MENU
klinika

Preç Zogaj

Analiza për librin “Misioni im”/ Fjalët kyçe të alternativës ‘Basha’

03.04.2021 - 11:30

PREÇ ZOGAJ

Libri “Misioni im” i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ka njohur një festival reagimesh e komentesh. Që nga entuziazmi i madh, te kureshtja e qetë. Nga vlerësimet pozitive, te kriticizimi i ashpër. Kishte kohë që nuk flitej kaq shumë në vendin tonë për një libër dhe nëse qëllimi në modë i akteve që prodhojnë politikanët në ditët tona është të flitet sa më shumë për to, s’ka rëndësi mirë a keq, Basha ia ka dalë me librin e tij. Ky libër nuk është konceptuar në llojin e rrëfimeve të tipit “Jeta ime” apo memuareve që zakonisht shkruhen pas largimit të politikanëve nga politika. “Misioni im” është një libër kryesisht elektoral, ku nuk mungojnë qasjet që shkojnë përtej një utiliteti zgjedhor. Jo rastësisht është botuar në vigjilje të zgjedhjeve të 25 prillit.

Mund të jesh dakord, mund të mos jesh dakord, por të tentojë të kthejë realitetin në vizion dhe të tregojë e argumentojë në forma sa më të larmishme pse kërkon votën e qytetarëve për t’i qeverisur, është detyrë e çdo politikani që kandidon për të marrë votëbesimin e tyre. Aq më shumë e një politikani në rolin e sfidantit, siç është Basha. Libri mbetet një prej formave më intime dhe më serioze të këtij komunikimi.

Në tërësi, analizat dhe alternativat, me të cilat u paraqitet Basha zgjedhësve shqiptarë, janë të stampës liberal-konservatore. Duke ndarë me lexuesit qasjen e tij për politikën shqiptare dhe statusin e saj në shoqërinë tonë, ai sjell një përkufizim që i bën jehonë një shqetësimi të gjerë, që, përveç liberalëve, e kanë sot gjithë njerëzit mendjehapur. “Ajo është shumë zhurmëmadhe dhe projekton një vend shumë të gjerë dhe të tepruar për veten në jetën e njerëzve… Ajo hyn në mënyrë të dhunshme në jetën e qytetarëve, duke u imponuar atyre ritmin dhe amullinë e saj si mënyre të jetuari”, shkruan Basha.

“Ajo përkthen ngërçe e jo zgjidhje”, është fraza lakonike që vulos këtë qasje. Në të vërtetë, ndryshimi në Shqipëri këndej duhet të nisë: në tërheqjen e politikës në kufijtë e saj si një shërbim i pazhurmshëm dhe i paazdisshim për qytetarët, në lirimin e hapësirës dhe ajrit që u ka rrëmbyer njerëzve.

Lidhur me qasjen në fjalë vijnë edhe reflektimet e autorit për nevojën e rehabilitimit të politikës, duke kërkuar shërimin e saj nga të qenët e diskretituar, “një gjë e keqe, e neveritshme” për publikun. Shumë politikanë, politologë e shtetarë në botë janë ndeshur me këtë problem. Më bukur se askush e ka thënë Vasllav Havel.

“Politika nuk është e pistë në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis atë”. Në këtë aspekt, politika jonë ka nevojë për “drenazhim” të thellë ligjor, etik e kulturor. Korrupsioni, injoranca dhe mbi të gjitha pandëshkueshmëria në sferat e larta janë disa nga shkaqet kryesore të diskreditimit të politikës.

Basha ka renditur në librin e tij një numër masash, përmes së cilave kalon përmbushja e sfidës për t’i kthyer nderin e humbur politikës. Në këtë pikë, Shqipëria e politikës së pastër ka në dispozicion një investim madhor: Reformën në Drejtësi. Asnjë masë tjetër, madje, në këtë fazë as zgjedhjet, nuk konkurrojnë me potencialin e drejtësisë.

Nëse e ka kapur Rama, do të thotë se drejtësia nuk do të funksionojë, pra, do të shkojë dëm gjithë investimi kombëtar e ndërkombëtar për reformimin e saj. Se ky është kuptimi i kapjes së drejtësisë te ne: të mos lejohet të shkelë në sferat e larta. Lojëra të tilla me zarar, në skenë apo në prapaskenë, janë si asnjëherë tjetër nën projektorët e partnerëve amerikanë dhe europianë.

Kush i bën, ia bën vetes. Opozita, në këtë rast, i shërben shëndoshjes së drejtësisë kur kritikon apatinë e saj apo kur denoncon me fakte konkrete selektivitetin politik në emërimin e njerëzve apo në shqyrtimin e padive penale. Kurse deklarimet e përgjithshme për rishikimin e reformës krijojnë ekuivokë dhe e lejojnë Ramën të vazhdojë ta përdorë atë si kalë betejë në fushatë.

Qasjet e Bashës për politikën kanë koherencë me qasjen e tij për lidershipin. Duke pasur parasysh Ramën, por më shumë se Ramën si person konkret, një tipologji drejtuesi, Basha shkruan se është një mashtrim i madh kur u thuhet shqiptarëve “keni nevojë për një lider të fortë dhe autoritar për të zgjidhur problemet tuaja”.

“Në fakt, e kundërta është e vërtetë”, thekson ai. Në këtë pikë, si për të shmangur një vetëpromovim të drejtpërdrejtë, ai thërret në ndihmë Maks Veberin, modelin e liderit racional dhe procedural, ku në vend të vullnetit personal të flasin ligjet dhe procedurat demokratike. Në të vërtetë, koha e liderëve karizmatikë në kuptimin e sjelljes së tyre si shpëtimtarë zëlartë, që qeverisin jo tre, por 300 milionë banorë, duhej të kishte perënduar me Enver Hoxhën.

Mjerisht ajo vazhdon sot e kësaj dite hëm si inerci e diktaturës, hëm si sëmundje e demokracisë sonë të re. Duke zhvilluar konceptin e drejtuesit racional dhe të përulur si një alternativë e udhëheqësit që personalizon dhe kontrollon gjithë pushtetet, Basha mëton tejkalimin e modelit të Ramës.

Kjo nuk do të thotë ta shmangë. Skanimi i qeverisjes së Ramës del në shumë faqe e kapituj të librit. Basha merret me Ramën. Por pa përdorur një gjuhë denigruese banale. Natyra e tij e shpëton nga rënia në kurthin që u ngre vetmia libërshkruesve egoistë dhe tendenciozë, tek rrëmbehen nga kënaqësia e karikaturizimit të kundërshtarit absent, që e kanë përballë vetëm si zombie.

Gjithë duke qëndruar në temën e lidershipit, kësaj radhe jo të kundërshtarit, por të “babait politik”, Basha u kushton disa paragrafë vlerësimeve të larta për Berishën. Me ketë rast rrëfen në formën e replikimit të tërthortë kërkesat që i janë bërë për të “vrarë babain”, në kuptimin që t’i mbyllë derën Berishës. Kushdo që i ka sugjeruar të dalë nga hija e Berishës, qoftë edhe duke përdorur metaforën eskiliane, besoj se nuk ia ka pasur me të keq, përkundrazi. Pavarësisht sa u përshtatet partive të djathta klisheja libreske e vrasjes politike të babait. Sipas opinionit tim, nuk u përshtatet.

Më shumë janë legjenda ato që dëgjojmë se pasuesi iks i mbylli derën paraardhësit ipsilon. Mund të ketë ndonjë rast përjashtues, por rregulli dhe praktika e përgjithshme na tregojnë se paraardhësi ikën vetë, nuk e vë pasuesin në siklet, e gjen vetë pozicionin ta ndihmojë nëse duhet, por eviton çdo gjë që ushqen opinionin publik me përshtypjen se po i përzihet e aq më keq, po i mban dorën.

Qoftë edhe si perceptim, dualizmi është i dëmshëm në drejtimin e partive. Për t’u kthyer te raporti Berisha-Basha, sipas meje mbetet ajo që kemi thënë që prej fillimit, se suksesi i zotit Basha si kryetar i ri i PD-së do të ishte suksesi i fundit politik i zotit Berisha.

I ka takuar këtij të fundit që me eksperiencën e madhe që ka, të vlerësojë kur e ndihmon dhe kur nuk e ndihmon protagonizmi i tij Bashën. Kjo është një temë e gjerë që del nga korniza e shkrimit për një libër, ku ka shumë tema dhe çështje që japin tonin.

Angazhimi për një shtet të vogël vjen jo vetëm si një bartje ad litteram i një parimi të qendrës së djathtë, por edhe si emergjencë shqiptare në kushtet kur kemi një administratë tepër të fryrë me rreth dyqind mijë rroga sipas Bashës dhe me një mori institucionesh inefecientë e parazitare që përbëjnë një barrë shumë të rendë për financat e shtetit.

Në librin e tij, Basha e konstaton dhe e kundërshton arkitekturën e shtetit të madh. Ai angazhohet të mos e rrisë më, pa e parashtruar, ndoshta për arsye të momentit, planin e zvogëlimit të tij. Lufta kundër varfërisë, ajo për rritjen e të ardhurave dhe për lehtësimin e jetës së njerëzve, vjen me një paketë premtimesh konkrete të zhvilluara për pensionistët, studentët, çiftet e reja, stazhierët, shtresat në nevojë. “Të jemi njerëzorë në fillim, pastaj efikasë”, shkruan Basha.

Në këtë pikë, “konservatorizmi i dhembshur” i shkel syrin rishpërndarjes socialdemokrate, diçka e nevojshme për kushtet ekonomike dhe sfidat demografike të Shqipërisë sot dhe në perspektivë. Por, në bosht vizioni i Bashës mbështetet “të shpërndarja dhe jo të rishpërndarja”, me fjalë të tjera te shpërblimi për punën e jo të lëmosha.

Një reformë konsensuale për një Kushtetutë të re, reforma e partive me synim çlirimin e tyre nga kazermimi dhe financimet e paligjshme, normalizimi demokratik, ulja e taksave, zgjimi ekonomik si devizë, integrimi i vendit në BE, përforcimi i euroatlantizmit- janë disa nga “kantierët”, që në lidhjen e tyre kompletojnë ofertën politike “Basha”. Shqipëria shtron pa dyshim edhe nevoja të tjera që thërrasin politikanët për t’u dhënë zë e për t’u vënë shpatullat.

Një libër është një libër. Nuk mund t’i ketë të gjitha. Shkruar me një stil konciz pa zbukurime, “Misioni im” vjen si dëshmi e reflektimeve dhe përgatitjes së Bashës në rrugëtimin e tij pothuajse tetëvjeçar, me plot travaja, në opozitë; njëherësh e qartësimit të ideve të tij për qeverisjen e vendit. Kjo është një alternativë që skicon prioritete të tjera, zgjidhje të tjera dhe një model tjetër drejtimi nga modeli i Edi Ramës. Fjalët kyçe të saj janë normalizimi, ndryshimi. Janë fjalë, sigurisht. Është një libër. Dihet lidhja organike e fjalës me mendimin dhe e mendimit me veprimin.

Ato janë një trini, një shumësi e vetme. Publikimi i këtij libri programor në vigjilje të zgjedhjeve të 25 prillit vjen si një e mirë publike edhe për një arsye tjetër: shqiptarët nuk janë të shtrënguar të zgjedhin mes të ngjashmëve, siç u është dashur të bëjnë shpesh, por mes të ndryshmëve.