Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e mjekut kardiokirurg Edvin Prifti, duke i ndryshuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Mjeku Prifti, është lënë i lirë, ndërsa Apeli i ka hequr vetëm të drejtën e ushtrimit të profesionit në spital. Seanca u zhvillua ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, seancë e cila është mbajtur me dyer të mbyllura. Kjo pasi, sipas Gjykatës i duhet ruajtur sekreti hetimor mbi dosjen në të cilën është implikuar edhe mjeku Edvin Prifti. Kujtojmë që ky i fundit u arrestua gjatë operacionit për ndalimin e disa zyrtarëve të Gjykatës së Krujës, mes tyre dhe gjyqtaren Enkeleida Hoxha.
Mjeku Prifti u vu nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash, pasi në banesën e tij dhe në zyrë iu gjetën më rreth 350 mijë euro. Ditën kur kardiokirurgu u arrestua, u shpreh për media se çdo gjë ndaj tij ishte e motivuar politikisht. Por, cila është arsyeja që e ka shtyrë Gjykatën e Apelit të Posaçëm të lirojë nga burgu mjekun Prifti? Seanca e djeshme, burimet thanë se ishte mjaft “sekrete”. Detajet nga kjo seancë janë mjaft të pakta, ndërsa edhe vetë avokati mbrojtës i mjekut të vënë nën akuzë, refuzoi të prononcohej mbi lirimin e klientit të tij, edhe pse ky vendim ishte në favor të të akuzuarit.
Më tej, burimet nga brenda seancës thanë se kërkesa e mjekut Prifti ka qenë bindëse për trupën e Gjykatës. Kjo e fundit, mësohet të jetë bindur mbi faktin që mjeku nuk paraqet rrezikshmëri për largim nga vendi apo që të ndikojë në zhvillimin e hetimeve ndaj tij. Po ashtu, mësohet se një tjetër arsye që e ka bindur Gjykatën, dyshohet të jetë edhe arsimi i kardiokirurgut. Më tej, sjellim materialin e kërkesës që mjeku kardiokirurg u prezantua përballë togave të zeza në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
KËRKESA E MBROJTJES NË GJYKATË
Që në çastin e përpilimit të procesverbalit të kontrollit të banesës, i pandehuri dhe mbrojtja pretenduan dhe pasqyruan në procesverbal faktin se të hollat e sekuestruara ishin të ligjshme, i përkisnin bashkëshortes së të hetuarit znj. Enida Prifti dhe buronin nga një marrëdhënie juridike për shitjen e pjesës ideale (1/9 pjesë e pasurisë së pandarë), që ajo trashëgon nga babai dhe që është pasuria me nr.1847, e llojit truall me sipërfaqe 2000 m2, nga e cila 435 m2 është ndërtesë, fakt që vërtetohet nga certifikata e vërtetimit të pronësisë. Kjo pronë ndodhet në Priskë të Madhe (Dajt) dhe njihet me emrin “Kompleksi Triada” (bar, restorant, hotel).
Për të vërtetuar këtë fakt, të pretenduar qysh në çastin e kontrollit, paraqitën një akt-marrëveshje, të datës 23.12.2020, të lidhur mes shtetasve Enida Prifti, nga njëra anë shitësja dhe Alba Hoxha e Kreshnik Sinani (blerësit), ku e para bën premtimin për kalimin e pronësisë të pjesës së saj takuese kundrejt shumës 350 mijë euro, pasi blerësit të kishin zgjidhur problemin e pëlqimit të bashkëpronarëve të tjerë. Paratë janë dhënë në dorë, jashtë kanaleve bankare, sepse ky ishte vullneti i palës blerëse”, shprehej mjeku në kërkesën e depozituar në Gjykatë.