MENU
klinika

"Tiranë, 1937"

Kush e pagëzoi sheshin “Skënderbej”?

20.04.2021 - 13:02

         Sheshi “Skënderbej” e ka marrë këtë emërtim në vitin 1937 edhe pse, monumenti i heroit kombëtar u vendos aty shumë vite më vonë, në janarin e vitit 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Fillimisht, vendosja e monumentit të Skënderbeut ishte parashikuar të ishte një nga eventet e rëndësishme të programit të ‘Kremtimeve të 25-vjetorit të Vetqeverimit’, që u shtri në periudhën 20-28 nëntor të vitit 1937. Pika 7 e programit parashikonte zbulimin e monumentit të Skënderbeut.

Gazetari Gjergj Bubani, në një artikull kushtuar kremtimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, e trajton me sarkazëm çështjen e mosvendosjes së shtatores së heroit kombëtar në sheshin e ‘pagëzuar’ nga kryeministri Pandeli Evangjeli, me këtë emër, sikur e sjell dokumentin Scan.

“Sheshi i Bashkisë, i cili pasnesër do të pagëzohet prej Xhaxhait (Pandeli Evangjelit) “Sheshi Skënderbeg” është bërë një bukuri. Splendidi u shemb dhe bashkia po mundohet të mbulojë pak shëmtimin që doli që prapa perdes, në mes të sheshit aty ku ishte fjala të ngrihej shtatorja e Skënderbeut, dora-dorës na doli një shatërvan. Dje mbrëma u bë provimi i parë; një shumicë populli ishte mbledhur rreth e përqark dhe hapte gojën duke u habitur. Uji kërcente herë me forcë, herë me ngadalë, nga të pesë vrimat; një shigjetë drejt përpjetë dhe katër tërthorazi.

Humori, nuk mungonte nga ana e popullit;

-Ore, po si kështu? Ne prisnim shtatore dhe na doli Shatërvan?!

-Jo vëlla, por kur deshin të shtinin themelet e shtatores, kërceu uji përpjetë.

-Ç’thua?! E thonë pastaj që Tirana s’paska ujë!” shkruan Gjergj Bubani në një reportazh të publikuar me 20 nëntor 1937 në gazetën ‘Drita’.

Deri në vitin 1968, ku u pozicionua përfundimisht monumenti i Heroit Kombëtar, në atë vend kanë qenë vendosur monumente e shtatore të ndryshme, edhe pse emërtimi mbeti i njëjtë.

Fillimisht, aty ka qenë një nga monumentet e 25 vjetorit të Pavarësisë, pastaj një Shqiponjë dykrenare me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Pas Luftës së Dytë Botërore aty u vendos shtatorja e Stalinit, për t’i lënë më pas vendin monumentit të Heroit Kombëtar, vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paçon.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit