MENU
klinika

Amerika jep sinjalin e hapjes

“Çmendet” Texasi, 40 mijë tifozë në stadium

07.04.2021 - 12:14

Sinjali i parë i fortë i rikthimit të botës në normalitet pas pandemisë vjen nga Teksasi. Ndeshja e Major League në bejzboll, mes ekipit vendës Texas Rangers dhe atij mik të Toronto Blue Jays, u zhvillua me publik.

Kjo ishte ndeshja e parë pas një viti që zhvillohet me spektatorë në stadium. Por numri i tifozëve nuk kishte kufizim. Stadiumi “Globe Life Field” ishte në kapacitet të plotë, teksa mirëpriti mbi 40 mijë spektatorë.

Mes tyre edhe një grup i madh mjekësh dhe infermierësh që gjatë vitit të fundit kanë qenë në vijën e parë të betejës ndaj koronavirus. Skuadra teksane shfrytëzoi miratimin që guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, dha për të zhvilluar të gjitha eventet sportive pa limit spektatorësh.

Kushti i vetëm ishte që tifozët të mbanin maska. Jo të gjithë e respektuan këtë rregull, por ndeshja u zhvillua normalisht. Toronto fitoi 6-2, por teksanët u dëfryen edhe njëherë tjetër si një vit më parë kur shkonin normalisht në stadium.

Gjithsesi, nga shtetet e tjera në Amerikë ka pasur kritika për vendimin e fundit të guvernatorit të Teksasit, i cili akuzohet se po bën imunizimin e tufës.