MENU
klinika

Prekin nivelin më të lartë prej 2012-tës

Karburantet dhe kafja, rekord importesh

24.04.2021 - 12:22

Shifrat zyrtare të tremujorit të parë të vitit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sa i përket importit të mallrave të akcizës sinjalizojnë një rekord të ri të importit të karburanteve në vendin tonë gjatë muajit mars, prej rreth 46 mijë tonelatash. Kjo shifër është më e larta që prej vitit 2012 kur edhe të dhënat janë publike.

Në terma vjetorë, rritja fiksohet në masën 56.3%. Krahasuar me mesataren e 9 viteve të kaluara ndërkohë, rritja e importit të karburanteve gjatë marsit fiksohet në 43.3%, sinjalizojnë të dhënat zyrtare.

Një tjetër produkt akcize, kafja, ka prekur një rekord historik të 10 viteve të fundit, tregojnë shifrat. Importet e kafes gjatë marsit në vendin tonë kanë prekur shifrën e 862 tonëve, që është shifra më e lartë që prej vitit 2012, kur edhe të dhënat janë publike. Në terma vjetorë, rritja fiksohet në masën 27.5%, ndërkohë që krahasuar me mesataren e 9 viteve të kaluara, rritja është në masën 25.6%.

Nga krahu i kundërt ndërkohë, kemi importin e cigareve, pranë nivelit më të ulët që prej vitit 2015, në vetëm 200 tonë, Kjo shifër është 25.3% më e ulët, ndërkohë që krahasuar me mesataren e 9 viteve të fundit rezulton në një rënie prej 11.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sa i përket treguesve fiskal.