MENU
klinika

Zgjedhjet e vitit 1945

“Britanikët do të kontrollojnë fushatën, ditën e votimit?”

25.04.2021 - 12:41

           Publikohen dokumentet e Arkivit Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet raporti i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës, i mbajtur në Plenumin e IV-të, më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit ’45, për deputetë në Kuvendin Popullor. E gjithë fjala e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai u ndal dhe bëri një rezyme të hollësishme që nga periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke vënë në “ballancë” raportet e Partisë Komuniste të Shqipërisë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr prej saj me aleatët anglo-amerikanë dhe Bashkimin Sovjetik, luftën e këtyre aleatëve me Gjermaninë naziste, marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me shtetet e Ballkanit dhe më gjerë, si: Jugosllavia, Greqia, Bullgaria, Rumani, Polonia, Hungaria etj., arratisjen nga Shqipëria të eksponentëve të lartë nacionalistë të Ballit dhe Legalitetit e strehimin e tyre nga ana e anglo-amerikanëve, rezistencën e armatosur të “krerëve të reaksionit” në Veriun e Shqipërisë, si: Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Gjon Marka Gjoni, etj., arrestimet dhe dënimet e tyre nga gjykatat, ndihmat e Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë në disa tonelata grurë dhe pranimi i kontigjentit të parë të studentëve shqiptarë në shkollat, universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, etj.

“Ndjekjet nga ana e forcave tona s’ju lënë asnjë mundësi krerëve bajraktarë si: Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Gjon Markut etj., të organizohen dhe të armatosen. Është e vërtetë se ata i kanë shpëtuar forcave tona dhe kjo duhet të na preokupojë fort, por është fakt që ata po lëvizin me zor të madh. Këta elementë, natyrisht, na shkaktojnë kokëçarje, pse në mjaft krahina të Veriut, puna jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e dobët. Disa herë atje parullat e tyre zënë vend dhe ka akoma njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të evenimenteve. Këta do t’i lidhë fort me këtë pushtet, vetëm një punë intensive politike nga ana jonë dhe interesimi drejtpërdrejt i pushtetit në zgjidhjen e problemeve të tyre në mënyrë konkrete. Forca e reaksionit s’qëndron vetëm në bandat e armatosura; atë do ta shohim të manifestohet edhe në elementë të tjerë dhe në forma të ndryshme, të cilët, të përkrahur nga reaksioni i jashtëm, po pregatitin rezistencën kundër pushtetit tonë demokratik. Ky proces i grumbullimit të reaksionit s’është një zhvillim i thjeshtë. Për ne, që drejtojmë politikën e Frontit dhe të pushtetit, do të jetë një gabim i madh po t’i bëjmë hesapet kaluar dhe po të idealizojmë gjendjen tonë të brendshme dhe të pushtetit tone”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash në fjalën e tij Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha, në mbledhjen e Plenumit të IV-të të mbajtur më 17 tetor të vitit 1945, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 2 dhjetorit ’45. Për më shumë rreth kësaj, do njihemi në këtë shkrim, të cilin Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë.

Vijon nga numri kaluar
Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në Plenumin e IV-të të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, më 17 tetor 1945

Lufta dhe politika me individë të shkëputur të klerit është e nevojshme. Ka pasë momente që kleri katolik, ka qenë në luftë të hapët me ne duke na luftuar edhe me armë. Ne i jemi përgjegjur dhe e kemi goditur. Por kleri katolik nuk është aq naiv saqë të insistojë në një luftë të hapët me pushtetin tonë, kur pozitat e tija janë të dobëta dhe kërcënohen dhe kur pozita ndërkombëtare nuk është e favorshme për të. Kleri, duke qenë armiku ynë, di të bëjë politikë jo në të mirën e popullit, por për forcimin e pozitave të tija. Do të jetë papjekuri politike nga ana jonë, në qoftë se nuk dimë të përfitojmë nga rastet dhe rrethanat. Duhet të bëjmë një politikë të zgjuar me klerin katolik. Në këtë politikë duhet të mos humbasim masën dhe të hidhemi nga një ekstrem në tjetrin, gabim që shokët bien shpeshherë. Rreth manovrave të klerit do të përqëndrohet gjithë lodra e reaksionit, e krerëve të arratisur nëpër malësi, e të pakënaqurve e të pasqaruarve. Këtu do të duket pjekuria jonë politike që vijën politike të Frontit, të dimë ta adaptojmë në situata dhe në vende të ndryshme për të shpërndarë grumbullimin e reaksionit dhe për të fituar pozita të forta për ne. Shtresat e tregëtarëve të pasur dhe ato të bejlerëve dhe të agallarëve të pasur, të prekura direkt nga ligjet e drejta të pushtetit, po shtojnë radhët e të pakënaqurve.

Kategoria e parë, në ditët e para të vjeljes së taksës së tatimit rezistoi në mënyrë të organizuar, por u desh të paguajë përpara masave të marrura nga ana e pushtetit. Kjo s’do të thotë se ata u bindën dhe u bënë paguesit më të gatshëm, përkundrazi, ata përpiqen t’i shpëtojnë pjesës tjetër të taksës. Situata e brendshme nuk do të jetë e plotë në rast se nuk tregojmë sa të fortë jemi ne, ku qëndron forca jonë dhe të metat tona. Këtë do ta theksojmë më poshtë, kur të flasim për Frontin dhe për pushtetin. Por këtu do të them se, me të tilla forca kundërshtare, që duhet të mos i nënçmojmë, ndodhemi në situatën e sotme dhe përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Për zgjedhjet pra duhet të luftojmë dhe që të fitojmë duhet që ne të dimë mirë vijën politike të Frontit dhe ta aplikojmë si duhet atë. Aplikimi i vijës së Frontit s’do të thotë vetëm me ba një konferencë, por me e zbatue në praktikë, në rrethana të ndryshme dhe në kategori të ndryshme njerëzish, të cilëve t’ju njohësh mentalitetin, mendimet, qëllimet. Të zbatosh mirë në praktikë vijën politike do të thotë të kuptosh mirë ç’është pushteti e si funksionon; të dish mirë ligjet, t’i respektosh i pari dhe t’i aplikosh si duhet, të kuptosh dhe të zbatosh politikën e qeverisë në çdo lëmë aktiviteti dhe duke qenë në kontakt të ngushtë me masat e popullit. Propagandën dhe agjitacionin t’i bazojmë në themele të shëndosha dhe t’i bëjmë konkrete për popullin, domethënë t’i bazojmë në realizimet e ndryshme të pushtetit, ku populli i edukuar dhe i ngritur politikisht, ka marrë vetë pjesë aktivisht. Vetëm në këtë mënyrë Fronti bëhet një realitet, bëhet një organizatë e masave që mbron dhe përkrah gjithë pushtetin.

Pikërisht këtu po goditin armiqtë: pushtetin, Frontin, ushtrinë. S’është nevoja të theksojmë me hollësi në raport manovrën e reaksionit ndërkombëtar në këto momente të zgjedhjeve. Pika kryesore ku ai godit është akuza që i bën qeverisë sonë duke thënë se ajo është qeveri komuniste, prandaj këtu s’ka demokraci, këtu ka diktaturë të një partie, d.m.th. të Partisë Komuniste dhe prandaj zgjedhjet bëhen në kondita jo të lira. Duke u mbështetur në këto akuza të trilluara anglo-amerikanët, duan t’i sabotojnë me njëmijë mënyra këto zgjedhje ose të ndërhyjnë drejtpërdrejt. Kjo taktikë e reaksionit ndërkombëtar, natyrisht, është bërë taktikë e reaksionit tonë të brendshëm. Fjalët e Gjergj Kokoshit në Mbledhjen e fundit të Këshillit i shfaqin tërë programin e reaksionit. Në Jugosllavi, në Bullgari dhe në Rumani reaksioni i jashtëm në bashkëpunim me të brendshmin, janë në aktivitet të madh, ndërsa këtu sapo ka filluar. Të mos flemë duke thënë se këtu s’mund të veprohet si gjetkë, pse konditat janë ndryshe. Kjo është e vërtetë, situata paraqitet kurdoherë me variante, por edhe taktika e reaksionit ka variante. Sinjali i parë i ofensivës së anglo- -amerikanëve kundër nesh me rastin e zgjedhjeve u dha nga Tajar Zavalani i megjithëse në mënyrë akoma jo konkrete. “Ballons d’essaie” po hidhen si “Zogu ka vajtur në Kajro”, “po formohet jashtë një qeveri shqiptare”, etj. Gjenerali Hoxhson më bën letrën e parë dhe më pyet nëse ne do t’i lëmë të lirë të gjithë oficerët britanikë të kontrollojnë lirisht fushatën e zgjedhjeve ditën e votimit. Ky është fillimi, resti pa dyshim do të vijë pas.

Nga ana tjetër Gjergj Kokoshi, i cili pati kurajon të shfaqë pikëpamjen e reaksionit, është në lëvizje. Influencën e tij ai përpiqet ta shtrijë, natyrisht, në shtresat e intelektualëve dhe të borgjezisë së pakënaqur, në shtresat e kapitalistëve dhe të tregëtarëve. Patjetër Gjergj Kokoshi dhe shoku i tij i porsa rikthyer nga mërgimi, Mirash Ivanaj, gjoja të njohur si kundërshtarë të klerit katolik, do të përpiqen që këtë forcë të reaksionit në Shkodër, ta drejtojnë kundër nesh. Akoma nuk po duket krijimi i ndonjë partie jashtë ose brenda Frontit sido që parulla lëshohen andej-këtej për tentativa krijimi partish. Por sidoqoftë fushata për abstenim në votime po bëhet nga ana e tyre duke propaganduar si thashë më lart: “Këtu s’ka liri”, etj. Gjergj Kokoshi dha dorëheqjen nga Fronti, por bëhet pyetja: Vallë Gjergj Kokoshi s’kishte shokë të një mendimi me të në Front? Duhet të mos kemi iluzione se të gjithë nacionalistët pa parti në Front janë qind për qind me ne. Ka nga ata që janë shumë afër nesh dhe që kanë lidhur fatin e tyre me atë të Partisë sonë, ka të lëkundshëm, që një punë e shëndoshë nga ana jonë do t’i bëjë të jenë kurdoherë me ne por ka edhe nga ata që s’mendojnë si ne dhe nesër do t’i kemi kundërshtarë. Këta njerëz s’e ndjejnë veten aq të fortë sa të dalin haptas kundër Frontit, dhe as që duket deri tani ndonjë tentativë serioze për formimin e ndonjë grupi o partie brenda në Front. Këta njerëz në një përqindje shumë të madhe do të vazhdojnë të qëndrojnë• në Front, deri në mbarimin e zgjedhjeve, dhe nën flamurin e Frontit të zgjidhen në asamble.

Krijimin e grupit, ose të partisë, krijimin e opozitës, sigurisht do ta bëjnë në gjirin e asamblesë dhe të Kuvendit. Këtu duket se ka qenë mosmarrëveshja në mes të Gjergj Kokoshit dhe njerëzve të tjerë të lëkundshëm e kundërshtarë që ndodhen ende në Front, domethënë mosmarrëveshje në taktikë. Zhvillimi i fushatës elektorale do të na sqarojë më mirë mbi taktikën që po përdor reaksioni për të minuar pushtetin dhe për të sabotuar zgjedhjet. Përpara kësaj situate, pra, Partia jonë duhet të mobilizojë të gjitha forcat dhe Fronti Demokratik të bëhet një realitet. Vijën politike të Frontit e kemi shtruar shumë herë, prandaj s’po e ripërsëris. Të punosh në Front, që është detyra e çdo komunisti, do të thotë të punosh me popullin, të punosh edhe jashtë detyrës që ke në pushtet o në ushtri, të bësh punën speciale të partisë dhe nga më kryesoret: edukimin e masave. Mjerisht nga shokët e partisë kjo gjë është shikuar shumë ngushtë. Ta fillojmë çështjen nga puna politike me masat. Me punue në Front është kuptuar në këtë mënyrë: të vesh të bësh një konferencë në pesëmbëdhjetë ditë një herë dhe e ke mbaruar detyrën që të ngarkon Partia. Kjo është një pjesë e vogël e punës, por mjerisht edhe kjo punë e vogël nuk bëhet me seriozitetin që duhet t’i bëjë punët një komunist. Sa më të ulët të jenë ata shokë që zhvillojnë konferencën, aq më pak pregatiten. Ata kujtojnë se publiku është i detyruar të dëgjojë “përrallën” e tyre të pregatitur gjysmë ore përpara.

Kjo ka shkaktuar që konferencat s’i ndjekin me aq qejf dhe shkakun nuk duhet ta kërkojmë në pasivitetin e masave, por në xhahillëkun, në neglizhencën, në nënçmimin e masave nga konferencieri dhe kur kjo bëhet nga një shok partie është një gabim që s’falet. Por si mund të pregatitet një konferencë që të dalë e mirë? Këtë, jam i bindur se shumë shokë, akoma s’e kanë kuptuar se, po ta dinin, kjo do të ishte e thjeshtë dhe konferencat do të bëheshin interesante. Konferenca s’pregatitet duke mbledhur artikujt e gazetave ose referatet e të tjerëve. E kuptoj kur pregatitet një konferencë me karakter shkencor, por kur është puna për agjitacion në masë dhe të atij karakteri, që gati zhvillohen të gjitha konferencat tona, (pse për konferenca shkencore mjerisht atij kapitulli i kemi vënë kapakun) temat e konferencave, mendimet që do të shtrojë dhe do të rrahë përpara publikut, ai do t’i gjejë vetëm në jetën e popullit dhe jo në gazeta e revista. Por ky libër ku ai do të mësohet të bëhet agjitator i mirë, është lënë mënjanë, ai s’jeton me popullin, ai s’ja njeh hallet, ai s’i njeh problemet, ai qëndron në hava dhe konferenca e tij është një “avaz i mukës”. Por masat e popullit s’ngopen vetëm me fjalë. Masa mund të dëgjojë me kënaqësi një konferencë të mirë, por ato që u thanë atje, ajo do t’i shohë të realizuara në praktikë, t’i prekë me dorë. Kjo është karakteristike për masat.


Forca e Partisë sonë qëndron në realizimin e gjërave. Këtu s’e kam hallin të them se si pregatiten konferencat, por e kam fjalën se me ç’metoda gjysmake e edukojmë popullin. Shumë herë dëgjohen nga anëtarë partie: “Ś s’kam kohë, më kanë mbuluar punët e zyrës, s’mund të vete atje, s’mund të bëj këtë”. Në këtë pikë jam kategorik dhe them se kjo, në 90% të rasteve, s’është e vërtetë. Që nga unë dhe deri te anëtari i thjeshtë i Partisë, po të bëjmë një revizion të ndërgjegjes në punë, do të shohim se kohën mund ta gjejmë. Eshtë e pamundur të mos ketë kohë një anëtar partie, për të bërë detyrën që i ngarkon Partia jashtë asaj zyrtare; por, edhe në qoftë se s’ka, duhet ta gjejë; ta heqë nga gjumi i natës. Të tillë njerëz duhet të jemi ne. Kam arsye pse e theksova këtë gjë. Kjo është një sëmundje e madhe që duhet ta luftojmë sepse shkakton dobësimin tonë, këtu është burimi i të gjitha lëshimeve e gabimeve politike. E kuptoj dhe e nderoj atë anëtar partie që është i mbytur deri grykë me punë dhe ai është i vetmi, që me gjithë punën e tij të madhe, s’e lë kurrë mangët dhe punën speciale të Partisë. Por kështu s’ngjet me të gjithë. Me një mentalitet dhe me një frymë të tillë nuk mund të ecim përpara. Nën pretekstin se gjoja janë shumë të zënë, shokët i shmangen detyrës, bile dhe atë detyrë që kryejnë, s’e nxjerrin të saktë. Po të pyesësh filan sekretar politik qarkori, do të të thotë: «kam shumë punë», ndërkohë në organizatën që drejton ai po bëhen shumë gjëra të papëlqyera dhe antiparti dhe ai i sheh këto, kur i sheh tërë populli; filan sekretar i përgjithshëm i ministrisë të thotë se është i mbuluar me punë, por kur i kërkon diçka për sqarim, ai ose s’është në gjendje të të thotë asgjë, ose të rregullon një statistikë false e të pakontrolluar.

Kjo është një. E dyta: shokët s’përpiqen të mësojnë dhe të lartësohen; në përgjithësi po numërohet në vend. Njerëzit e pushtetit dhe shokët tanë në radhë të parë nuk dinë e nuk i mësojnë ligjet e pushtetit. Ngjasin gjëra të çuditshme, që t’i numërosh, duhen ditë. Njëra nënprefekturë gjoja meqë vetëqeveriset, me anën e këshillit, s’pranon as udhëzimet e qarkut dhe as të qendrës. Ajo bëhet «republikë më vete»; tjetri qark të krijon nënprefektura si kërpudha për t’i riprishur pas tre muajve. Taksat, njëri t’i mbledh kështu, tjetri ashtu, njëri të respekton ligjin, tjetri ta shkel fare dhe t’i fal taksat, pse ashtu e sheh “të arsyeshme” ai në krahinën e tij. Të tilla gjëra janë të zakonshme, por ka edhe raste më kritike: mungon respekti ndaj pushtetit, nuk përfillen urdhrat e qeverisë. Qendra mund t’i bëjë njëzet telegrame një qarku dhe ai as i përgjigjet. Pse ngjet kjo? Kjo ngjet sepse disa shokë s’e kanë kuptuar akoma ç’është pushteti, ç’është centralizmi, si e drejton Partia pushtetin dhe përgjegjësitë e tij përpara Partisë dhe përpara pushtetit. Dhe mbi të gjitha këto, fillon të duket një mentalitet i rrezikshëm që duhet luftuar shpejt: me të hyrë në parti, komunistit i rritet mendja. Ai bëhet autoritar, ai punon më pak se të tjerët dhe e quan veten të paprekshëm dhe se mund t’i lejohet të bëjë çdo gjë. Këto vërejtje i thashë që të mendojmë thellë mbi këto gjëra dhe t’i zhdukim pse, po s’u përmirësuam në këtë drejtim, edhe Frontin do ta kemi të dobët edhe pushtetin gjithashtu.

Fronti s’është një gjë e shkëputur nga realiteti praktik. Vija politike e Frontit gjen realizimin konkret në punët e pushtetit, në realizimet e pushtetit. Në qoftë se ne nuk e. kuptojmë si duhet vijën politike të Frontit do të jetë zor për ne të kuptojmë si duhet politikën e qeverisë në. të gjitha fushat e veprimit dhe anasjelltas. Politika e Frontit dhe politika e qeverisë janë dy gjëra që shkojnë. së bashku. Kemi thënë që Frontin duhet ta zgjerojmë, duhet të bindim të pakënaqurit, të aktivizojmë gjithë popullin. Këtë s’e kemi bërë sa duhet dhe si duhet; ekziston sektarizëm dhe rutinë në punë, insistohet në metoda të vjetra, të përshtatshme për dy vjet të kaluara, nuk shkojmë me zhvillimin e kohës dhe të ngjarjeve. Harrojmë se çështjet tani nuk mund të zgjidhen më me mënyrat e malit; harrojmë se metoda e punës duhet të ndryshojë jo vetëm në formë, por edhe në esencë; harrojmë që populli tani të kërkon shumë gjëra, gjërat që i premtove; ai ka filluar që të kërkojë në një vit, ato që s’i janë plotësuar gjatë qindra vjet me radhë; fshati më i humbur të kërkon shkollë, por të kërkon edhe elektrik, sepse ka një vijë uji afër. Luftuam dhe çliruam vendin, ky është një triumf i madh për ne.

Kjo është mbështetja jonë më e madhe, por s’mjafton; tani duhet të punojmë drejt dhe shumë, pse përndryshe errësohen dafinat. Përpara Partisë ishin vënë një tok problemesh, përveç çështjes së rëndësishme të Frontit. Problemi me rëndësi pushtetit dhe zbatimi i politikës qeveritare në fusha të ndryshme të aktivitetit shoqëror dhe ekonomik dominonin gjatë kësaj periudhe të çlirimit dhe vazhdojnë të jenë kurdoherë në rendin e parë të ditës. Çdo gjë do të zgjidhet më së miri kur Partinë tonë ta kemi të fortë dhe dita-ditës të shohim përmirësime në të. Do të prek në vija të përgjithshme çështjen e pushtetit dhe politikën e qeverisë. Me pushtetin ne do të zgjidhim çdo gjë, këtu qëndron forca jonë. Pushtetin ne duhet të dimë ta prefeksionojmë dhe ta përdorim më së miri. Partia jonë drejton pushtetin dhe rrjedh vetëvetiu që sa më e fortë të jetë Partia, aq më i fortë është pushteti. Më parë se t’i hyjmë në thelb çështjes, shokët duhet të kuptojnë një gjë: që Partia jonë e drejton pushtetin me anë të njerëzve të saj, të cilët janë kudo në vendet kyçe të komandës. Të gjitha vendimet përpunohen në Parti dhe zbatohen nga pushteti. Njerëzit e Partisë i çojnë këto vendime të Partisë në pushtet. Varet nga anëtarët e Partisë se si do t’i paraqesin, përpara njerëzve të pushtetit, përpara njerëzve të Frontit. Këtu duket sa e kemi kuptuar vijën e Partisë dhe si e zbatojmë në Front dhe në pushtet. Përveç kësaj, anëtari i Partisë duhet të dijë se Partia është atje ku ai punon dhe është njëkohësisht përgjegjës përpara Partisë dhe përpara pushtetit, përpara superiorëve të tij në pushtet, cilëtdo qofshin këta, anëtarë partie ose jo. Zotësia e një anëtari të Partisë, njihet dhe çmohet me punën që kryen atje ku e ka vendosur Partia; atje shihet sa i zoti është, sa i disiplinuar është, sa besnik i Partisë është.

Nga moskuptimi mirë i çështjes rrjedhin gabime si: mosrespektimi i pushtetit dhe i hierarkisë në pushtet, shkelja e ligjit dhe moskryerja e detyrës; këtej rrjedh sektarizmi në Front dhe në pushtet. Këto të meta ekzistojnë në shokët tanë dhe për këtë arsye pushtetin nuk e kemi aq të fortë dhe ndodhin gabime. Pikësëpari bazat e pushtetit, që janë këshillat e katundit, vazhdojnë të jenë të dobëta, të zgjedhura jo me një kriter të shëndoshë dhe nuk dinë akoma si duhet rolin e tyre në fshat. Këto këshilla nuk ndihmohen sa duhet nga shokët, e sidomos, në Veri. Në formë, pushteti në Veri, paraqitet pak a shumë ashtu si e duam ne; por në praktikë po bëhet puna e vjetër, dua të them që interesimi i këshillit të nënprefekturës është shumë i paktë, për mos me thënë aspak; edhe ligjet e udhëzimet gati nuk shkojnë fare. Gjithashtu, shumë rrallë shkojnë shtypi, agjitatorët dhe propagandistët. Kjo dobësi e këshillave bazë, patjetër shkakton që edhe këshillat e qarkut dhe ato të nënprefekturave nuk janë në lartësinë e duhur. Këshillat e qarkut s’janë në gjendje të drejtojnë si duhet gjithë krahinën, të gjitha këshillat e nënprefekturave. S’ekziston një lidhje e shëndoshë në mes të tyre dhe një koordinim pune. Shokët tanë janë të rinj, u mungon eksperienca, u mungon perspektiva dhe s’janë aq organizatorë. Shumë herë çështjet i shikojnë ngurtë dhe ngushtë, punët e vogla ju zënë këmbët dhe lënë mënjanë problemet kapitale. Shokët nuk bëjnë përpjekje serioze të mësojnë dhe të lartësohen; për shumë prej tyre ligjet janë të panjohura ose të njohura përciptazi.

Problemet e vendit nuk studiohen me seriozitet dhe shumë pak sugjerime ose propozime merr qendra prej tyre. Në përgjithësi s’janë në korrent të gjendjes, pse kontaktet me qendrën janë formale dhe kjo shkakton që plani i tyre i punës në qark të mos jetë i koordinuar mirë me planin e përgjithshëm të qeverisë. Shumë herë bien në pozitat e një pjese të popullit dhe duke interpretuar keq frymën e ligjit krijojnë ndarje administrative pa baza dhe të panevojshme; i shohin çështjet dhe problemet në frymën lokaliste pa studiuar problemin në tërësi. Të gjitha këto shkaktojnë që pushtetin në disa qendra ta kemi të dobët. Kjo shkakton që populli nuk mobilizohet si duhet rreth pushtetit dhe të bëhet ndihmësi më i madh i tij e sidomos në këtë moment kur gjendja ekonomike dhe financiare nuk janë aspak të lulëzuara. Këtej rrjedh burokracia në punë, mungesa e përgjegjësisë dhe lënja e punës mbas dore. Shokët s’e kanë kuptuar rëndësinë e pushtetit, rëndësinë e organizimit, rëndësinë e drejtimit. Ka një proces në zhvillim dhe ky mund të shkojë në disfavorin tonë, në rast se shkojmë me ëndrra; pushteti mund të na dalë nga duart, në rast se nuk jemi të zot. Ekziston fryma sektare në shumë kuadro të pushtetit. Shumë nga ata që s’janë komunistë dhe zotërojnë shkencën, nuk përdoren si duhet. Këta janë inxhinierë, doktorë, agronomë, teknikë të ndryshëm, pa të cilët nuk mund të eci maqina. Shumë herë qëllon që në pushtet ndodhen shokë komunistë jokompetentë dhe jo të zot dhe, për të fshehur pazotësinë e tyre, sillen keq me këta kuadro./Memorie.al

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!