MENU
klinika

Do ta marrin injeksionin në Kukës

Sot në Tiranë nis vaksinimi i mësuesve, ka doza dhe për mjekët e Kosovës

13.03.2021 - 07:40

Në Tiranë do të nisë sot vaksinimi i mësuesve. Me ardhjen e dozave të vaksinës AstraZeneca mbrëmjen e djeshme, sot ky proces pritet të fillojë në Tiranë dhe të shpërndahet më pas në gjithë territorin e vendit.

Kryeministri Rama, i cili i priti dje në Rinas 38.400 dozat e vaksinës së AstraZenecas, njoftoi se krahas mësuesve do të vaksinohen dhe mjekët e Kosovës. Ata do vijnë ta marrin injeksionin në Kukës.

“Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi, së bashku me Kosovën, për tju dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve covid, duke filluar nga spitali covid i Prishtinës, që të vijnë të vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi, që nesër. Do organizohemi me strukturat përkatëse atje, për ta bërë këtë të mundur”, tha Rama.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se në prill pritet të vijnë 90 mijë doza të vaksinës.

“Do ta shtrijmë procesin e vaksinimit me shpejtësi në territorin e Shqipërisë duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi ndërkohë shpejt presim një sasi edhe më të konsiderueshme. Janë 60 mijë doza të tjera që do të jenë këtu në prill, ndërsa nga Pfizer na vijnë 30 mijë të tjera po në prill”, shtoi kryeministri.