MENU
klinika

Kualifikueset e Botërorit 2022

Turqia e nis mbarë, “poker” ndaj Holandës në start

24.03.2021 - 20:03

Turqia ka marrë një fitore historike ndaj Holandës, duke triumfuar në shifrat 4-2 brenda në shtëpi. Një sukses që e bëjnë menjëherë kokë grupi ekipin turk dhe favorit për në finalet e Botërorit 2022.

Është zhbllokuar në minutën e 15-të ndeshja. Ishin vendasit që kanë kaluar në avantazh me një gol të Yilmaz. Sulmuesi i turqve është ndihmuar nga një devijim që ka nxjerrë jashtë loje portierin Krul. Pak momente para golit, holandezët kanë protestuar për një penallti.

Turqia ka dyfishuar avantazhin në minutën e 34-t. Ka qenë përsëri sulmuesi 35-vjeçar Yilmaz që ka ndëshkuar miqtë. Lojtari i Lille është treguar i saktë nga pika e bardhë.

Ka nisur me gol pjesa e dytë. Ishin përsëri vendasit që kanë shënuar, duke trefishuar avantazhin me Calhanoglu në minutën e 46-të. Ylli i Milan-it ka mposhtur portierin Krul me një goditje të bukur nga jashtë zone.

Holanda ka ngushtuar në 3-2 disavantazhin ndaj Turqisë falë dy golave të shënuar në harkun e një minute. Klaassen ka realizuar golin e parë të miqve në minutën e 75-të dhe një minutë më mbrapa, De Jong, ka realizuar të dytin. Vendasit janë kundërpërgjigjur në minutën e 81-të me Yilmaz, i cili ka kompletuar tregolëshin personal me një goditje dënimi magjike.