MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Kryeministri Basha, një kukull e varur në çengelin e Ilir Metës

15.04.2021 - 12:40

Në rrokopujën e shifrave, premtimeve e ofertave që artikulon nga mëngjesi në darkë, kryetari i opozitës nuk harron të ofrojë as rikthimin e shpenzimeve për të sëmurët e Covid 19 (gjëja më qesharake e dëgjuar nga fillimi i pandemisë), as të ulë taksa të cilat tashmë janë ulur ose edhe hequr fare, apo të shpërndajë një vakt falas për të gjithë fëmijët e shkollave. Vetëm ky sanduiç për fëmijët shqiptarë kushton mes 60-80 milion eurove në çdo vit buxhetor, sipas ekspertëve të ekonomisë.

Ka një shifër megjithatë të cilën deri më sot Lulzim Basha as e ka artikuluar dhe as do ta artikulojë deri ditën e zgjedhjeve. Mos ja kërkoni, mos e pyesni dhe mos e ngacmoni fare; as që ka ndërmend t’jua thotë ndonjëherë. Është fjala për numrin e mandateve që partia e tij synon të marrë në 25 prill. PD ka hyrë në zgjedhje pa një objektiv konkret mandatesh.

Deri më sot ka plot liderë politikë që kanë hedhur në meidan objektivat e tyre elektorale. Edi Rama e shfrenon fantazinë deri në 88 mandate të fituara si objektiv maksimal. Të njëjtën gjë bën Monika Kryemadhi, e cila vijon në traditën e të shoqit, i njohur në të shkuarën për premtime shifrore që ngjajnë me filma fantastiko-shkencorë. “Marrim 35 mandate, jo-jo marrim deri në 45”, thoshte dikur Ilir Meta dhe asnjëherë shifra reale nuk ishte diçka më shumë se një fraksion i vogël i premtimit parazgjedhor.

Lulzim Basha refuzon t’i hyjë qoftë edhe aritmetikës realiste në këtë pikë. Sepse të jesh realist në kushtet e kreut të PD sot, do të thotë të pranosh para shqiptarëve një të vërtetë të hidhur e me shumë spec, që Luli nuk ka sesi e pohon publikisht: pra, që PD nuk mund t’i arrijë në asnjë kombinacion dhe në asnjë rrethanë e vetme, 71 mandatet për të pasur shumicën parlamentare. Do t’i duhet në të gjitha mundësitë dhe kalkulimet e përfytyrueshme paterica e LSI, e shoqëruar nga një ters kozmik i socialistëve ditën zgjedhjeve.

Matematika e shifrave zgjedhore është e thjeshtë dhe kokëfortë. Partia Demokratike ka marrë në zgjedhjet e fundit në 2017, 43 mandate parlamentare. LSI ka marrë 19 të tilla. Sado të rritet në shifra partia e Bashës, pakkush mund të jetë kaq i guximshëm sot në biznesin e zgjedhjeve, që të pretendojë se Luli do ta shtojë me 28 mandate, portofolin parlamentare të partisë së tij. Kush njeh hartën elektorale të Shqipërisë e di se kjo mund të arrihet vetëm nëse vendi ynë do të bashkohej me Kosovën a Maqedoninë e Veriut!

Ky realitet kokëfortë shifrash, ka nga pas një analizë politike, në rast fitoreje të opozitës. Një analizë të cilën shumëkush nuk po e bën këto orë të ethshme fushate.

Kryeministri Basha, i dalë nga një fitore e PD në partneritet me LSI, do të kishte shumë pak arsye që ta kthente me fund gotën e shampanjës së fitores. E kjo i detyrohet një numri rrethanash të cilat e bëjnë të trazuar dhe krejt të brishtë shumicën e tij politike në Kuvendin e Shqipërisë.

Një qeveri PD-LSI e gjen të vetmin precedent në vitin 2009, kur Meta i dhuroi 4 votat “e arta” Sali Berishës, për të bashkëqeverisur për katër vitet në vijim. Ajo qeveri u mbajt në këmbë me një marrëveshje xhentëlmenësh (natyrisht edhe më shumë miliona euro pushtet të ndarë mes dy partive), e kjo i detyrohej kryesisht peshës, karizmës dhe hijes së rëndë të Berishës dhe Metës. Bashkëqeverisnin dy burra që i merrnin vetë vendimet për partitë që drejtonin, pa pasur nevojë të pyesnin me sms ata që qëndronin pas perdeve. Pas perdeve, përkundër rastit të Bashës, nuk kishte asnjeri.

Lulzim Basha, është një lider politik jo vetëm i dobët e anemik, por edhe tërësisht i varur historikisht nga fjala dhe vullneti i Sali Berishës. Si i tillë, ai projekton pikërisht të kundërtën e qeverisjes PD-LSI të 12 viteve më parë. Nuk është Sali, as Ilir…

Imagjinoni tani që pas 25 prillit, zërit të trashë të Doktorit nga telefoni, t’i shtohet edhe telefonata tjetër paralele, e cila fillon me fjalët “ç’kemi flori” e Ilir Metës?! Imagjinoni që Lulzim Basha, njeriu që të gënjen edhe kur e pyet sa është ora (fjalët e Presidentit të Republikës), të varet kryekëput për katër vitet e ardhshme nga vota dhe vullneti politik i “strehës së fundit të maskarenjve” (LSI, sipas vetë Bashës)!

Do të kishim kështu një qeveri-klon të asaj të vitit 2009, por vetëm në formë. Pasi vënia në krye të tavolinës e një kryeministri që flet me gojën e Berishës dhe firmos me dorën e Metës, do të prodhonte një realitet qesharak brenda qeverisë dhe maxhorancës që do ta mbështeste në Kuvend. Kësisoj Shqipëria do të kalonte nga qeveria me “vështrim dhe zë të unifikuar” e Edi Ramës, tek kabineti i një kryeministri kukull që do të varej nga humori i ditës i Ilir Metës.

Nëse Lulzim Basha ka qenë një politikan pak i besueshëm ndër vite, imagjinoni sesi do të jetë ai në kostumin e një kryeministri që do ta urdhërojnë edhe zv.ministrat e partisë aleate. Koalicioni opozitar e ka në indin e tij primar këtë defekt politik. Fitorja në zgjedhje vetëm sa do ta bënte më të rrezikshëm këtë konfigurim anormal aktorësh, që nuk ishin në gjendje as të merrnin pjesë së bashku në një podium mitingu, ditën e hapjes së fushatës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Listat reflektojnë problematikat dhe dimensionet e dy krerëve të karvanit“

Minxhozi: Rama është munduar t’i ‘fshehë’ figurat që mund të jenë të konsumuar


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin