Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se me procesin i cili po ndodh në votimin e zgjedhjes së presidentit të vendit, Kosova po hyn në një krizë të panjohur kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës të shtunën e ka përsëritur rrethin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit. Në votimin e parë morën pjesë 78 deputetë ndërsa në të dytin 79.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se pavarësisht mungesës së kuorumit për dy herë radhazi, nuk është konsumuar votimi i rrethit të parë, duke paralajmëruar sërish përsëritjen e tij.
Cakolli bëri të ditur se, juridikisht, raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk ka ndodhur ende, meqenëse për të qenë i vlefshëm i njëjti duhet që së paku 80 deputetë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në kutinë e votimit.
Sipas tij, raundi i parë i votimit do të përsëritet aq herë sa ka nevojë derisa të arrihet korumi prej 80 deputetëve, përveç nëse kjo kalon datën 5 maj, pas së cilës kuvendi nuk ka të drejtë as të mblidhet. Kjo për faktin se Konjufcës i kalon mandati i ushtrimit të detyrës së presidentit, që rrjedhimisht e çon vendin në zgjedhje.
“Pas datës 5 maj Kuvendi i Kosovës, nuk mund të mblidhet dhe më pas të njëjtit do t’i skadojë në një formë mandati kushtetues, pasi që do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse deri më 5 maj nuk zgjidhet presidenti, atëherë do të futemi në një terr kushtetues për shkak se nuk do të kemi institucion që do t’i thërrasë këto zgjedhje”, thotë Cakolli.
Sipas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk mund të ushtrojë më detyrën e ushtruesit të presidentit, ndërkaq kuvendi dhe qeveria nuk kanë të drejtë kushtetuese për t’i shpalluar zgjedhjet duke u ftuar në një krizë më të panjohur kushtetuese.
“Mbi të gjitha nuk do të kemi institucione që mund të sfidojë këtë çështje në Gjykatën Kushtuese për shkak se Kuvendi do të mbetet pa mandat. President nuk do të kemi ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të sfidojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese lidhur me kompetencat e institucioneve tjera”, thotë Cakolli.
Të shtunën (3 prill) Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të votuar presidentin e ri të vendit.
Konjufca tha para fillimit të votimit se nëse në votimin e parë marrin pjesë më pak se 80 deputetë, konsiderohet se nuk ka kuorum dhe duhet të përsëritet votimi. Nëse në votimin e parë votojnë së paku 80 deputetë por asnjëri nga kandidatët nuk merr të paktën 80 vota për, atëherë kalohet në votim të dytë. E njëjta rregull vlen edhe në votimin e dytë.
“Në votimin e tretë duhet të marrin pjesë së paku 61 deputetë. Nëse në votim marrin pjesë me pak se 61 deputetë konsiderohet se nuk kuroum, duhet të përsëritet. Nëse ka kuorum, por asnjë kandidat nuk merr vota të nevojshme, pra të paktën 61 vota për, atëherë shpërndahet kuvendi dhe mbahen zgjedhjet e reja brenda 45 ditsh”, tha Konjufca.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.
Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.