MENU
klinika

Nis vaksinimi i punonjësve të…

COVID-19, bie në 5 për qind shkalla e infeksionit!

24.04.2021 - 08:52

Mundësia që Shqipëria të ketë arritur imunitetin natyror po bëhet ditaditës edhe më e prekshme.

Kjo dëshmohet së pari prej shkallës së infeksionit që është raporti ndërmjet të testuarve dhe të infektuarve dhe së dyti duke parë situatën në spitale.

SITUATA

Sa u takon rasteve të reja, dukshëm bie në sy një ulje e ndjeshme e rasteve të konfirmuara pozitive. Konkretisht, të premten janë raportuar vetëm 157 raste të reja, nga 3079 testime të kryera. Kjo do të thotë që vetëm 5 për qind e të testuarve kanë rezultuar të infektuar. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 40 raste në Tiranë, 17 raste në Korçë, 9 raste në Shkodër, 8 raste në Skrapar, 7 raste në Durrës, Devoll, Gramsh, 6 raste në Fier, 5 raste në Elbasan, Lushnjë, 4 raste në Gjirokastër, Pogradec, Peqin, 3 raste në Vlorë, Vau Dejës, Malësi e Madhe, Patos, 2 raste në Kurbin, Mirditë, Kamzë, Sarandë, Shijak, Maliq, Këlcyrë, 1 rast në Mallakastër, Përmet, Delvinë, Dibër, Kolonjë, Cërrik, Poliçan”. Lidhur me situatën në spital, shifrat po ashtu dëshmojnë një rënie të numrit të pacientëve të shtruar. Aktualisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 155 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Çka do të thotë se vetëm 0.5 për qind e të prekurve aktivë janë duke marrë trajtim mjekësor spitalor. Nga ana tjetër, gjysma e dytë e muajit prill ka sjellë po ashtu edhe një rënie të fataliteteve. Në 24 orët e kaluara janë regjistruar 3 humbje jete si pasojë e COVID-19. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 3 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Skrapari, të moshave 62-78 vjeç”, ka bërë me dije Ministria.

VAKSINIMI

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, dje nisi edhe vaksinimi i punonjësve të fasonerisë. Ministrja Manastirliu tha se në këtë fazë të parë do të aplikohet kriteri i moshës dhe i sëmundshmërisë. “Fillojmë sot vaksinimin nëpër fasoneri. Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale përpunuese.

Janë rreth 60 mijë punonjës, por ne kemi vendosur kriteret e para për vaksinimin, që është kriteri i moshës dhe sëmundshmërisë. Sot kemi filluar në fasoneri, por me listat në vijim do të fillojmë edhe në qendrat tona të vaksinimit të përqendruar, për të mos ndërprerë procesin e punës, por ndërkohë për të siguruar mbrojtje për të gjithë punonjësit”, deklaroi Manastirliu.

Në total deri tani janë kryer 383.008 doza vaksine antiCOVID-19, prej të cilave mbi 296 mijë doza për personat mbi 60 vjeç, ndërkohë që ka përfunduar vaksinimi me disa prej kategorive të punonjësve të shërbimeve kritike, si bluzat e bardha, arsimtarët, uniformat blu, punonjësit e medias. Vijon vaksinimi për qytetarët +60 vjeç, punonjësit e shërbimeve hoteliere dhe kategoria e re janë punonjësit e fabrikave me material porositësi, ku janë rreth mbi 60.000 të punësuar.