MENU
klinika

Në pranga, babai i Arbër Çekajt

Kokainë në kontenierin me banane nga Ekuadori në Shqipëri!

01.04.2021 - 09:30

Një sasi prej 49 kilogramë kokaine është sekuestruar në Portin e Durrësit dhe që vinte nga Ekuadori. Sipas policisë lënda narkotike ishte fshehur në një kontenier të mbushur me banane.

Operacioni i koduar “Mersin” u zhvillua gjatë natës, ndërsa në pranga u vu shtetasi Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, administratori i një firme me qendër në Maminas, i cili ishte edhe porositësi i kontenierit.

Babai i Arbër Çekajt ka vijuar aktivitetin e eksportit nga Amerika Latine edhe pasi i biri u kap me 613 kokainë në firmën e vet.

Firma e eksportit nga Ekuadori është hapur në po të njëtat ambiente në Maminas ku u kap dhe 3 vite më parë sasia prej 613 kg kokainë.

Ndryshe nga kompania ”Arbi Garden”, kësaj radhe i ati e ka quajtur ”Ecoalmax” dhe kësaj radhe në po një konteiner me banane nga Ekuadori iu kapën në Portin e Durrësit 49 kg kokainë.

“Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë.

NJOFTIMI I POLICISE

Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “MERSIN”.

Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Për arsye hetimore nuk jepen detaje të tjera rreth operacionit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN