MENU
klinika

Vaçe...

Datëlindja e divës!

07.04.2021 - 16:30

          “Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur, moj bijë?! Por, po na lë pa gjumë’”.

Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të vitit 1939, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë; e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.

Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, teksa poeti Visar Zhiti, do ta quante zërin e Vaçes, një pjesë të lirisë së munguar.

Do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë paskësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio-Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, me interpretimin e shumë këngëve, kolonë zanore të filmave.

Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit, çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera, do të mbeteshin në fondin e artë.

Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” më 1973, “Artiste e Popullit” më 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjës”, po në qytetin e lindjes. Kinoteatri mori emrin e saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit.

Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontributin në shoqëri në vitin 1997, është zgjedhur gruaja e vitit në 1997-1998 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij, mes 500 njerëzve më me influencë.

Viti 1991, do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje

Karriera muzikore
Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Këngët
Vaçja, e parapëlqyera e kompozitorëve
Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare: Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ikona e këngës shqiptare me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Vaçe Zela u nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vaçe Zela dhe Anita Take së bashku në Moskë

Dy ikona të muzikës shqiptare në një foto

Çfarë nuk dinit për Vaçe Zelën

Të pathënat e divës së muzikës shqiptare


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen