Fondi Monetar Ndërkombëtar është optimist që ekonomia shqiptare do të arrijë nivelin e parakrizës që këtë vit.
Në të dhënat e publikuara të Pasqyrës Ekonomike Globale të prillit, FMN parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), me çmime korente në 2020-n të arrijë në rreth 17.1 miliardë lekë, duke e tejkaluar nivelin e para pandemisë. Më herët, fondi parashikonte se niveli i parakrizës do të mund të tejkalohej vetëm në vitin 2022.
Rishikimi i shifrave erdhi, pasi FMN përmirësoi vlerësimin për ecurinë ekonomike për vitin 2020, me një rënie prej -3.5%, nga -7.5% që ishte pritshmëria fillestare një vit më parë, kur sapo kishte filluan pandemia.
Rishikimi erdhi në linjë me publikimet zyrtare të INSTAT, sipas të cilave ekonomia u tkurr me 3.31% në 2020-n, më pak edhe se vetë pritshmëritë e qeverisë prej -4.5%. Më pesimistja ishte Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që priste një tkurrje prej -9% në 2020-n, e nisur nga varësia e lartë që ka ekonomia nga turizmi.
Në rajon, Shqipëria ka rënien më të ulët pas Serbisë (-1%). Shteti ballkanik më i goditur nga pandemia në 2020-n ishte Mali i Zi, me -15.2%, duke pasur ecurinë më negative nga gjithë Europa në Zhvillim. Maqedonia Veriut u tkurr me -4.5%, Kosova me -6%, Bosnjë Hercegovina me -5.5%.
Një tjetër shtet me varësi të lartë nga turizmi, Kroacia, u tkurr me -9%, sipas tabelave të FMN-së. Shteti i vetëm me rritje në Europën në zhvillim është Turqia, me +1.8%.
Sipas INSTAT, ekonomia humbi 560 milionë euro nga pandemia
Në vitin 2020, ekonomia ka humbur rreth 71 miliardë lekë, (560 milionë euro), si rrjedhojë e pandemisë që ktheu përmbys gati të gjithë sektorët në vend.
Sipas të dhënave të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), që llogarit vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një periudhë të caktuar, në vitin 2020 ishte 1.61 trilionë lekë (gati 13 mld euro), nga 1.68 trilionë lekë në 2019-n, duke u tkurrur me -4.2% në vlerë nominale dhe -3.3% në vlerë reale (duke llogaritur dhe deflatorin e PBB-së, prej -0.9%, që është negativ, ndonëse inflacioni mesatar në 2020-n ishte 1.6%!).
Të dhënat e detajuara vjetore të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se nga 11 aktivitete kryesore ekonomike, vetëm 3 prej tyre ishin me rritje, “pasuritë e paluajtshme”, “ndërtimi” si dhe “Administrata publike; arsimi; shëndetësia”. Të gjithë sektorët e tjerë ishin me rënie, më e fortë në grupin “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që vuajtën direkt pasojat e kufizimeve dhe ndalimit të udhëtimeve, si dhe në industri (shiko grafikun: Ndryshimi i PBB-së në vlerë, sipas aktiviteteve ekonomike).
Pavarësisht shifrave të ulëta të rënies ekonomike, gjeneratorët kryesorë të punësimit kanë marrë një goditje të fortë. Dy sektorët me rënien më të lartë “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” dhe industria kanë gjithsej 340 të punësuar sipas INSTAT, ose 64% të të punësuarve në sektorin privat jobujqësor./ Monitor