuaj drejt BE-së. Ne ju kemi dhënë dhe do vazhdojmë t’ju japim mbështetje të paprecedentë, si për pasojat pas tërmetit, për COVID-in dhe për rimëkëmbjen.

Këshilli i sotëm ishte një mundësi për ne të kuptonim se si dhe ku jemi në këtë marrëdhënien tonë dhe për zbatimin e reformave të nevojshme, pra, një inventar që ne bëmë. Meqenëse po flasim për reformat, ne përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me axhendën e saj të reformave dhe për rezultatet që janë arritur tashmë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës. Ne dëshirojmë që të vazhdojmë ta përgëzojmë dhe ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë me këto reforma për rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe për faktin se këto reforma janë kyçe për modernizimin e Shqipërisë dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë.

Me shumë kërshëri po presim që të organizojmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të kuadrit negociues dhe në përputhje me kushtet që janë për të organizuar këtë Konferencë të Parë Ndërqeveritare, sipas përfundimeve që janë nxjerrë nga Këshilli i BE-së në mars të vitit 2020, pra, një vit më parë.

EDI RAMA

Më lejoni së pari e mbi të gjitha t’ju them se ne i vlerësojmë shumë përpjekjet e bëra nga komisioneri për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat, ku ne Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit u lanë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi, siç e dinë të gjithë, ne nuk jetojmë në kufi me Bashkimin Europian, por jetojmë brenda Bashkimit Europian, jemi të rrethuar në rajonin tonë nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe duke pasur dhe ne të moshuarit, të sëmurët tanë, njerëzit tanë, të cilët e ndjenë që vaksinat nuk ishin diçka që nuk e meritonin të kishin në të njëjtën kohë me të tjerët, ishte diçka e keqe.

Megjithatë, unë e di, ju të gjithë e dini si shkoi kjo gjë. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion. Sot ka 10 shtete që kanë 70% të prodhimit, kështu që është e vështirë jo vetëm për ne, por dhe shumë vende anëtare të BE-së dhe shpresoj shumë që kjo situatë do të zhbllokohet. Jam i lumtur që dëgjoj prej jush dhe të shpall së bashku me ju që COVAX po nis më në fund t’u japë vendeve dozat e para. Do jemi shumë të lumtur të marrim dërgesën e parë të vaksinës “Astra Zeneca”. Ndërkohë që po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet, edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave.

Së dyti, jam shumë i lumtur të dëgjoj drejtpërdrejtë nga ju këtu, atë çka kemi dëgjuar në rrethana të ndryshme, ndërkohë që theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka që duhej të bënte për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. E di sesi shkojnë gjërat, ne e dimë sesi shkojnë gjërat, mund të ndodhë e mund të mos ndodhë, por më e rëndësishme për ne është që ne e kemi bërë punën tonë. Jemi gjithmonë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse, në këndvështrimin tim, Komisioni është mekanizmi më i lartë vlerësues mbi baza faktike të progresit të një vendi.

OLIVER VARHELYI

Sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta edhe më shumë në numër sesa gjetkë në rajon dhe vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot e megjithatë, sot, ne vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate e po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe duhet ta themi këtë që të jepet një sinjal shumë i qartë, jo vetëm që Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë gjë, por ka dhënë rezultate, qoftë për shtetin e së drejtës, por dhe në fusha të tjera. Pra, duhet ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit, reformën në drejtësi. Këto ishin natyrisht çështjet kyç.

Dua të përsëris edhe atë që është thënë me këtë vlerësim të përbashkët, procesin e vetingut, meqenëse po ecën fuqishëm me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë po ashtu, tashmë kemi arritur aty ku duhet. Pra, nga ana jonë, vlerësimi që ne po u japim vendeve tona anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, në të gjitha kriteret.

Ndërkohë që çështja tjetër për të cilën ne kemi diskutuar është kriza e pandemisë COVID-19. Siç e keni parë në valën e pare, ne u mobilizuam menjëherë dhe sollën mbështetje domethënëse e të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, natyrisht dhe Shqipërisë. Kemi mobilizuar po ashtu, edhe një program shumë të rëndësishëm dhe më erdhi mirë kur dëgjova Kryeministrin Rama që tha se ky është një element shumë i rëndësishëm për të, jo vetëm për zhvillimin afatgjatë dhe afatmesëm të vendit, por për mua, mendoj që është kontributi ynë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë pas COVID-it, sepse ne duhet ta përpilojmë këtë strategji rimëkëmbjeje së bashku. Europa dëshiron që të jetë pjesë e procesit të rimëkëmbjes në Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri dhe ky është një mesazh i fortë që duhet ta kuptojnë të gjithë.

Natyrisht që sot ne nuk flasim më për maska, apo respiratorë, apo mbështetje financiare. Sot, ne flasim për vaksinat, a kemi vaksina. Siç e keni parë, edhe shtetet tona anëtare kanë probleme që të arrijnë të marrin vaksinat për qytetarët e tyre dhe natyrisht që ne nuk e kemi harruar dhe nuk harrojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor apo shtetet e tjera fqinje. Ne po punojmë shumë ditë e natë që të arrijmë t’i marrim këto vaksina dhe t’i çojmë në këto rajone. Për ne është përparësi dhe ne po punojmë jo vetëm v etëm, po punojmë dhe me anë të iniciativës COVAX, por edhe me iniciativa të tjera.

Jam shumë i kënaqur të them sot që do të ketë një shpërndarje të parë me iniciativën COVAX këtë muaj nga “Astra Zeneca” në Shqipëri dhe ne po punojmë edhe me vendet e tjera, jo vetëm me anë të COVAX, por edhe me iniciativën tonë, me zgjidhjen tonë si Komision Europian, për ta sjellë ndihmën aty ku duhet, te qytetarët. Kjo për arsye se ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj gjëje.

Ne kemi thënë që ky është një proces që bazohet tek merita. Cilido shtet i përmbush kriteret atëherë organizohet konferenca e parë ndërqeveritare si hapi i duhur. Kështu që sot ne kemi diskutuar Shqipërinë, ecurinë e Shqipërisë dhe gjetja e jonë, konstatimi ynë është që Shqipëria i ka përmbushur kushtet, kështu që ne do të bëjmë propozimin e duhur, do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me shtetet anëtare që ata të bien dakord që të organizohet kjo konferencë e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, sa më shpejt që të jetë e mundur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN