MENU
klinika

Skalitësi i historisë

Skulptori i Popullit

30.03.2021 - 12:37

          Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë e shqiptarëve në vepër pavdekësie

“- Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr. Linda, jetova dhe do të vdes i varfër!” – mësohet të jetë shprehur mjeshtri.

Ai ishte ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”. Krijimtaria e Odhise Paskalit, ndonëse përshkohet e gjitha nga e njëjta frymë romantike, nga studiuesit ndahet në dy periudha. Në periudhën e parë, para vitit 1945 (ku veç statujave që përmendëm më lart, bëjnë pjesë edhe disa buste dhe figurina në bronz) veçohet për vlera më të spikatura artistike. Statujat dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe gjen trajtim më të thelluar të psikologjisë së personazheve, më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odhise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Edhe për periudhën e dytë, pas vitit 1945, ai vlerësohet midis skulptorëve më të shquar të vendit. Në disa nga krijimet e kësaj faze, vërehet pasurim i shprehjes artistike, ndërkohë që në disa të tjera gjen edhe skema pompoze të realizmit socialist, skema që kushtuan edhe skulpturën e atyre viteve, sidomos ato monumentale, ku mund të përfshijmë edhe disa punime të Odhise Paskalit. Në krijimtarinë e pasur të këtij mjeshtri, monumenti “Luftëtari Kombëtar” i Korçës, është vlerësuar si një ndër statujat më të bukura të së gjithë skulpturës shqiptare. Në zhdërvjelltësinë e figurës së luftëtarit, ndihet më shumë jetë dhe madhështi, ndërsa ritmi që krijohet nga palat e gjera të gunës, flokët e hedhura dhe lëvizja e kokës, në kontrast me lartësinë e figurës, i japin më shumë jetë dhe dinamizëm. E realizuar në përputhje me përfytyrimin popullor për luftëtarët e lirisë, ky monument, si dhe sheshi ku është vendosur, është kthyer prej vitesh në një simbol të përpjekjeve për liri. Në vitin 1986, statujën e zhvendosën në një shesh tjetër të Korçës, për të ngritur në vendin e saj monumentin e Enver Hoxhës. Por, pas vitit 1990, “Luftëtari Kombëtar” u vendos po atje ku ishte, në krye të bulevardit, ku qëndron edhe sot.

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.

Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme.

Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë.

 

Shkruan: Albert Vataj

(Pjesë nga eseja e Luan Çipit, botuar në “Telegraf”)

(Fotografia me ngjyra, shkëputur nga revista “Ylli”)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Cilat përjetime të rinisë, janë ato të shenjtat?

Për të veçantën e rinisë së Dritëroit…


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit