MENU
klinika

Misteri i një fati...

Juri Gagarin, njeriu i parë që fluturoi në Kozmos

12.04.2021 - 12:11

         12 prill 1961, ishte dita që ndryshoi historinë. 108 minuta në bordin e anijes “Vostok”, lëshuar nga Baikonur, baza historike e Rusisë në Kazakistanin e sotëm. Arritja sovjetike mahniti botën. Njeriu i parë fluturoi në hapësirë dhe u kthye i sigurt, duke u bërë kështu personi më i famshëm në botë. Në atdhe u përshëndet si yll roku, kurse shtetet anekënd botës nxitonin ta ftonin për vizitë./Konica.al

12 prill 2021, mbarë Rusia feston “Festën e kozmonautikës”. Nëse dërgimi i njeriut të parë në hapësirë ​​mbetet një simbol i mrekullueshëm, çfarë mbetet sot nga industria hapësinore ruse? A ka arritur të rimëkëmbet, që nga rënia e BRSS-së? A është përparësi, kjo?

Gjashtëdhjetë vjet më parë, në orën 10:02 me kohën e Moskës, agjencia e lajmeve “TASS” transmetoi raportin e fluturimit të parë në hapësirë, që u bë lajmi më i rëndësishëm botëror. Në Bashkimin Sovjetik, qytetarët braktisën gjithçka kishin në dorë. Populli rrinte i ngjitur pas radios, para stendave të gazetave shtriheshin radhë të gjata, kurse në sheshet e Moskës dhe qyteteve të tjera gëlonin turmat e gëzuara.

“Dita e punës ishte përmbysur: u kthye në festë, njerëzit i mbërtheu euforia, papritmas i panjohuri Juri Gagarin, pëshpëritej nga të gjithë”, – kujton inxhinieri Lev Muzurov.

Gagarin lindi në një familje të varfër, në rrethinat e Rusisë. Jo shtatlartë, ai ishte shumë i përulur dhe mund të magjepste këdo me buzëqeshjen e tij ikonë. Bashkëkohësit kujtojnë se ishte herët për t’u larguar. Nuk ishte gati për famën e madhe që iu shpalos papritur, megjithëse mbeti një person i ndrojtur dhe i qetë, gjithmonë i mirë dhe i ndershëm.

Më 14 prill, dy ditë pas fluturimit të suksesshëm, Gagarin u dërgua në Moskë me çarter të posaçëm. Në pranverën e vitit 1961, Gagarin filloi një turne botëror, duke vizituar më shumë se 30 vende, nga Kuba në Japoni donin ta shihnin atë dora vetë. SHBA-ja ishte një nga të paktat vende që nuk e ftoi kozmonautin. Piloti nuk ishte më vetja, por një personalitet mediatik, në çdo kohë ai duhej të “ruante imazhin” dhe të kënaqte adhuruesit me buzëqeshjen karakteristike. Gjeneral-koloneli i Forcave Ajrore, Nikolai Kamanin, i cili e shoqëronte Gagarinin në udhëtimet jashtë vendit, kujton: “Thuajse të gjitha gazetat vunë në dukje, se udhëtimi i Gagarinit vërtetoi se sa njeri i madh është. Bisedoja përditë me këtë njeri të madh, mes luksit dhe salltaneteve të papara, por vëreja se ai, thjesht donte të çlodhej, vetëm, diku me një kallam peshkimi në një lumë jashtë Moskës…”./Konica.al

Po ashtu, Gagarini u takua edhe me Elizabetën II, e cila, së fundmi ndau përshtypjet për takimin e tyre, duke thënë se ai ishte shumë simpatik, edhe pse nuk fliste fare anglisht. Kurse Gagarin e kujton kështu, takimin me mbretëreshën: “Hëngra mëngjesin me mbretëreshën, në Pallatin Bukingham. Ç’i thoni kësaj! Mbretëresha ishte shumë njerëzore dhe e sjellshme. Ne folëm për motin, për hapësirën dhe për përshtypjet e mia. Bisedova me [Princin Filip] për aviacionin dhe makinat e reja… I dhashë një libër. Ajo ishte shumë e lumtur. Në kthim, ajo më dhuroi një fotografi familjare”.

Gagarin ishte jashtëzakonisht popullor. Njerëzit, të rinj e të moshuar, ëndërronin të takonin kozmonautin e parë në botë, ndërsa vetë Gagarini qëndroi modest për famën dhe lavdinë që i ofroi fati. Mishërimi i heroit popullor dhe ambicieve hapësinore të BRSS-së, Juri Gagarin festohet, si çdo vit, në vendlindje. Megjithatë, tashmë duket se nostalgjia ka zëvendësuar ndjenjat e triumfit dhe krenarisë, pasi nuk është sekret që industria hapësinore në Rusi është në rënie. Dëshmi për këtë është lëshimi, majin e kaluar, i raketës së parë të kompanisë amerikane “SpaceX”, e cila mund të shënojë dhe fundin e monopolit rus për anijet kozmike.

Juri Gagarin është njeriu më i famshëm në Rusi. Mirëpo, siç ndodh shpesh me njerëz si ai, personaliteti i tij i vërtetë do të mbetet gjithmonë mister. Në fakt, shumë nga biografitë e epokës sovjetike të Gagarinit janë redaktuar ose ndryshuar për të ruajtur imazhin e njeriut ideal sovjetik.

“Si të tjerët, edhe unë kam bërë shumë gabime. Kam dobësitë e mia. Askush nuk duhet idealizuar. Të gjithë duhet të pranohen ashtu siç janë në jetën reale. Hera-herës ndihem si lodër ledhatare, si një palë këpucë të mira, kjo më sjell pështjellim”, – shkruante ai në ditar.

Bota do të kujtojë përherë, me atë fytyrë foshnjore dhe buzëqeshje të çiltër burri, që u bë ikonë, jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por në të gjithë botën. Dikush që vdiq para kohe, në moshën 34-vjeçare, vetëm 7-vjet pas aktit të famshëm./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë shkruante Indro Montaneli në vitin 1961?

“Juri Gagarin në hapësirë. E ç’na mbetet ne tokësorëve?”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit