MENU
klinika

Drejtori i Mercedes

“Ferrari nuk është rivali ynë kryesor këtë vit”

01.04.2021 - 11:38

Mercedes u paraqit shumë mirë në garën e parë sezonale të Formula 1. Pavarësisht vështirësive në teste, skuderia kampione tregoi edhe njëherë tjetër se mbetet pretendentja edhe për këtë vit.

Toto Wolff, drejtori sportiv i Mercedes, u shpreh se makina e Red Bull është rivalja e saj kryesore për titull këtë sezon, duke mos i konsideruar njëvendëshet e tjera si favorite. Wolff tha se McLaren apo Ferrari nuk kanë për të ndikuar në betejën për titull edhe këtë sezon.

“Bahrein nuk ka qenë kurrë një pistë e përshtatshme për Red Bull, por u paraqitën mjaft mirë. Këtë vit ata e nisën mjaft mirë sezonin, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Ndaj, këto të dhëna e bëjnë Red Bull rivalen tonë më të fortë. Sfida e titullit do të vendoset nga detajet e vogla në çdo garë. Ferrari, McLaren apo ndonjë makinë tjetër do ta kenë të vështirë të dublojnë me ne” – u shpreh Wolff.

Ndërsa piloti spanjoll i Ferrarit, Carlos Sainz, ka kërkuar nga njëvendëshja italiane një makinë më të shpejtë për garat e ardhshme. Në debutimin sezonal në Bahrein, ai u klasifikua në vendin e tetë.

Sainz mori pikët e para, por sipas tij, duhet të ishte më lart, mes 5 vendeve të para. Gara e dytë sezonale do të zhvillohet në Itali më 18 prill, në një pistë e dashur për Ferrarin, por mungesa e spektatorëve nuk ka adrenalinën e viteve të mëparshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN