Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka folur për rifillimin e punës në aeroportin e rinasit, ku u shpreh se nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e kontrollorëve turq dhe grekë.
Ajo tha se kanë qenë kontrollorët shqiptarë ata që janë rikthyer në punë dhe kanë bërë të mundur rifillimin e fluturimeve, edhe pse kontrollorët e huaj kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar.
“Trafiku ajror ofrohet nga kontrollorët e trafikut ajror shqiptar. U jemi drejtuar disa agjencive në rajon edhe EuroControl kemi marrë përgjigje pozitive. Nuk ka qenë i nevojshëm operacioni nga ana e tyre pasi janë kthyer tanët. Ata shprehën gatishmëri po nuk ishte nevoja. Nuk do të paguheshin, bëhej fjalë për një mbështetje nga dy agjencitë e trafikut ajror. Vetem 37 kontrollorë u përfshinë dhe më pas u bënë 48, disa kane qenë me raport për shkak të Covid. Është një moment i vështirë në të gjithë botën sa i përket trafikut ajror. Është një efekt i krijuar në të gjithë botën,”, tha ministrja.
Balluku u pyet se pse nuk kishte një plan B për këtë situatë, ku u shpreh se ky ishte një rast i paprecedentë, pasi kontrollorëve nuk u lejohet ta braktisin vendin e punës.
“Aviacioni Civil nuk sanksionohet as nga qeveria e Shqipërisë, e Italisë apo Gjermanisë. Asnjë qeveri nuk ka lidhje me aviacionin , aplikohen rregulla ndërkombëtare. Nëse ka një sektor që ka plane kontigjence është aviacioni. Ka plane kontigjence, ka plane B, C, D dhe E. Ky rast është i paprecedentë sepse nuk i lejohet është i ndaluar në Kodin e Punës. I ndalohet trafikut ajror që të bëjë grevë”, tha Balluku.