MENU
klinika

“Fushata risi në formë, jo në përmbajtje”/ Pritshmëritë e votuesve

Analiza e DW: Më pak rini në listat e kandidatëve për deputetë!

15.04.2021 - 08:15

Fushata elektorale në Shqipëri është në kulmin e saj, por diskursi politik zhvillohet jo me përballje konceptesh politike, por mbetet në nivelin e sulmeve të personalizuara mes kundërshtarëve politik, sipas ekspertëve.

Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen pas 10 ditësh, më 25 prill. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Partia Demokratike, (PD) e drejtuar nga Lulzim Basha, që kryeson koalicionin opozitar, kërkon ta marrë ajo drejtimin e vendit, pas 8 vitesh në opozitë.

Në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve (KQZ) janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe tre koalicione, mes të cilave “Aleanca për Ndryshim” me 12 parti, e kryesuar nga PD. Procesi zgjedhor për Parlamentaret 2021 po zhvillohet me një Kod Zgjedhor, që ka pësuar ndryshime dhe është përmirësuar, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Fushatë në kohë pandemie

Fushata zgjedhore për Parlamentaret 2021 ka arritur në pikun e vet dhe ka shpalosur tanimë karakteristikat e saj. Eksperti për sistemet zgjedhore, Kristaq Kume thotë për DW, se kjo fushatë ka risi në formë, por jo në përmbajtje. “Në kushtet e pandemisë COVID-19, mungojnë takimet dhe mitingjet e mëdha të subjekteve politike me votuesit, gjë që ka sjellë risi në mënyrën sesi kjo fushatë po zhvillohet. Po përdoret gjerësisht teknologjia e informacionit dhe komunikimit, sidomos media dhe rrjetet sociale nga lidershipi i dy forcave kryesore në garë. Por kjo risi nuk shoqërohet me risi në përmbajtje, në sjelljen e subjekteve politike në garë në raport me votuesin. Votuesi po bombardohet me informacione për kundërshtarin politik jo për programet qeverisëse të subjektit politik, që kërkon votën e tij. Fushata po karakterizohet nga varfëri idesh, objektivash për mirëqeverisjen dhe tepri deklaratash: maxhoranca socialiste për mbajtjen me ꞔdo kusht të pushtetit, PD për ardhjen me çdo kusht në pushtet,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Pritshmëritë e votuesve

Në këtë synim, dy partitë kryesore, PS dhe PD kanë edhe përqasje të ndryshme për të fituar votën e zgjedhësve: PS fokusohet në prezantimin e arritjeve në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vaksinimi masiv anti COVID-19, të projekteve të mëdha në infrastrukturë, porte, aeroporte, autostrada me premtimet se këto të fundit do të nxisin fuqishëm zhvillimin dhe punësimin. PD fokusohet në situatën e vështirë social – ekonomike, papunësinë, ekonominë jo të shëndetshme, emigrimin e rinisë, besimin e pakët në sistemin e drejtësisë dhe premtimet se vetëm ajo mund ta ndryshojë situatën për mirë.

Por a u përgjigjen këto përqasje pritshmërive të votuesve për alternativa qeverisëse që përmirësojnë jetën e tyre, që i japin perspektiva jete rinisë për të mos braktisur vendin? “Jo, nuk u përgjigjen”, thotë eksperti Aleksander Çipa për DW. “Votuesit janë përballë zgjedhjes së imponuar të një force të majtë me shumë probleme në 8 vitet e qeverisjes së saj por me kapacitete negociuese, lojë në tregun rajonal të pandemisë, ekonomisë së izolimeve të befta, tronditjeve gjeo – diplomatike në rajon. Nga ana tjetër kanë një forcë të djathtë politike, që kapacitetin e saj e destinon më shumë për konstatime dhe pohime dhe jo për një ofertë bindëse projekti dhe ndryshimi strukturor,” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Ai thekson, se vendi “ka nevojë për rotacion politik. Por opozita nuk ka ende kredibilitet si qeverisje e re për ndryshim, pasi në mënyrë thelbësore nuk është as e re, as e aftë për të sjellë ndryshimin.”

Rotacionin e pushtetit përmes votës së qytetarëve në Shqipëri, prej 29 vitesh, e kanë kryer në 8 zgjedhje parlamentare dy forcat e mëdha politike: PS dhe PD. Që të dyja kanë qeverisur me dy mandate katërvjeꞔare dhe kanë qenë në opozitë secila për 8 vite rrjesht.

“Elitat politike në Shqipëri, historikisht, qarkullojnë me shumë ngadalësi. Në turin aktual elektoral dy partitë kryesore më shumë po orientohen kah forca e ballafaqimit të aktorëve të kandiduar sesa nga nevoja për risi dhe ndryshim të thellë të lidershipit. Konservatorizmi i lidershipeve politike lidhet me status quo-në dhe kapjen e sistemit prej interesave private në dëm të atyre publike, që është një problem i kahershëm në Shqipëri,” thotë Aleksandër Çipa.

Sipas ekspertit Kume: “Shqipëria ka nevojë për qarkullim të elitave politike. Jemi në momentin kur në procesin e zhvillimit demokratik të vendit dhe shoqërisë duhet të realizohet një hop cilësor. Këtë e kanë të vështirë ta bëjnë kryesisht dhe vetëm partitë që kanë rreth tridhjetë vite që funksionojnë në Shqipëri. Ka nevojë të madhe për forca dhe energji të reja politike”.

Forcat e reja politike

Prurjet e reja në politikë i kanë mundësuar listat e hapura, një nga ndryshimet shumë të rëndësishme në Ligjin Zgjedhor të Shqipërisë, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në skenën politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentate të 25 prillit kanë hyrë katër parti të reja: Nisma ” Thurrja”, “Lëvizja për Ndryshim”, “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, “Bindja Demokratike”. Krahas tyre lëvizja “Vetëvendosja” në Tiranë, që vazhdon të jetë organizatë jo fitimprurëse e shoqërisë civile, merr pjesë në zgjedhje me tre kandidatë të pavarur.

Analisti Aleksandër Çipa thotë për DW, se pritshmëritë e zgjedhësve nuk mund t’i plotësojnë këto parti, sepse “ato po shfaqen me një pjesëmarrje anemike në fushatën zgjedhore, nuk paraqesin valenca të larta politike dhe ligjërimore.”

Listat e hapura krijojnë mundësi edhe që zgjedhësit të shprehen për kandidatët për deputetë me vota parapëlqyese. “Përfitimi nga kjo mundësi është e papërfillshme. Listat e hapura do të duhej të sillnin edhe garën elektorale mes vetë kandidatëve për deputetë të të njëjtit subjekt politik jo vetëm mes subjekteve politike. Zhvillimi i fushatës, ku lidershipi i forcave politike kryesore në garë është në mënyrë ekskluzive aktori kryesor, e bën të pamundur garën mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike. Kjo mënyrë, që pamundëson garën elektorale mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike, nuk është në linjë me standardet e zhvillimit të fushatës zgjedhore në një shoqëri demokratike,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Ai thekson se ndryshimet në Ligjin Zgjedhor nuk mbështesin kandidatët e pavarur për deputetë. “Kandidatët e pavarur, që garojnë vetëm në një njësi zgjedhore, për të marrë mandatin e deputetit u duhet të kapin një prag të dyfishtë: atë lokal dhe kombëtar, pra të marrin mbi 13 mijë vota,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Boiken Abazi, drejtues i Lëvizjes “Vetëvendosja” në Tiranë, thotë për DW se ”kapja e pragut lokal dhe kombëtar nga kandidatët e pavarur është absurde. Kjo do të thotë që secili kandidat të marrë 16 mijë vota në një njësi zgjedhore, gjë është e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur”.

Parlamentaret 2021: më pak rini në listat e kandidatëve për deputetë

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri përbëjnë 1/3 e popullsisë me të drejtë vote. Por prania e tyre në lisat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk i përgjigjet këtij realiteti.

Në një studim të organizatës jo fitimprurëse “Qëndresa Qytetare” me seli në Tiranë, konstatohet që përfaqësimi i rinisë në listat e kandidatëve për deputetë të tri partive kryesore politike, PS, PD dhe Lëvzja Socialiste për Integrim, (LSI) është ulur pothuajse me 50%, nga 104 kandidatë në zgjedhjet parlamentare 2017 në 54 në zgjedhjet parlamentare 2021, kur mosha mesatare për rininë në listat e partive politike rezulton të jetë 26 vjeç.

PD konstatohet të jetë forca politike me më pak të rinj dhe të reja në listat e saj të kandidatëve për deputetë, vetëm me 3.2 %, kurse LSI me më shumë nga të gjitha, me 22.2 %. PS nuk ka asnjë kandidat për deputet në listat e saj që të jetë në moshën e rinisë. Një reduktim i tillë i rinisë e bën edhe më të vështirë daljen e elitave të reja politike./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ç'po ndodh nga Shqipëria në Kroaci dhe Greqi?

DW bën bilancin/ “Ballkani në kthetrat e Coronës!”

Edhe pse nuk ka përfunduar ende procesi i plotë i numërimit të votave

Si do procedohet për formimin e qeverisë së re?


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin