Një incident është regjistruar në qytetin e Laçit një ditë para zgjedhjeve. Gjatë natës është gjetur e hapur dritarja e një objekti KZAZ-je.
Konstatimi është bërë mëngjesin e sotëm nga përfaqësues të KZAZ-së, të cilët kanë lajmëruar policinë si dhe KQZ-në.
Policia ka nisur verifikimet nëse ka hyrë ndonjë person brenda, ndërsa pritet që në vendngjarje të mbërrijnë edhe ekspertët e KQZ-së. Ata do të verifikojnë nëse ka pasur prekje apo dëmtime të materialeve zgjedhore.
Sipas kryetarit të ZAZ Kurbin Islam Ismaili, një dritare është gjetur e hapur dhe dikush ka lënë gjurmë tek pravazi i saj, ndërsa baza materiale rezulton të jetë e paprekur. Ndërkohë që ende nuk ka nisur shpërndarja e tyre në qendrat e votimit.
Ndërkohë ende nuk dihet nëse është marrë ndonjë material, por po pritet vendimi nga KQZ-ja për shpërndarjen e materialeve zgjedhore. Ndërkaq, në KZAZ-të 12 dhe 13 në Lezhë ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore për në qendrat e votimit.