MENU
klinika

Intervista e Ministrit gjerman për Deutsche Welle

“Askush në Evropë nuk mund të jetë pro fantazive për ndryshimin e kufijve”

21.04.2021 - 12:25

Intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me Ministrin Gjerman të Shtetit për Evropën, Michael Roth (SPD) për debatet e kohëve të fundit rreth ndryshimit të kujve në Ballkanin Perëndimor

Zoti ministër, po flitet sërish për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Flitet për një dokument të përhapur nga qeveria sllovene. Çfarë di qeveria federale për këtë?

Michael Roth: Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte. Kjo nuk kërkon ndonjë profeci. E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek pajtimi, tek bashkëpunimi i ngushtë rajonal, tek distancimi përfundimtar nga nacionalizmi dhe revanshizmi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten vende të shoqërive shumëfetare dhe shumëetnike. Ky është parakushti për paqe, prosperitet dhe demokraci. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Evropë nuk mund të ketë interes për këtë.

Pra, e përjashtoni që propozimi të vijë një ditë në tryezën e negociatave?

Ne jetojmë në një demokraci të lirë dhe natyrisht të gjithë janë të lirë të fillojnë debate me propozimet e tyre. Por kjo nuk e ndryshon refuzimin tonë të qartë ndaj ideve të tilla. Përsëri: ndryshimi i kufijve është një rrugë e gabuar e rrezikshme për rajonin, askush në Ballkanin Perëndimor dhe BE nuk mund të ketë një interes serioz për atë sot. Kujtimet e luftërave të Ballkanit në vitet 1990, të cilat e kthyen ish-Jugosllavinë në një fushë të madhe beteje, duhet të jenë paralajmërim i mjaftueshëm për të gjithë ne. Pozicioni im është i qartë: fantazitë për zhvendosjen e kufijve më në fund i përkasin njëherë e përgjithmonë një të kaluare të dështuar.

A ka kolegë në BE që janë në favor të zgjidhjeve të tilla?

Strategjia e zgjerimit dhe strategjia të BE-së dhe ajo ndaj Ballkanit Perëndimor nuk parashikojnë asnjë demarkacion të kufijve. Kjo është një gjë e mirë, dhe duhet të qëndrojë kështu!

Procesi i Berlinit jep një kontribut drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. Në verë pritet të ketë një takim përfundimtar të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Si duhet të vazhdojë iniciativa?

Procesi i Berlinit i ka dërguar një sinjal të rëndësishëm rajonit: që ne të qëndrojmë pranë njerëzve në rajon dhe, pavarësisht nga anëtarësimi, të bëjmë gjithçka që mundemi për të promovuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtë ta bëjmë që tani! Dhe ne jemi ende duke bërë përpjekje të veçanta për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, për të siguruar perspektiva për të rinjtë, për të fituar punësim dhe kohezion social. Çështjet e shëndetit, infrastrukturës dhe digjitalizimit gjithashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Prandaj është mire që ta vazhdojmë me përkushtim Procesin e Berlinit. Tani për tani po ndiejmë se sa e rëndësishme është që Bashkimi Evropian të vazhdojë të perceptohet si një partner i afërt, i besueshëm dhe i mençur i Ballkanit Perëndimor – jo vetëm në sytë e politikanëve, por mbi të gjitha në perceptimin e qytetarëve lokalë. Për shkak se ka edhe zhgënjime, qoftë për shkak të reformave të pamjaftueshme për të forcuar shtetin e ligjit ose luftën kundër korrupsionit. Por edhe sa i përket luftës me pandeminë e koronës, disa shtete mendojnë se BE-ja nuk i mbështet aq mirë sa duhet. Prandaj jam i kënaqur që Bashkimi Evropian po dërgon një sinjal të qartë solidariteti: Nga maji përsëri do të shpërndajmë 650,000 doza vaksinash në vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit gjithmonë duhet të mbështetet me projekte konkrete dhe të prekshme që perceptohen pozitivisht nga njerëzit në rajon. Ato duhet të jenë të dukshme për qytetarët e rajonit dhe të përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme kushtet e jetesës.

Procesi i Berlinit njihet gjithashtu si një dhomë pritjeje për anëtarësimin në BE. A mund të shpresojnë këto vende që nën Presidencën Sllovene të Këshillit të BE në gjysmën e dytë të këtij viti do të arrihet ai progres i zgjerimit që nuk mund të arrihej gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të BE-së?

Ne kemi punuar shumë fort në Presidencën Gjermane të Këshillit të BE-së dhe nuk lamë gur pa lëvizur. Por parakushti për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një konsensus në Këshill. Nuk e arritëm atë vetëm për shkak të bllokadës së një vendi të vetëm. Kjo ishte e hidhur, por nuk po dorëzohemi! Unë i jam shumë mirënjohës Presidencës Portugeze për vazhdimin e këtij procesi. Për shembull, dje në Këshillin e Ministrave Evropianë patëm një informim mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor. Në maj dhe qershor tema e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi do të jenë në fokus të takimeve të Këshillit të Ministrave të Jashtëm dhe Evropianë. Atëherë do të na duhet “drita jeshile” për fillimin e negociatave të pranimit. Sidoqoftë, unë do të bëj maksimumin. BE duhet të mbajë fjalën dhe nuk duhet ta shtyjë procesin e pranimit për këto vende. Na duhen urgjentisht më shumë sinjale pozitive për rajonin! Është në rrezik jo më pak se besueshmëria e BE-së. Dhe sidomos dymbëdhjetë muajt e fundit kanë treguar se BE ka rivalë të sistemit në Ballkanin Perëndimor të cilët po plotësojnë boshllëqet që po u lëmë ne. Është në interesin tonë të mirëkuptuar të lidhim rajonin gjithnjë e më pranë nesh.

Megjithatë, çështjet ndëretnike mbeten të pazgjidhura, si në rastin e Kosovës ose Bosnjë-Hercegovinë. Çfarë duhet bërë, sipas mendimit tuaj, për të mënjanuar përfundimisht fantazi të tilla?

Roth: Unë e pres me gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Qeveria Kurti ka prezantuar një program shumë ambicioz në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ky është një sinjal i fortë dhe qeveria mund të llogaris me mbështetjen tonë. Përveç kësaj, Gjermania do të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave me qytetarët kosovarë. Unë shpresoj që ne në BE së shpejti do të arrijmë një vendim për këtë dhe do ta realizojmë sa më shpejt. Mbi të gjitha, një qëllim që vazhdon të largohet gjithë e më shumë kërcënon të kthehet në mirazh – dhe kështu të humbasë fuqinë e tij tërheqëse dhe transformuese Dhe sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, një gjë është e qartë: pavarësisht nga ndasitë shoqërore, një shumicë dërrmuese e popullsisë boshnjake mbështet një qëllim të përbashkët: një të ardhme në BE. Por është po aq e qartë se vendi tani duhet të trajtojë me vendosmëri reformat që janë kaq të nevojshme për të bërë përparim më të shpejtë në rrugën “nga Dejtoni në Bruksel”. Për shembull, reforma e ligjit zgjedhor duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të kontribuojë në pajtimin dhe bashkëpunimin dhe jo në ndarjen e mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet gazetari slloven që publikoi dokumentin

Cirman: Brukseli nuk mund të mohojë marrjen e kësaj letre


Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin