Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e padisë së Partisë Socialiste lidhur me listat e paraqitura nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.
Sjellim në vëmendje që selia rozë paditi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për lejimin e listës me 222 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.
Ankimimi erdhi pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve mbështeti kërkesën e PD-së, e cila kundërshtonte vendimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që reduktoi listën e kandidatëve për deputetë nga 222 të propozuar, në 153.
Në seancën e mbajtur sot përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji u shpreh se kandidimi me shumë kandidatë prish sistemin. Po ashtu ai u shpreh se numri i lartë i kandidatëve do të ndikonte në fletën e votimit, konfigurimi i së cilës duhet të jetë i qartë.