MENU
klinika

"Basha varet nga LSI"

Ftesa e Ramës për bashkëqeverisje/ Mentor Nazarko: Nuk ishte serioze, e ka kërkuar për…

16.04.2021 - 09:06

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në emisionin në emisionin “Log.”, në ABC news, me gazetarin Endri Xhafo, ka komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama, për bashkëqeverisje me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Para se të komentonte refuzimin e ftesës, Nazarko tha se ishte zhgënjyer nga qëndrimi i zotit Basha lidhur me vaksinat, dhe tha se për këtë çështje priste që të bëhej ftesa për bashkëpunim.

“Për mua ishte zhgënjyes qëndrimi që mbajti zoti Basha ndaj vaksinës, nuk prisja një pozicionim të tij neto kundër vaksinës, në momentin që ato janë siguruar. Unë e prisja që nëse do të kishte një ftesë për bashkëpunim, midis opozitës dhe qeverisë, të ishte për vaksinimin. Një lloj stafete ku të dy palët të thoshin ‘Shiko e heqim vaksinën’, madje Bashës i leverdiste ta hiqte vaksinën nga tema elektorale dhe të dilnin të dy të thoshin “Do vaksinohemi, duhet të vaksinohemi. Rama e humbi këtë moment”, tha Nazarko.

Ai tha se ftesa e kryeministrit ishte aspak serioze, pa një axhendë konkrete, madje fyese.

“Ftesa e bërë tani është diversive. Synon me gjasë të prekë edhe elektoratin gri, që kërkon normalitet, që nuk do tranzicion të fuqishëm, të egër, të ashpër. Unë mendoj që Shqipërisë i nevojitet për të demonstruar në mënyrë përfundimtare kapërcimim e tranzicionit, një qeveri me bazë të gjerë. Ftesa e Ramës do të ishte serioze, nëse do kishte axhendë, pra ‘Hajde bashkohemi, për një, dy, tre katër gjëra’. Ti nuk mund të ftosh dikë të bashkohet, por t’i thuash ‘Ti do jesh udhëndjekësi i X-it’. Ishte fyese, jo serioze.”, tha analisti.

Nazarko argumentoi se normaliteti i përgjithshëm sigurohet kur tranzicionet nuk janë të egra, ose kur krijohen qeveri me bazë të gjerë.

“Nga këndvështrimi i interesit publik duke u raportuar me të kaluarën e Bashës, ai është normal si fytyrë, është normal si ekuilibër mendor, etj. Po normaliteti ynë i përgjithshem si sigurohet? Sigurohet kur traanzicionet nuk janë të egra, kur janë tranzicione normale pushteti, ose kur krijohen qeveri me bazë të gjerë, për axhendën e integrimit evropian. Do mjaftonte vetëm ky objektiv për ta siguruar këtë. E dyta për të injektuar në masë, në popull vërtetë idenë e normalitetit, që sigurohet kur dy liderë kombëtarë thonë ‘Në emër të interesit kombëtar, e zbehim jetën politike partiake, i japim rëndësi institucionit, korrupsionin ta luftojë SPAK, i japim përpari axhendës së integrimit, afrimit me Kosovën, etj.”

Analisti tha se Basha i vitit 2021 është më mbrapa se Basha i vitit 2009, për një arsye.

“Në 2009, Basha përballë Ramës tha ‘Rama ka bërë gjëra të mira në mandatin e parë, por mandatin e dytë e të tretë, u përqendrua tek partia’. Pra jemi në kushtet, ku stafeta, tranzicioni, ndodh ekzaktësisht në normalitet, i njeh meritat paraardhësit, dhe vazhdon. Basha i vitit 2021, është më mbrapa se Basha i vitit 2009, që kishte këto shkëndija të forcës së qetë. Madje, Basha nuk kapërceu dot Berishën, i cili u pajtua me gjithë kundërshtarët e vet. Basha do të ishte normal nëse do të kishte pranuar kundërshtarët e vet.”, tha Nazarko.

Duke komentuar qëndrimin e zotit Basha kundrejt partisë tjetër opozitare, LSI, që e sulmonte në vitin 2017, anlisti Nazarko tha:

“Në këto zgjedhje, duam apo s’duam, Basha varet nga LSI. Nuk mund të japë kurrsesi mesazhe që dekurajojnë opozitën, pra, as thotë që është me ata, por as nuk thotë diçka që do t’i provokonte ndjeshëm”. /konica.al