Përpara disa ditësh, Edi Rama ishte në televizionin Neës 24, i ftuar në programin e gazetares Nisida Tufa. Midis një sërë pyetjesh, kolegia ime, Nisida, i bëri edhe një pyetje shumë të thjeshtë: “Z. Rama, nëse humbisni zgjedhjet, a do të largoheni nga drejtimi i Partisë Socialiste?”
Nuk është e para që ia drejtoi këtë pyetje. Gjatë fushatës, ia kanë bërë edhe gazetarë të tjerë, por ai i është shmangur përgjigjes. Ka bërë dredha. Këtë herë, dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai u shpreh (po e citoj me fjalët e mija, pa ia ndryshuar thelbin): “Nëse humbas zgjedhjet, nëse shqiptarët vendosin që Edi Rama nuk është njeriu i duhur për t’i besuar një mandat të tretë për të qeverisur vendin, atëherë, unë nuk do të bëj atë që ka bërë Sali Berisha. Unë nuk do të inskenoj ndonjë largim të rremë. Dhe mbi të gjitha, nuk do të bëj asnjë përpjekje për të ushtruar kontroll, ndikim dhe pushtet, këtë herë, nëpërmjet një rruge të tërthortë, nëpërmjet një regjenti, apo pasardhësi që do ta emëroja vet.”
Me fjalë të tjera, ai tha se: “Nga momenti që unë nuk do të jem më kryetari i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, unë nuk do të jem më as kryetar i Partisë Socialiste. Unë do të jem socialist, do të jem aty, do të jap kontributin tim, por nuk do të më shihni asnjëherë të bëj gabimin që të rivalizoj, të eklipsoj, të pengoj, të fyej, poshtëroj apo nëpërkëmb atë që do të vijë pas meje e që do të zërë vendin tim.” Shkurt, ai tha: “Nëse humbas, unë largohem.”
Duhet ta kishte thënë me kohë. Por e tha më në fund. Dhe kjo është gjëja e duhur që duhet bërë e duhet shndërruar në një normë në jetën politike shqiptare. Dy partitë e mëdha (duke lënë mënjanë LSI-në, e cila është një parti sui generis, një parti familjare) duhet ta shndërrojnë këtë gjë në një normë statutore, në një princip etik dhe deontologjik të organizimit të tyre të brendshëm. Duhet të ekzistojë një pikë e cila parashikon se: “Nëse partia nuk fiton të drejtën për të qeverisur vendin (bëhet fjalë për dy parti të mëdha me asnjë objektiv tjetër elektoral, përveç se të fitojnë të drejtën për të qeverisur vendin), kryetari i partisë largohet menjëherë dhe jep dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme.”
Këtë gjë që bëri Rama, duhet ta bëjë edhe Lulzim Basha. Por ai nuk e ka bërë. Deri më sot, sa herë që ia kanë drejtuar këtë pyetje, dhe në fakt ia kanë drejtuar shpesh, ai ka thënë të njëjtën gjë. Diçka të ngjashme e tha edhe me Lutfi Dervishin mbrëmë, në RTSH. Veçse e tha me tone eskatologjike, dramatike, tragjike. Përballë Lutfi Dervishit ai u shpreh: “Në 25 prill, do të ndodh ndryshimi i madh. Nuk ka forcë që ta ndalë këtë ndryshim. 25 prilli është fillimi i ri. Unë do të fitoj.” Pas kësaj, u kalua në një pyetje tjetër.
Unë mendoj se Lulzim Basha e ka më të lehtë se Edi Rama që ta bëjë një deklaratë të tillë. Ai ka tetë vite në krye të Partisë Demokratike në opozitë. Dhe demokratët e kanë toleruar, duruar, mirëkuptuar, e kanë mbështetur, i kanë dhënë fuqi, i kanë dhënë autoritet, madje nuk ia kanë venë asnjëherë në diskutim këtë të fundit. Nuk ia kanë vënë në diskutim autoritetin edhe kur Basha ka marrë vendime të gabuara, edhe kur ka bërë proçka të mëdha që kanë dëmtuar dhe penalizuar vet Partinë Demokratike.
Lulzim Basha nuk vjen në studion time, por sikur të vinte (një ngjarje e cila do të ishte historike, e paprecedent) dhe të ulej në ndenjësen për të ftuarit e mi, unë sigurisht, do t’i drejtoja pyetjen që ia kanë drejtuar edhe kolegët e mi: “Z. Basha, nëse Partia Demokratike (larg qoftë!) humbet zgjedhjet, cili do të jetë reagimi juaj? Ju do të këmbëngulnit akoma të rrinit në krye të Partisë Demokratike?”
Veçse në ndryshim nga kolegët e mi, unë do të insistoja për të marrë përgjigjen e duhur, e cila është një dhe vetëm një, nuk ka një të dytë. Ajo është e tipit: “I dashur Muç Nano, zgjedhjet e 25 prillit janë beteja e jetës sime. Nëse unë i humbas, misioni im mbaron. Dhe as e çoj nëpër mendje të këmbëngul të qëndroj në politike. Lë më pastaj, të qëndroj si kryetar i Partisë Demokratike. Do të ishte gjëja më absurde për t’u menduar. Do të ishte fyerje e inteligjencës sime.
Mbi të gjitha, do të ishte fyerje e inteligjencës së demokratëve, e inteligjencës së atyre njerëzve që më kanë mbështetur për tetë vjet me radhë në ditë të bardha dhe të zeza, në ditë të keqe dhe të mira. Më kanë mbështetur edhe kur unë kam marrë vendime të forta. Siç thashë më sipër, vendime që kanë penalizuar jo vetëm Partinë Demokratike, por ndoshta edhe vendin.
Më kanë mbështetur, kur kam humbur zgjedhjet. Më kanë mbështetur edhe kur unë u kam hedhur syve alibi që do të justifikonin humbjen e zgjedhjeve. Por këto alibi nuk do të jenë më. Unë nuk do të kem më alibi edhe sikur ato të ekzistojnë me të vërtetë.
Humbja ime, nëse vjen, pavarësisht se si vjen, do të ketë për finale vetëm një gjë. Do të ketë Lulzim Bashën, i cili do të dalë përpara publikut, dhe përpara gjithë opinionit publik shqiptar, dhe do të thotë: “Qysh nga ky moment, jap dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike në mënyrë të parevokueshme.”
Këto fjalë që i shpreha unë, janë tuajt, z. Basha. Nuk janë të miat de facto. Vetëm se ju duhet të bëheni burrë dhe të na i thoni.