MENU
klinika

Zgjedhjet e 25 prillit

Celibashi: Nëse fleta e votimit do të ishte me emra, nuk do të kishim kaq shumë vota të pavlefshme

30.04.2021 - 17:46

Numri i lartë i fletëve të pavlefshme të votimit ka ardhur për shkak edhe të vendosjes së numrave dhe jo të emrave në fletë.

Kështu u shpreh komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për media, teksa publikoi edhe rezultatet paraprake të kandidatëve fitues në 12 qarqet e vendit. Sipas tij, kjo është një çështje subjektive, por thekson se nga KQZ-ja nuk mungoi informacioni mbi mënyrën e votimit.

“Me fletën varet si është organizuar informacioni dhe është herët për të bërë këtë vlerësim, por KQZ-ja arriti të bënte një fushatë informimi dhe edukimi si asnjëherë tjetër, por kemi një numër të madh të fletëve të pavlefshme. Se të them që mungoi informacioni nuk e them dot, se KQZ-ja ka zhvilluar një fushatë të gjerë informimi dhe edukimi.

Unë nuk dua të bëj profetin, por në vlerësimin tim nëse fleta do të ishte me emra, ndoshta mund të ishte ndryshe, por vendimmarrja e KAS dhe Kolegji konsideruan se me numër ishte më e thjeshtë. Është çështje subjektive, por fakt është që kemi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme”, tha ai.

Sipas Celibashit, numri i madh i fletëve të pavlefshme tregon që kanë votuar për dy subjekte, ndërsa për votimin elektronik thotë ai mundësia për pavlefshmëri është zero:

“Numri i madh tregon që kanë votuar dy subjekte që nuk duhet t’i votonin, janë votuar kandidatët e një subjekti. Në votimin elektronik mundësia për pavlefshmëri është zero, por në KZAZ 40 ne zgjodhëm edhe opsionin e zgjedhjes së asnjë kandidati dhe kjo e bën të pavlefshme. Të gjitha këto janë se ata nuk kanë dashur të zgjedhin asnjë subjekt në këtë KZAZ”.

I pyetur në lidhje me pasuesin e Monika Kryemadhit nëse vendoset për të në Qarkun e Fierit, ai tha se kjo vendimmarrje i takon komisionerit dhe theksoi se do ta bëjë publike sapo të merret një vendim i tillë:

“Kjo është çështje e vendimmarrjes së komisionerit. Nuk dua ta bëj sqarimin para se të marr vendimin. Në çdo rast kodi është i interpretueshëm. Nga nesër do të fillojmë me miratimin e tabelave për çdo qark për partitë e kandidatët”.

Ai pohoi se deri në këto momente nuk ka asnjë lloj kontestimi në lidhje me procesin zgjedhor.

REMOTE_ADDR:[]