MENU
klinika

Beteja e përgjakur për qarkun e Elbasanit, si ndahen votat mes partive

BIRN: Lëvizjet e Pjerin Xhuvanit nga PDK te LSI e PDIU deri te PS

22.04.2021 - 15:58

Vrasja e ish-zyrtarit publik, 56 vjeçarit Pjerin Xhuvani, mesditën e 21 prillit 2021 në Elbasan vuri në dukje edhe një herë se Elbasani është një qark fushëbeteje, ku në të shkuarën, palët politike kanë përdorur makineri elektorale masive për të ndryshuar vullnetin e votuesve, një praktikë kjo që dukshëm favorizohet nga niveli i ulët ekonomik i qarkut.

Xhuvani u vra në atë që palët e përshkruan si një përleshje të armatosur me shumë plumba të hedhura nga të dyja palët dhe me pesë të plagosur, një prej të cilëve, oficere policie. Policia u tregua lakonike në njoftimin për shtyp të publikuar menjëherë pas ngjarjes pa bërë të ditur nëse forca policore kishte apo jo në vendin e ngjarjes para dhe gjatë përleshjes.

Partia Demokratike në opozitë akuzoi socialistët se po blinin votat e të varfërve ndërsa socialistët akuzuan demokratët se kanë punësuar “forca paraushtarake” në qytet.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili kryeson listën e PD në Elbasan, pranoi se ekipi i tij përfshin një strukturë që ai e cilësoi si “forca e ruajtjes së votës” dhe që sipas tij përbëhet nga ish-oficerë policie të ndershëm. Dy nga të plagosurit raportohet të jenë ish-oficerë të tillë dhe po kështu edhe Arbër Papleka, i cili u arrestua si personi i dyshuar që qëlloi mbi Xhuvanin.

Elbasani ka qenë gjatë të gjithë kësaj fushate elektorale në qendër të vëmendjes së vëzhguesve vendës dhe ndërkombëtarë për shkak të përfshirjes së elementëve të krimit të organizuar në zgjedhjet në këtë qark në të shkuarën.

Qarku i Elbasanit është i përbërë nga shtatë bashki dhe ka 349 mijë votues.

Në vitin 2009, gara mes PD dhe PS në Elbasan përfundoi barazim në numër mandatesh, pavarësisht se PS dhe aleatët e saj patën një numër më të lartë votash. Një betejë politike vijoi, pasi PS pretendoi se kundërshtarët e tyre politikë kishin manipuluar rezultatet e votimit. PD u akuzua mes të tjerash se kishte përdorur pushtetin. Raporti final i OSB/ODIHR vërejti se punonjësit e bashkive u detyruan të marrin pjesë në mitingje elektorale në Peqin (bashki e qarkut Elbasan) dhe Shkodër.

Në zgjedhjet e vitit 2013, PS e përmirësoi edhe më tej rezultatin e vitit 2009 kur pjesëmarrja masive në zgjedhje i dha asaj mbi 75 mijë vota ose 43% të votave të qarkut. Gjithsesi, rezultati i saj në mandate u përkeqësua nga 7 në 6, për shkak se më 2013, PS garoi në aleancë parazgjedhore me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila arriti të marrë 2 mandate në këtë qark duke shfrytëzuar një formulë që favorizonte partitë e vogla në ndarje mandatesh në rast se garonin brenda një koalicioni parazgjedhor.

Në zgjedhjet e vitit 2013, në Elbasan u shfaq si forcë edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila garoi në koalicion me Partinë Demokratike dhe arriti të fitojë një mandat me deputetin Aqif Rakipi, i cili më vonë u dogj nga ligji për dekriminalizimin.

PDIU kaloi në anën e maxhorancës socialiste në vitin 2015, kur në zgjedhjet vendore kandidatët e saj fituan bashkitë Peqin dhe Rrogozhinë, ndërkohë që LSI fitoi bashkitë Cërrik dhe Përrenjas, duke pozicionuar në këtë mënyrë forcat për zgjedhjet e vitit 2017. Kjo bëri që më 2017 votat në Elbasan të ndaheshin mes katër partive, PS, PD, LSI dhe PDIU. PS arriti të marrë 7 mandate ndërsa PD mori tre, LSI 2 dhe PDIU 2 mandate.

Beteja e vitit 2017 duket se u zhvillua mbi bazë bastionesh. Në Peqin, PDIU arriti të marrë 44% të votave, duke lënë pas me distancë të madhe dy partitë historike shqiptare, PS e PD ndërsa LSI mori me shumicë vota në bashkitë e kontrolluara prej saj, Cërrik e Përrenjas.

Dy deputetët e dalë nga PDIU në Elbasan e humbën shpejt mandatin. Aqif Rakipi u shkarkua pasi u identifikua si një person me probleme me drejtësinë në të shkuarën në Itali. I dyti, Bujar Muça, dha dorëheqjen. Dy deputetet zëvendësuese u bashkuan me Partinë Socialiste në pushtet.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet garon në zgjedhjet e së dielës në rradhët e Partisë Demokratike në opozitë, por elementët e PDIU në qarkun Elbasan janë aktualisht te Partia Socialiste. Saimir Hasalla, ish-kryebashkiak i Peqinit, garon në vend të sigurt, i pesti në listën e Partisë Socialiste, ndërsa 27 vjeçari Ornaldo Rakipi, i biri i ish-deputetit Aqif Rakipi, garon në vend të 30 në listën e PS në Tiranë dhe duket se synon të mobilizojë vota në zonën e Kavajës dhe Rrogozhinës.

Pak a shumë, e njëjta gjë i ka ndodhur edhe partisë tjetër të suksesshme në zgjedhjet e vitit 2017, partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ajo arriti të fitojë dy mandate më 2017 në Elbasan, përfshirë mandatin e kryetares aktuale, Monika Kryemadhi, por një nga ish-deputetët e saj, Luan Duzha, të cilin LSI e mori nga Partia Republikane, aktualisht garon për Partinë Socialiste dhe po kështu bën edhe ish-deputeti tjetër, Enver Roshi, i cili u bë deputet pas dorëheqjes së Kryemadhit në vitin 2019.

Angazhimi i dukshëm i elementëve të dyshimtë në garën e Elbasanit edhe në vitin 2021 si dhe historia me përmbysje të mëdha në zgjedhjet e së shkuarës e bën Elbasanin një ndër qarqet me rezultatin më të vështirë për t’u hamendësuar.

Partia Socialiste ka vendosur në pozicion të tetë në këtë qark kryetarin e grupit të vet parlamentar, Taulant Balla. Socialistët nuk i kanë fituar kurrë tetë mandate në tre zgjedhjet e shkuara dhe nuk dihet nëse merkatoja me eksponentët e PDIU dhe LSI do ta ndihmojnë për të thyer rekordin e mëparshëm.

Balla mund të zgjidhet si deputet edhe përmes marrjes së mbi 10 mijë votave pëlqyese si individ, ndërsa në këtë rast ai do të zëvendësojë Luan Duzhën, ish deputetin e republikanëve të kthyer në deputet të LSI të kthyer në kandidat të PS-së.

Demokratët kanë vendosur sekretarin e tyre të përgjithshëm, Gazment Bardhin të parin në listën e Elbasanit, ndërsa në vendin e shtatë është politikanin vendës, Luçiano Boçi, profesor në Universitetin e Elbasanit. Boçi e gjen veten në pozicionin e vështirë të marrjes së votave pëlqyese personale.

Demokratët kanë vendosur gjithashtu politikanin e tyre me eksperiencë, Dashnor Sulën, për të rikuperuar diçka nga votat e humbura te PDIU në zonën e Peqinit më 2017, ndërsa Eugen Isaj, kryetar i degës së PD-së në Elbasan është pozicionuar i pesti. Partia Demokratike mori më pak se 34 mijë vota në Elbasan më 2017, nga 48 mijë më 2013, ndërsa votat e saj dukshëm u gërryen nga LSI e PDIU, por në njëfarë mase edhe nga pjesëmarrja më e ulët.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mobilizuar kryetaren e vet, Monika Kryemadhi si dhe ish-kryebashkiakët Altin Toska dhe Miranda Rira, ndërsa Sokol Skura, i lakuar në të njëjtin skandal me Pjerin Xhuvanin që u vra në përplasje me armë të mërkurën, garon i pesti në listat e LSI. Skura u gjet i pafajshëm nga prokuroria. Vetë Xhuvani ka pasur një histori zhvendosjesh politike nga PDK te LSI dhe PDIU, e së fundmi, te PS.

Por se nga do ta shpien makineritë politike rezultatin në Elbasan në zgjedhjet e së dielës, kjo mbetet për t’u parë./BIRN