MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Janë të verbër se nuk duan të shohin, jo se nuk i kanë sytë në ballë

20.04.2021 - 18:02

Zgjedhjet e kësaj të diele do të mbahen mend përveç të tjerash, edhe për shkak se kanë zbuluar një lloj të ri miopie, tek një kategori e caktuar njerëzish në Shqipëri. Është kategoria e atyre që janë të verbër, jo se nuk i kanë sytë në rregull, si gjithë ata që Zoti u ka dhuruar mundësinë për të parë normalisht. Jo.

Është një grupim i veçantë njerëzish që refuzojnë të shohin dhe të pranojnë diçka që nuk e kanë bërë dot vetë. Ndaj nuk duan që të shohin, as bardh e zi dhe as me ngjyra. As larg, e as afër. As me sytë e ballit dhe as me ato të mendjes punët e mira që kanë bërë të tjerët. Duket se vuajnë nga një sintomë e rrallë, që i bën të kenë frikë, nga shikimi i gjërave të reja, të bukura e të dobishme për shoqërinë dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Është një lloj specifik miopie, që shkaktohet nga errësimi përgjithmonë i syve, për shkak të politikës. Jo për shkak të politikës në përgjithësi, por për shkak të qenies në opozitë. Simtomat e saj nis e shfaqen në atë momentin kur u kanë shteruar të gjitha arsyet dhe argumentat për ta mundur kundërshtarin në mazhorancë, ndaj vendosin që të përdorin armën e tyre të fundit: Refuzimin për të parë çdo gjë. Mbi të gjitha, çdo punë të bërë, në të mirë të publikes dhe interesit të përbashkët.

I dëgjon teksa refuzojnë gjithmonë e më prerë, që të shohin se Shqipëria është e para ndër dhjetë vendet e rajonit, përsa i përket ritmeve të vaksinimit ndaj covid-19 për çdo 100 banorë.

I dëgjon tek refuzojnë që të shohin, se numri i vaksinave që po vijnë çdo ditë në Aeroportin e Rinasit, është ndër më të lartët në Europë për frymë të popullsisë.

I dëgjon tek refuzojnë që të shohin, se grafiku i infektimeve të qytetarëve nga pandemia, sa po vjen e po ulet në mënyrën më të shpejtë të mundshme.

I dëgjon tek refuzojnë që të shohin se për rrjedhojë, edhe grafiku i viktimave të shkaktuara nga virusi vrasës, sa po vjen e po shkon me shpejtësi drejt zeros.

E pasi e kupton se nuk duan që të shohin këtë që është procesi më i rëndësishëm për jetën e tyre personal, familjeve dhe më të afërmve të tyre, është shumë me e lehtë që të kuptosh se përse refuzojnë edhe çdo gjë tjetër, që është më pak e rëndësishme sesa shëndeti.

Kështu që mos prisni pas kësaj nga opozitarët tanë dhe propaganda e tyre, të shohin sesi po ringrihen nga gërmadhat, të gjitha objektet e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 përmes projektit të madh të rindërtimit.

Mos prisni që ta shohin avionin e “Air Albania”, teksa ulet për here të parë në pistën e Aeroportit të Kukësit.

Mos prisni që të shohin, projektin e rilindjes urbane të 61 qendrave dhe zonave me potencialet më të larta zhvillimit të turizmit.

Mos prisni që të shohin, projektin e rilindjes së 100 fshatrave me potencialet më të mëdha për zhvillimin e shpejtë të agroturizmit në vend.

Mos prisni që të shohin autostrada, bulevarde, unaza, rrugën e Arbrit apo të Lumit të Vlorës që po përfundojnë. Mos prisni që të shohin pas kësaj tunelet, by passet, mbikalimet e nënkalimet, rrugët e urat që po lidhin Shqipërinë anekënd nga veriu në jug, e nga lindja në perëndim me një rrjet rrugor të standardeve gjithmonë e më të mira.

Mos prisni që të shohin spitalet e reja. Qendrat shëndetësore. Shkollat. Stadiumet. Pallatet e sportit. Palestrat. Parqet. Këndet e lojërave. Lungomaren. Sheshet. Shëtitoret. Pyllëzimet. Kanalizimet. Shërbimet online. Projektet e reja në hidrocentrale. Termocentrale. Rivitalizimin e objekteve të trashëgimisë së kulturës, e kështu pambarimisht.

E vetmja gjë që sheh kjo kategori të verbërish është çdo qime në mjekrën e Edi Ramës, që e shndërrojnë në traun dhe pyllin imagjinar, të skandaleve të paqena të mazhorancës së tij. E gjitha kjo, vetëm e vetëm në funksion të ëndrrës së tyre, për tu rikthyer në pushtet. Ata vetë nuk kanë asgjë për tju treguar se çdo të bëjnë në të ardhmen, ndaj refuzojnë që të shohin, çdo gjë të mirë të së sotmes!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“PS bëri atë që duhet të bënte opozita…”

Refuzoi kandidimin/ Alfred Peza: S’ka lidhje me pozicionimin në list


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin