Masat kufizuese anti-Covid në Shqipëri do të vazhojnë të mbeten të njëjtat, të paktën edhe për dy javë të tjera.
Lajmi i bë me dije nga kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli, e cila u shpreh se ora policore do të jetë 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.
Mira Rakacolli u shpreh se ndonëse numri i rasteve pozitive është ulur, si dhe ritmi i vaksinimeve është i lartë, situata nuk është ende aty ku duhet.
“Kemi përmirësim të lehtë të situatës. Pavarësisht se kemi një rënie të pozitivitetit të testimit, mendojmë që masat me intensitet të mesëm kanë qenë efikase. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë fushata e vaksinimit, jo vetëm në drejtim të numrit të vaksinimit. Shqipëria ka zënë vendin e parë në rajon për sa i përket ritmit të vaksinimit, duke ia kaluar edhe Serbisë. Megjithatë pavarësisht këtyre arritjeve situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe nuk propozohet asnjë ndryshim masash”, tha Rakacolli.
Ndërsa drejtuesja e Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se mesatarja e rasteve të reja ka rënë, por ka një rritje të numrit në bashkitë e vogla.
“Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet. Mesatarja e rasteve të reja ka rënë. Edhe numri total i rasteve aktive ka rënë, por ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura. Raporti midis meshkujve dhe femrave mbetet, me prekje më të lartë te femrat, me vdekje më të lartë të meshkujve. Kemi një ulje të numrit të vdekjeve këtë javë nga 70 në 55. Kjo javë përcjell një punë të jashtëzakonshme në raport me vaksinimet. Më e rëndësishme është që puna me arsimtarët, uniformat blu, gazetarët vijon derisa të përmbyllet. Kemi punuar me të gjitha fashat 70 plus dhe 80 plus. Natyrisht është momenti për të kërkuar edhe njëherë ndihmën e qytetarëve që përpos vaksinimit të mbajnë maskën, distancën, higjienën”, tha Fico.
Ndërkaq, shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataju shpreh: “Thirrjet te 127 vazhdojnë të jenë konstante. Numri i vizitave për Covid ka rënë. Vizitat në Tiranë me qarqet e tjera është barazuar. Kemi një rritje të vogël në qytete të tjera. Numri i shtrimeve është i ulët. Listës së qyteteve i janë shtruar 3-4 fshatra të tjerë. Përhapja e infeksioneve në zonat e virgjëra duhet të na bëjë më të kujdesshëm. Të gjitha partitë të kenë parasysh zbatimin e rregullave”.