Sergio Gonzalo Rodrigo/
Letërsia Shqipe
Forma e parë e letërsisë shqiptare ishte e folur, me një sërë personazhesh mitologjikë që përfaqësonin të keqen dhe të mirën, xhindi (luante rolin e heroit, me flatra) dhe kuçedra (demoni që nxirrte flakë nga goja, aq shumë sa mund ta shkatërronte njerëzimin). Personazhe të tjera karakteristike të folklorit shqiptar ishin orët – engjëj mbrojtës sipas kulturës kristiane dhe fati – mbi gjithë universin dhe jo vetëm për një njeri, kishin shumë protagonizëm në histori.
Një tjetër veçanti e gjuhës së folur shqipe ishte metamorfoza e shpesh nëpër biseda njerëzit krahasoheshin me kafshët dhe e kundërta.
Historitë që tregoheshin mbi të tjerët, mundoheshin t´i shpjegonin dukuritë natyrore përmes qenieve të mbinatyrshme (konflikti mes xhindit dhe kuçedrës përbënte rinovim kozmik dhe rilindje të botës). Meritojnë të vihen në dukje dhe legjendat të cilat shoqëroheshin nga këngë e instrumente prej rapsodëve dhe shumë prej tyre janë risjellë në shek. XX.
Përsa i përket letërsisë së shkruar, teksti i parë i shkruar në shqip daton në vitin 1450, bëhej fjalë për pagëzimin e Palit; i cili do të ndiqej nga një fragment i Ungjillit të Mateut, pastaj u shkrua dhe fjalori i parë shqip nga fundi i shek XV që u hartua nga gjermani Arnold von Harff.
Letërsia e shek XVI do të kishte kryesisht përmbajtje fetare, siç duket qartë në veprat ¨Meshari¨ me autor Gjon Buzukun dhe ¨Doktrina e krishterë¨ shkruar nga Lekë Matrenga, por libri i parë i botuar në shqip është ¨Çeta e profetëve¨ shkruar nga Pjetër Bogdani.
Gjatë shek. XVII, shkrimtarët kryesorë shqiptarë nuk jetonin në Shqipëri por në Itali, megjithëse më vonë u shfaqën disa autorë dhe brenda trojeve shqiptare si Hasan Zyko Kamberi dhe Muhamet Kycyku. Sidoqoftë, shek. XIX është pa diskutim shekulli i rilindjes së letërsisë kombëtare, u hapën disa shkolla kombëtare françeskane dhe jezuite, u publikuan disa shkrime prej shqiptarësh që jetonin në Greqi dhe në Itali.
Autorë të mirënjohur
Gjergj Fishta (poet, shkrimtar me të cilin nisi rilindja), Ndre Mjeda (prift që studioi filologji dhe poezi), Bernardino Palaj (këngëtar dhe shkrimtar), Jeronim de Rada (kishte ndikim të madh mbi autorët e tjerë), Sami Frashëri (shkrimtar dhe aktivist), Naim Frashëri (vëlla i Samiut dhe poet), Mithat Frashëri (nipi i dy të lartpërmendurve, i përfshirë në politikë dhe në letërsi, e quajnë babai i patriotizmit shqiptar), Filip Shiroka (poet me prirje kombëtare) apo Andon Zako Çajupi (dramaturg me prirje realiste).
Në fillim të shek. XX filluan të shfaqeshin ndasitë politike që e vazhduan rrugën deri në revistat shqiptare që u shfaqën në pjesë të ndryshme të Europës, hapi i parë që hodhën protagonistët e secilës periudhe historike që kaloi Shqipëria në shekullin XX dhe XXI.
Autorët më të shquar janë Ismail Kadare (autor me famë ndërkombëtare, i dhjetëra romaneve, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare), Dritëro Agolli (poet, veprat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë), Petro Marko (babai i prozës shqiptare), Ernest Koliqi (u detyrua të mërgojë në Itali), Martin Camaj (gjithashtu u detyrua të largohet në Itali), Teodor Laço (romancier që fitoi disa çmime), Dhimitër Shuteriqi (romancier që shkroi më shumë rreth historisë), Sulejman Mato (romancier, veprat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë), Spiro Comore (dramaturg), Fatos Kongoli (romancier), Bashkim Shehu (shkrimtar e përkthyes, i biri i Mehmet Shehut që do ishte pasardhës i Enver Hoxhës, aktualisht banon në Barcelonë), Agron Tufa (poet), Luljeta Lleshanaku (një nga poetet më të vlerësuara aktualisht), Ridvan Dibra (shkruan romane që sjelllin risi) ose Ben Blushi që ka shkruar në lidhje me konvertimin e shqiptarëve në myslymanë, libër me të cilin ka fituar disa çmime.
Shkrime mbi Shqipërinë
Nuk është mision i lehtë të gjesh dëshmi mbi Greqinë e lashtë, por Iliria si një rajon historik ku shtrihet dhe Shqipëria sot, ishte provincë romake, deduktoj që ata që kanë shkruar të parët mbi këto troje ishin romakët që vinin nga jashtë. Shekuj më vonë, pikërisht në shek. XV, Arnold von Harff udhëtoi nëpër Shqipëri dhe la gjurmë.
Vlen të përmendet kontributi i polakes Margo Rejmer (¨Balta më e ëmbël se mjalta. Zërat e Shqipërisë komuniste¨) dhe i spanjollit Miguel Silvestre (¨Europa nomade, Shqipëria dhe Irlanda, aventurat që i kemi karshi¨). Një vepër tjetër është ¨Fiset e Shqipërisë. Historia, shoqëria dhe kultura¨ shkruar nga kanadezi Robert Elsie (i cili u specializua për letërsinë dhe folklorin shqiptar).
Sugjerimet e mia:
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Ismail Kadare
Në këtë libër shkrimtari shqiptar, tregon historinë e një veterani lufte, italian që e bën mision vajtjen në Shqipëri për të rikuperuar trupat e patriotëve që kishin humbur jetën atje. Pas mbërritjes së personazhit kryesor dhe priftit që e shoqëronte në Tiranë, të dy së bashku nisin një pelegrinazh nëpër zonat e thella të Shqipërisë, falë të cilit njohin jetën e thjeshtë e të vështirë që kishin bërë shqiptarët gjatë luftës por dhe pas luftës. Megjithatë përpos vështirësive, del në pah njerëzillëku, i cili luan shumë rol në këtë libër.
“Tirana Blu” Fatos Kongoli
Romani nis me ngjarje që shkaktojnë marramendje, si shfaqja e një kufome dhe ndërprerja e dy historive dashurie, një inspektor policie mundohet ta rindërtojë ngjarjen. E gjithë ngjarja zhvillohet në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, përmes ngjarjeve autori është munduar t´i japë një kritike të thellë sociale dhe politike ndaj një vendi të komplikuar siç është Shqipëria.
“Balta më e ëmbël se mjalta” Margo Rejmer
Në këtë libër reporterja polake është munduar të zbulojë cepat e Shqipërisë e të mbledhë dëshmi nga njerëz të cilët e përjetuan dhe e prekën regjimin e tmerrshëm të Enver Hoxhës, padyshim një ndër regjimet më të pamëshirshme që njerëzimi ka njohur.
Autorja gjatë gjithë librit është munduar të ruajë një ekuilibër mes dramave që njerëzit kanë përjetuar, Rejmer futet në lëkurën e personazheve, në ngjarjet tragjike që ata rrëfejnë. Ajo tregon në libër që megjithëse personazhet e librit nuk e kanë përjetuar vetë ngjarjen thjesht po e tregonin, ata dridhen nga frika e nga terrori.
Karakteristika gjeografike, historike, kulturore që ndihmojnë për ta kuptuar letërsinë më mirë.
Shqipëria gjendet në juglindje të Europës, përgjatë historisë ka qenë pjesë e rajoneve e perandorive të ndryshme, në periudha të caktuara Shqipëria ka pasur shtrirje të madhe gjeografike dhe kufij të tjerë që ende mbrohen nga disa vendas me bindje radikale. Shqipëria është një vend kryesisht malor, me një bregdet të mrekullueshëm dhe një sërë parqesh nayrale.
Populli më i lashtë i njohur ishin ilirët te cilët u pushtuan së pari nga perandoria romake dhe pas disa shekujsh nga perandoria otomane. Pasi perandoria e dytë u bë e pavarur, në territorin shqiptar u zhvilluan disa nga betejat e luftërave botërore, në vitin 1941 Shqipëria u shpall republikë, nën regjimin e Enver Hoxhës, ai nënshkroi marrëveshje me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ndërpreu marrëdhëniet me Kinën.
Që prej vitit 1990 Shqipëria i ka drejtuar sytë më shumë drejt perëndimit dhe vazhdon të jetë në tranzicion drejt kapitalizmit, edhe pse në vitin 1997 vendi ishte shumë afër zhvillimit të një lufte civile dhe ka një pakënaqësi në përgjithësi nga njerëzit.
Më shumë se 82% e popullsisë ka prejardhje shqiptare, por nuk mungojnë dhe minoritetet; greke, maqedonase, malazeze, rumune.
Megjithëse Shqipëria është një vend shekullor, popullsia nuk ka një fe zyrtare, pothuaj 60% janë myslymanë, ndërsa të krishterët përbëjnë vetëm 17% të popullsisë.
*Sergio Gonzalo Rodrigo ka shkruar disa libra ndërsa vazhdon hulumtimet e tij mbi letërsinë botërore.*
Artikulli u soll në shqip nga Albana Murra.