MENU
klinika

Fasonët në krizë

Industria paralajmëron mbylljen e 20 mijë vendeve të punës

10.04.2021 - 09:01

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka hyrë në një cikël rënie, që ka nisur para pandemisë, në vitin 2019. Aplikimi i masave kufizuese në vendet e BE-së ka ulur porositë për fabrikat e këpucëve në 65-75% në shkurt – mars 2021 dhe për veshjet në 30-40%. 

Fabrikat po përballen me falimente dhe lajmërojnë 20 mijë largime nga puna në 6-mujorin e parë 2021. Në mungesë të mbështetjes me likuiditet, prodhuesit shqiptarë nuk përfituan nga kërkesa e re që nxiti pandemia dhe nga ndryshimi i zinxhirëve të furnizimit. Pritshmëritë për rikthim në normalitet janë shtyrë në fund të vitit 2023.

Fabrikat lajmërojnë shkurtimin e 20 mijë vendeve të punës në 6-mujorin e parë

Fabrikat e këpucëve dhe veshjeve pritet të nxjerrin të papunë rreth 20 mijë persona në 6-mujorin e parë të vitit, si pasojë e thellimit të mëtejshëm të krizës. Përllogaritjet i bëri Shoqata e Fasonëve “Pro-Eksport”, e cila grumbulloi të dhënat nga fabrikat, shumica e të cilave kanë pësuar rënie të porosive me mbi 70%.

Prej muajsh në vështirësi dhe pa mbështetje financiare, ata e kanë të pamundur të mbajnë fuqinë punëtore në punë. Kryetari Edvin Prençe tha se, çdo ditë që kalon është humbje e madhe në vende pune, rënie të eksporteve etj. Për mungesë likuiditeti, thotë z. Prençe, fabrikat shqiptare nuk po munden të përshtatin teknologjinë për t’iu përgjigjur kërkesës së shpejtë, për disa produkte nga vendet europiane.

Deri në vitin 2019, sektori fason ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës, që nuk kërkonin kualifikim. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, mbi 6500 biznese në të gjithë vendin, shumica në sektorin fason, kërkuan të punësonin 45 mijë persona në vitin 2019 nëpërmjet zyrave të punës. Para se të niste kriza  e pandemisë, fabrikat e këpucëve dhe veshjeve po vuanin nga mungesa e punonjësve. Pagat e ulëta nuk i joshnin më të rinjtë që po zgjidhnin punësimin në call center, kurse emigracioni shteroi forcën e re të punës.

Në vitin 2020, situata ndryshoi kryekëput. Oferta për punë nga bizneset nuk arriti më shumë se 200-300 vende në zyrat e punës, ndërsa shumë punëkërkues të rinj të papunë u dyndën për regjistrim. Punësimi në sektorin fason u rrit me shpejtësi në dekadën e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në vitin 2019, fabrikat e veshjeve dhe të këpucëve kishin punësuar me pagë rreth 56 mijë persona nga rreth 25 mijë të tillë në vitin 2010. Shpenzimet për paga të fabrikave arritën në rreth 21 miliardë lekë në vitin 2019.

Arritjet në punësim u kthyen përmbys gjatë periudhës së pandemisë dhe do të vijojnë të shfaqin vështirësi edhe në periudhën afatmesme, pasi fabrikat shqiptare nuk mund të konkurrojnë për të kapur pjesën e zvogëluar të porosive nga vendet e zhvilluara.