MENU
klinika

"Barsaleta elektorale"

Ky është patronazhisti dhe ky, roli i tij!

21.04.2021 - 16:10

Nuk ndenja dot pa shkruar, duke parë sesa shumë po abuzohet me emrin Patronazhist dhe sa barsaleta bajate po sajohen nga maestrot e rrjeteve sociale.

Si ndodh shpesh dhe siç e kemi traditë, po tregojmë përsëri sa të përciptë jemi si shoqëri, sa kohë harxhojmë me llafe të kota (që në fund bëjnë interesin e dikujt, që as e njohim) sa kollaj e kemi ta bëjmë qimen tra. Në çdo rrjet social, medie, kafene, zyra, por edhe nëpër shtëpi muhabeti trendi këto ditë është ai i patronazhistit. Të gjithë flasin, komentojnë, tallen, por në shumicën e rasteve, nuk e kanë idenë ç’është patronazhisti ose më keq akoma, kanë një ide komplet të gabuar.

Çfarë është PATRONAZHISTI?

Patronazhisti është një anëtar partie ( dhe ata i ka çdo parti ), i cili merr përsipër të nxisë që të votojnë një numër personash ( varet nga secili sa është në gjendje të patronazhojë ) që janë familjarë, të afërm, miq, shokë ose edhe persona që jetojnë në zonën që ai mbulon për efekt fushate dhe që i konfirmojnë që do të shkojnë në votim. Këta persona i shkruan në listën e tij, që për efekt sondazhesh hidhet në një skedar përmbledhës. Vota është e fshehtë, do të thotë dikush. Sigurisht që është e fshehtë, por askush nuk më detyron mua, të mos tregoj preferencën time.

Pra, të patronazhuarit e pranojnë vetë të vendosen në listën e tij dhe ata përbëjnë një përqindje të vogël të  votuesve. Por ka raste që emrin e jep njëri nga familjarët dhe dikush nuk e di ose e harron që i ka thënë “Ok”. Unë, kur dhashë emrin tim, dhashë edhe të mamasë. Por, po ta pysësh atë, me siguri do të thotë që nuk e kam dhënë ID-në, në asnjë vend. Një shoqe më dha të dhënat për vete (emër, atësi, mbiemër, ID dhe numër telefoni) dhe për 5 pjestarë të familjes së saj. Nëse pyet ndonjë prej tyre, mbase do të thotë që nuk ka dhënë asnjë informacion dhe mund edhe të irritohet. Po ku është faji i patronazhistit ose i partisë, këtu? Çfarë e dhëne është vjedhur ose keqpërdorur? Roli i patronazhistit është më shumë, shtytës për ata që e dinë për kë do të votojnë, por edhe mund të mos shkojnë në votim, thjesht për neglizhencë.

Çdo parti politike e aplikon sistemin e patronazhistëve dhe jo vetëm në vendin tonë.

U bë viral një APP që të tregon të dhënat e tua. Shumica që e provojnë shohim se u del: Emër, Atësi, Mbiemër dhe datëlindje. Dhe fillojnë e thonë “Ja shiko… ku e gjetën ditlindjen time? Emrin e babait? “ Harrojnë se, listat e votuesve i ka çdo njësi bashkiake dhe ato afishohen para zgjedhjeve në çdo qendër votimi. Normal që këto lista, nuk duhen të publikohen në çdo vend dhe aq më tepër, në rrjetet sociale. Po kush është fajtori, këtu? Ai që i ka listat dhe i përdoor për efekt parashikimi dhe sondazhi brenda një rrethi të ngushtë, apo ai që i vjedh dhe i publikon me qëllim dashakeqës?

Le të përdorim pak logjikën. Përse do t’i duhej ID-ja e zgjedhësve, një partie politike?

E vetmja arsye është që një person të mos figurojë në listat e dy, tre ose më shumë patronazhistëve, duke bërë që vlerësimi i parashikimeve të mos jetë i saktë. ID-ja bën diferencën, pasi mund të ketë disa persona me të njëjtin emër dhe mbiemër.

JO ÇDO VOTUES KA PATRONIZHTIN E TIJ.

Lexoj shumë batuta dhe shkrime “ humoristike“, për persona që nxjerrin emrin e patronazhuesit të tyre, të cilin, kuptohet nuk e njohin fare, pasi është i sajuar nga ata që e shpikën këtë lojë. Shkruajnë çfarë u vjen ndërmend dhe pa pikë përgjegjësie hedhin llum mbi ta, pa e pasur idenë se për kë po flasim.

Patronazhisti IM… patronazhisti YT… patronazhisti I TIJ…

Njerëz që kanë kohë të tepërt, kanë gjetur mana të merren. Nuk ke një patronazhist nëse nuk ia ke dhënë vetë emrin ose nuk e ka dhënë një i njohuri yt, që ka garantuar se ka folur me ty. Si në çdo vend, mund të ketë edhe ndonjë që nuk i ka zbatuar orientimet dhe ka futur në listën e tij, ndonjë person që nuk e njeh fare. Por këto mund të jenë raste të veçanta dhe nuk duhet në asnjë mënyrë, të denigrohen të gjithë patronazhistët, për ndonjë gabim të dikujt, të bërë pa dashje ose edhe më keqdashje. Normalisht, nëse nga vlerësimi paraprak që bën çdo parti, del një numër i caktuar personash që pritet të votojnë Partinë Socialiste, asnjëherë nuk arrihet të patronazhohet më shumë se 30 për qind e tyre. Pra, mbi 900 mijë personat e listës së famshme të publikuar, vetëm të patronazhuar nuk mund të jenë.

Prandaj, do të kërkonja pak më shumë respekt, për PATRONAZHISTËT e vërtëtë, këta anëtarë partie që, me dëshirë dhe përkushtim punojnë për ata te të cilët besojnë. Nuk janë patronazhistët, vetëm persona karrieristë ,që presin shpërblimin pas zgjedhjeve, megjithëse sigurisht që mes tyre ka edhe të tillë. Ata janë të rinj e të reja, burra dhe gra, pensionistë shumica e të cilëve, vërtet besojnë se Partia Socialiste ka filluar shumë reforma dhe duhet të marrë edhe një mandat, për t’i çuar ato deri në fund. Besojnë se, kryetari i saj, nuk fle gjumë po punon me përkushtim dhe vizion të qartë, duke parë perspektivën dhe jo duke bërë sikur po zgjidh hallet e momentit.

 

PATRONAZHIST: Respekt për ty që punon për partinë, tek e cila beson

 

Respekt për ty që të denigruan pa të drejtë.

 

Lindita BACKA CACI

 

“Si do të bëhet qarkullimi i automjeteve në fundjavë“

Plan masash për “Maratonën e Tiranës”

“Vota mund të bëhet e pavlefshme“

Votimi i emigrantëve në pikëpyetje? KQZ ngre alarmin!

“Këta s’kanë popull që t’i ndjekë dhe përdorin trupin“

Tensionet në Kuvend, Artan Fuga: Nëse përdor trupin, nuk je më deputet!

Përplasjet në Kuvend/ “Ku janë ambasadorët?”

Gjekmarkaj: FNSH u fut si në shtetet që sundohen nga juntat!