MENU
klinika

Mbi 1 mijë e 900 viktima dhe 113 mijë të infektuar

Sot një nga rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri

09.03.2021 - 09:50

Sot bëhet një vit nga konfirmimi i dy rasteve të para me Covid-19 në vend.

Më 9 mars të 2020 Ministria e Shëndetësisë në mesnatë konfirmoi dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri.

Rasti i parë ishte një 28-vjeçar i cili kishte udhëtuar nga Firence në Shqipëri me makinë në rrugë tokësore dhe pas kontaktit kishte infektuar edhe babanë e tij.

Që nga rastet e para e deri më tani, një vit me këtë “flamë” kemi parë që Covid-19 nuk ka kursyer askënd, moshat e reja, të moshuarit, nënat që sapo kishin sjellë në jetë fëmijën e tyre apo personazhe të njohur e shumë të dashur për publikun.

Deri më tani në vend kanë humbur jetën 1,956 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 113,580.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 646 pacientë, 40 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.

Kujtojmë që në vend ka nisur dhe vaksinimi anti-Covid, që duket si shpresa e vetme për të mundur virusin dhe për t’u kthyer në normalitet.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka kujtuar nisjen e betejës me koronavirusin si sot një vit më parë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar se stafet mjekësore kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues të pandemisë.

Sipas saj, me intensifikimin e vaksinimit kundër Covid-19, drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet.

Postimi i plotë:

Si sot një vit më parë, nisi beteja në vijën e parë të frontit e stafeve tona mjekësore në përballje me COVID19, në shërbim të jetës

Megjithë vështirësitë, kurrë nuk u dorëzuan në këtë vit sfidues të pandemisë, që njerëzimi e ndesh një herë në shekull.

T’i ndihmojmë të gjithë bashkë, duke mos e ulur vigjilencën, me durim e sakrificë, ta çojmë deri në fund luftën me armikun e padukshëm.

Sepse drita në fund të tunelit sa vjen e qartësohet, me intensifikimin e vaksinimit antiCOVID.