MENU
klinika

Shifra të frikshme për norvegjezin

Haaland “minierë ari”, agjentët duan 40 mln euro

05.04.2021 - 15:42

Kylian Mbappe dhe Erling Haaland po magjepsin Europën me golat e tyre dhe çdo skuadër do të donte t’i kishte në skuadër, nisur edhe nga mosha e re. Që Barcelona e dëshiron Haaland në ekip, nuk është më sekret. Edhe që nënshkrimi me norvegjezin nuk do të jetë aspak i lehtë, dihet me siguri.

Sulmuesi i Borussia Dortmund është i hapur për të dëgjuar ofertat, por klubi që dëshiron ta marrë atë do të duhet të bëjë një përpjekje të konsiderueshme financiare. Pas takimit të enjten e kaluar midis babait, Alf Inge, dhe agjentit të Haaland, Mino Raiola, me Barçën, RAC 1 ka zbuluar detaje të bisedës.

Konkretisht, zbulohen shifrat ekonomike që mjedisi i lojtarit kërkon për transferimin e tij. Sipas medias së lartpërmendur, si babai i Haaland, ashtu edhe Mino Raiola do t’i kishin kërkuar Barçës 40 milionë euro komisione për nënshkrimin e lojtarit, përveç një shpërblimi prej 30 milionë neto në sezon për norvegjezin.

E gjitha kjo pa llogaritur atë që Borussia kërkon për transferimin e tij, e cila sigurisht nuk do të jetë pak, rreth 80 milionë euro. Erling Haaland e ka të qartë se nuk do të ketë mungesë të të interesuarve, ndaj përfaqësuesit e tij synon ta shfrytëzojë situatën.

Takimi me Barçën ishte i kënaqshëm, por pretendimet ekonomike janë më së paku befasuese për presidentin Joan Laporta.  Mino Raiola njihet si një ndër agjentët më të mirë në futboll, teksa ka nën menaxhimin shumë lojtarë të njohur, si Ibrahimovic, Pogba, Donnarumma.

Raiola po punon aktualisht, pasi ofertat për Haaland janë të shumta. Norvegjezi pritet të transferohet në një ekip të ri gjatë merkatos së verës dhe në operacionin e transferimit Mino Raiola pritet të marrë komisionin e tij.

Agjenti do të përfitojë një shifër të pabesueshme, ku bëhet fjalë për rreth 30 milionë euro, çka do të ishte rekord nga komisionet. Kujtojmë se agjenti në fjalë ka fituar edhe 10 milionë euro më parë nga transferimi i Haaland nga Salzburgu te Dortmund.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN