MENU
klinika

Intervista për “The Guardian”

Strakosha tregon ëndrrën: Shqipëria në Botëror

26.03.2021 - 14:39

Thomas Strakosha rikthehet në vëmendjen e mediave britanike. Në një intervistë për “The Guardian”, portieri kuqezi tregon ëndrrën e tij për të qenë protagonist në Botëror, por edhe atë për të luajtur në kampionatin anglez, që e ka cilësuar më të mirin në botë.

Ai është më i lumtur kur luan, kështu që nuk do të ankohet për një mbrëmje potencialisht të mundimshme, të dielën në Tiranë. Anglia është mysafire aty për një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2022. Duket një moment emocionues për shqiptarët, që do ta provojnë veten kundër skuadrës së Gareth Southgate.

Ka ambicie që Shqipëria të arrijë Botërorin e parë në histori, por kuqezinjtë e dinë se që ta bëjnë këtë duhet të marrin pikë në shtëpi, kundër rivalëve të tillë si Anglia.

Ekipi kombëtar shqiptar është kualikuar vetëm për një turne, “Euro 2016”, por në radhët e tij përfshihen lojtarë si Marash Kumbulla, Armando Broja, Elseid Hysaj dhe portieri i Lazio, Thoma Strakosha. Ata mund të thyejnë “barrierën” historike.

“Përballja me Anglinë është shumë emocionuese për ne. E shoh si një moment shumë të madh për të gjithë, sepse Anglia ka disa nga talentet më të mira në botë. Po kështu, mendoj se Premier League është më e mira në botë, – thotë Strakosha nga kampi i trajningut në Barcelonë.

Të luash kundër lojtarëve të Anglisë është gjithmonë emocionuese. Duke luajtur kundër saj e kupton nëse je në nivel për të garuar me të. Një vit me stadiume pa tifozë dhe mbylljeje kombëtare e ka kthyer futbollin në një sport tjetër për shumë njerëz. Fitorja e Shqipërisë do të ishte historike për vendin dhe një dhuratë për njerëzit atje.

“Unë mendoj se do të ishte e pabesueshme, veçanërisht tani me situatën e Covid. Vetë ndeshja, aq më tepër fitorja, do të jetë me të vërtetë mirë për shqiptarët, pasi pandemia ka qenë vërtet e vështirë për ta” – shtoi Strakosha.

Covid-19 e preku personalisht Strakoshën, duke e mbajtur atë larg nga skuadra e Lazio në nëntor, me Pepe Reina që i zuri vendin. Ai ka qëndruar kryesisht në stol, para se lëndimet e kërdhokullave dhe gjurit ta mënjanonin për gjashtë javë të tjera.

Është riaftësuar tashmë, por nuk e ka rifituar vendin e titullarit te bardhekaltrit. Strakosha është përfolur për lëvizje drejt Britanisë. Chelsea, Liverpool dhe Everton kanë bërë kërkime dhe para se të luante si titullar me Lazio në sezonin 2016-2017, ai pothuajse u bashkua me Cardiff. Strakosha e mban vështrimin nga Premier League:

“Më pëlqen se si luajnë në Premier League. Atje luajnë kaq shpejt, ka kaq shumë goditje dhe bëhet një punë e madhe. Më pëlqen të punoj shumë, pasi kjo më lejon të tregoj më të mirën time. Premier League ta rrit adrenalinën, sepse aty luhet futbolli më i mirë.

Më mahnit shpejtësia e lojës dhe reagimi që mund të shihni gjatë një ndeshjeje. Ju shikoni lojëra që janë 3-0 deri në minutën e 88-të dhe përfundojnë 3-3. Atje regjistrohen momente të çmendura, tifozët janë kaq afër fushës, duket e pabesueshme.

Futbollistët do të dëshironin të luanin dy ndeshje në ditë për shkak të ndjenjës së pabesueshme në Premier League. Kur kam qenë për të luajtur ndeshje miqësore kundër ekipeve angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Është ëndrra e të gjithëve për të luajtur në Premier League”.

Strakosha po ndjek hapat e babait të tij portier, Foto, ish-kapiten i Shqipërisë, që luajti 73 ndeshje. Ai brez u pengua nga komunizmi, sepse lojtarët nuk mund të luanin jashtë deri në vitet 1990. Thomas lindi më 1995 në Greqi, ku babai i tij po luante për Olympiakos, dhe vendosi të përfaqësojë Shqipërinë:

“Unë kam qenë i dashuruar me futbollin që kur isha i ri, për shkak të babait tim, që luante portier. Edhe unë u dashurova shumë herët me këtë rol. Më pëlqente të vishja doreza, të shihja babanë tim që kapte topin dhe të priste goditjet, shpëtonte portën e tij nga golat.

Për mua ishte dashuri me shikim të parë.  Ajo që babai im dhe familja ime më mësuan për jetën, jo vetëm për futbollin, është se punëtorët e zellshëm mund të kenë karriera të mëdha në cilëndo fushë që ata zgjedhin”.

Kjo kombëtare e Shqipërisë përmban lojtarë të lindur në të gjithë Europën, përfshirë Anglinë, Italinë dhe Gjermaninë, ndërsa diaspora e vendit rritet: “Çdo lojtar që vjen nga një vend tjetër dëshmon stilin e tij ndryshe. Nëse jemi mjaft të zgjuar, ne mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe të bëjmë kombinimin perfekt si ekip.

foto strakosha dhe Thomas

Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe lojtarë të vjetër, kështu që kemi një përzierje perfekte. E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani është të jemi mjaft të pjekur dhe t’i marrim ndeshjet një nga një, për të bërë realitet ëndrrën tonë të madhe: shkuarjen në Kupën e Botës.

Mendoj se kemi talentin e duhur dhe me stan teknik, me trajnerin italian, mund t’i përmbledhim stilet nga vende të ndryshme për të krijuar një stil të kombëtares së Shqipërisë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nisim eliminatoret me entuziazëm”

Reja: Në Itali janë 11.500 futbollistë shqiptarë